
Tri shtatore të reja do të vendosen në Tiranë në kuadrin e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë. Në mbledhjen e datës 6 shtator, Bashkia e Tiranës do të propozojë në Këshillin Bashkiak miratimin e vendndodhjes së tyre. “Monumenti i Pavarësisë” do të vendoset në parkun “Rinia” me pamje nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, në krah të Ministrisë së Mbrojtjes. “Shtatorja e Ismail Qemalit” është përcaktuar në vendpushimin në lulishten e kryqëzimit të bulevardi “Dëshmorët e Kombit” me rrugën “Ismail Qemali”. Një tjetër monument është “Shtatorja e Ahmet Zogut”, e planifikuar në sheshpushimin në fund të bulevardit “Zogu I”, pranë Stacionit të Trenit. Nga sa bën me dije Bashkia e Tiranës, Komisioni Shtetëror i ngritur për vlerësimin, koordinimin dhe organizimin e aktiviteteve në këtë vit jubilar, ka përzgjedhur vendosjen për monumentet që do të vendosen në qytetin e Tiranës në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë. “Nga ky komision janë përzgjedhur disa nga figurat që kanë kontribuar më shumë për shpalljen e pavarësisë, si dhe në konsolidimin e funksionimit të shtetit të parë shqiptar. Përzgjedhja e figurave të Ismail Qemalit, Ahmet Zogut dhe Hasan Prishtinës, është bërë për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm, por dhe për faktin se në qytetin e Tiranës mungonin shtatoret në kujtim të këtyre personaliteteve të mëdha kombëtare”, ka sqaruar Bashkia. Pas 3 monumenteve të para, është menduar edhe një i katërt. “Për vendosjen e “Monumentit të Hasan Prishtinës” është duke u punuar me autorin e veprës dhe me drejtoritë përkatëse në Bashkinë e Tiranës, për të përcaktuar detajet e vendosjes”, ka sqaruar Bashkia.











