Gati si pa e kuptuar na “lanë shëndenë” dhe pushimet. Kthimi në punë duket i tmerrshëm, megjithatë, kush ia ka kaluar vërtet bukur, ka me çfarë ngushëllohet… Ata që kanë bërë pushime sa për të thënë, shpresojnë të përmirësohen vitin tjetër. Aida Shtino, Julian Deda, Samanta Karavella e të tjerë tregojnë si i kanë kaluar muajt e verës
Të gjithë janë shumë të lodhur kur vijnë, kanë harruar fare që kur kanë ikur nga punët e janë ndarë nga miqtë, kanë thënë se po shkojnë të pushojnë, të fikin telefonin e të mos e lënë mendjen tu punojë për asgjë. Në fund? Rezultati përmbyset, sepse ju duhen edhe po aq ditë sa kanë pasur pushim për të futur veten në shinat e duhura. Si përfundim, askujt nuk i gjendet asnjëherë mideja. Po nejse, e rëndësishme është që pushime personazhet e njohura kanë bërë (domosdo, pse të mos bënin?!), pavarësisht që njëri është kënaqur shumë e një tjetër më pak. Ideja fillestare e këtij shkrimi në fakt ishte një tjetër. Tentuam që t’i pyesim ata që për këtë sezon nuk i kemi parë të na shfaqen, se ç’gjë të çuditshme a së paku ndryshe kanë bërë në këtë sezon pushimesh. Me pak fjalë, ideja e përmbledhur ishte kjo: “Me vapën, njerëzit bëhen pak si të çuditshëm. Ose në stinën e verës njerëzit janë më shumë në xhiro dhe bëhet më evidente çuditshmëria e tyre. U ndodh femrave, u ndodh meshkujve, u ndodh kafshëve shtëpiake. Ama, kur bëhet fjalë për gratë, çuditë mund të jenë aq të shumta saqë mund të klasifikohen edhe në grupe. Tek e fundit, kjo gjendje ndryshe është tejet normale, madje do të ishte e çuditshme të mos ndodhte kështu!” Ja pra, me këtë ide u nisëm. Mos ndoshta gjenim dikë që të na thoshte se ai bruni me ato flokët e çmendura te ai grupi i çunave në çadrën përbri kishte kohë që shihte ngultas, por nuk e mori që nuk e mori mundimin të bënte më tepër se kaq. Apo, sapo e pashë të shkonte të lahej në det, përfitova nga momenti dhe i shkova nga pas, me siguri aty në det, kur të ishim vetëm unë dhe ai, diçka do sajoja për t’i folur. Për shembull: mund të m’i mbash pak syzet sa të zhytem?! Po mos kujtoni që e kemi mendjen vetëm te gjuetia. Mund të qëllonte edhe një mami e stërlodhur gjatë vitit, që e kishte harruar fare të shoqin e kishte shkuar të peshkonte me çunin dhe ishte harruar në kokteile e thashetheme me shoqet e reja të kabinës ngjitur… Domosdo që për këtë kërkuam personazhe që i kishin mbyllur hesapet me pushimet, por edhe ata kishin ngelur në kuadrin e normales, a së paku kështu thonë, kështu që, ashtu siç e dinim që në fillim, i dhamë temës së pushimeve një drejtim tjetër. Të paktën na thoni, ndryshe nga të vjetshmet ç’keni bërë…?! Secili u përpoq që të ndante një ngjarje nga të tjerat, një tjetër i dëshiroi të rejat për pushimet e ardhshme të paktën se për këtë vit ishte parë puna e tij (nuk kemi lënë mënjanë edhe shembujt e vërtetë prej nga u frymëzuam për ta përshtatur.)Gjithsesi, t’i lexojmë vetë se ku kanë qenë e ç’kanë bërë…
Aida Shtino: “Nuk kam ardhur për të kërkuar të humburit në Turqi”
Si fillim njëherë, Aida Shtino, ka udhëtuar thuajse në të gjitha vendet turistike të Shqipërisë, përveç atij 1-javëshit në Turqi. Lëvizja nuk ka fare të bëjë me kërkimin e personazheve të humbur të emisionit të saj tashmë në sezon pushimesh. Ndalesa e radhës, ku vazhdon të jetë edhe këtë fundjavë, është Pogradeci, e rikthyer aty për të disatën herë këtë verë. “Më është dukur i qetë e i pastër, jam rehatuar këtu, për me tepër që është qyteti tipik për pushime të qeta familjare, edhe pse unë kam qëndruar për pak ditë nga shumë herë”. Por nuk ka qenë vetëm Pogradeci i preferuari, e ka vizituar po kaq edhe bregun e Jugut. “Nuk di pse këtë vit më ka pëlqyer të qëndroj në Shqipëri, për mua të paktën ka qenë më mirë se vitet e tjera”. Megjithatë, nuk ka ndenjur vetëm në Shqipëri, një pjesë të pushimeve e ka shpenzuar në Turqi (këto emisionet me sezone të gjata pushimesh e kanë këtë luks). “Çudia e këtij viti në Turqi ishte që më përshëndesnin disa njerëz të panjohur, që nuk ishin shqiptarë e që me siguri kanë parë transmetimet e emisionit. Rrëshqitëset e mëdha të ujit kanë qenë një tjetër përvojë e re këtë vit, pas ngulmit të miqve të mi për t’i provuar. Kam takuar aty miq, kolegë të “Klan”-it si Arditin apo Aldon, fare rastësisht. Pjesa tjetër e qetë, kohë dhe pushim me tim bir”.
