
PRISHTINE- Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka deklaruar zyrtarisht se është kthyer në detyren qe mbante ne qeverine Thaci.
“Pas takimeve që kam zhvilluar me Kryeministrin Thaçi dhe me Kryekuvendarin Krasniqi, jam kthyer në pozitat e mëhershme. Ky është takimi im i parë zyrtar pas që pas dorëheqjes sime”, ka deklaruar Kuçi në një prononcim të shkurtër pas takimit me Shefin e EULEX-it, Xavier de Marnhac.
Me heret, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një komunikate për medie dërguar nga Kryeministria, ka shqyrtuar shkaqet e ofrimit të dorëheqjes së zëvendëskryeministrit dhe ministrit të drejtësisë, Hajredin Kuçi, e ofruar me datën 22 qershor, dhe ka konstatuar se “shkaqet që kanë dërguar deri te dorëheqja tanimë nuk ekzistojnë”.
“Kryeministri Thaçi fton zëvendëskryeministrin Kuçi që të vazhdojë me përkushtim dhe përgjegjësi në ushtrimin e funksioneve që ka mbajtur deri më tani në Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Zëvendëskryeministri Kuçi pati premtuar se nëse nenet problematike për mediat, 37 dhe 38 të Kodit Penal të Kosovës, do të kalonin në Kuvend pa u amandamentuar, ai do të ofronte dorëheqjen e tij. E menjëherë pasi këto nene kaluan në Kuvend, Kuçi dha dorëheqje nga të gjitha postet qeveritare, atë të Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Drejtësisë.
© Panorama.al











