Kuçovë, grabitet me armë lokali i lojërave të fatit

Feb 27, 2012 | 12:01
Kazinoja e grabitur në Kuçovë

KUÇOVE – Grabitet nga persona me maska e të armatosur një lokal lojërash fati në qendër të qytetit të Kuçovës. Një kazino është grabitur në qytetin e Kuçovës nga 2 persona të armatosur e të maskuar. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në lagjen “Tafil Skëndo”. Autorët kanë hyrë brenda ambienteve të lokalit dhe nën kërcënimin e armëve kanë grabitur paratë që ndodheshin në arkat e lojërave të saj. Pasi kanë marrë sasinë e lekëve që ende nuk konfirmohet nga policia, grabitësit janë larguar në drejtim të paditur. Në këtë moment personeli që shërbente në këtë kazino, i tronditur nga ngjarja, ka lajmëruar policinë, e cila ka shkuar menjëherë në vendngjarje. Nga marrja në pyetje e punonjësve, ata nuk kanë mundur të përshkruajnë pamjen e autorëve, të cilët ishin me maska. Burime në vendngjarje konfirmojnë se personat kanë hyrë në kazino me pistoleta në duar, duke kërcënuar e terrorizuar punonjësit. Burimet zyrtare të Policisë konfirmojnë vetëm faktin se në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor, i cili po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve, por nuk bëjnë me dije se sa para janë mundur të rrëmbehen nga grabitësit. Burime të Policisë bëjnë të ditur se po punohet për identifikimin e autorëve të kësaj ngjarjeje. Polica ka marrë në pyetje edhe personelin për të mësuar më shumë në lidhje me ngjarjen e ndodhur në këtë lokal lojërash fati. Kazinoja ndodhet në qendër të qytetit, ku kryen aktivitetin prej vitesh. Duket se autorët kanë gjurmuar dhe momentin për të hyrë me armë brenda tij, nisur nga fakti se fundjava ka pasur dhe më shumë klientë e shuma mund të ishte e konsiderueshme. d.xh

© Panorama.al

Te lidhura