Julian Deda: “Do ju them kur të shkoj në vende ekzotike”
Vetëm mbresa për t’u treguar që nuk kishin pushimet e Julit për këtë vit. Asgjë për t’u çuditur, ai nuk është më ai djaloshi i lirë që mund të shkojë vetëm ku t’i teket. E para është familja, rehatia dhe pushimi i saj. Prandaj edhe nuk është menduar shumë e as ka bërë ndonjë plan paraprak kur ka menduar Velipojën për të shkuar një 15-ditësh. “U bëmë dy familje e bashkë me atë të prindërve të mi shkuam në Velipojë e, siç e merrni me mend, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme për t’u treguar. Fundja Shqipëria është po ajo që ka qenë, nuk të çudit”. Pyetjes se përse zgjodhi Shqipërinë për të pushuar pavarësisht pushimeve, Juli iu përgjigj se do ta përmirësonte dorën vitin tjetër. “Gjithsesi, pak u kënaqa, edhe pse jo aq sa duhet. Hajt mo, kur të shkoj në ndonjë vend ekzotik, atëherë do t’ju them se do kem plot gjëra për të treguar”.
Samanta Karavello: “Në Kroaci e humba lojën, por nuk u deha”
Sa për të xhiruar ndonjë videoklip, këngëtareve nuk është për t’iu qarë halli, sidomos gjatë verës. Zgjedhin vendet më të bukura, kryesisht me det, dhe i shfrytëzojnë ato ditë në dobi të tyre dhe të karrierës. Kështu ka ndodhur edhe me Samanta Kravellon ditët e fundit, kur ishte në Dubrovnik. Një pjesë e vogël e kohës ka shkuar në dobi të klipit, ndërsa gjithë pjesën tjetër e ka shfrytëzuar për vete. Për vete i thënçin, jo se ishte vërtet vetëm atje. Edhe pse nuk merret vesh asnjëherë (jo nga goja e tyre të paktën) ‘shoqëruesi i nderit’, bëjmë sikur mjaftohemi me ato që na tregojnë. “Kam qenë me time motër dhe me disa të huaj. Kemi qëndruar në vilën e tyre luksoze dhe e kemi shijuar pa masë. Bënim lojëra të ndryshme darkave, një ndër të cilat ishte edhe hedhja e monedhës në gotat e vogla të shoot-save. Unë nuk arrita që nuk arrita të qëlloja në shenjë, kështu që si dënim për secilën humbje duhet të pija një birrë”. Si përfundim, as tapë nuk u bë Samanta, veçse një fryrjeje të barkut nuk i shpëtoi sigurisht. Sa për jahtet dhe shëtitjet, me to ju nuk besoj se jeni kuriozë apo jo?! E mirë, mos bëni kështu se vetëm për së largu i kishte soditur…
Sarkozy e Carla Bruni, fare “të thjeshtë”
“Si t’ia bëj, të largoj gjithë turistët dhe ta mbaj plazhin vetëm për vete në rrezen e 6 kilometrave e pastaj të bëj banjë apo të vë një kapelë të madhe në kokë dhe të sillem si një turiste e zakonshme e fshatit? Si bie më tepër më sy?” Kështu janë komentuar pushimet e Carla Brunit, damës së parë franceze, me të pandashmin e saj, Sarkozy, nga mediat gossip. Sepse për herë të parë në fakt, ajo nuk e ka vrarë mendjen nga paparacët që mund t’i gjendeshin përreth, por ka vazhduar banjot e saj me gjithë bebin tashmë të rritur në bark. Ata përkëdhelen dhe pushojnë në plazh krejt si njerëzit normalë, duke u mbajtur përdore dhe me një buzëqeshje që nuk u largohej nga portreti.
Michelle Hunziger me kostumin e së bijës
Nëse keni shfletuar revistat e huaja apo keni ndjekur sadopak thashethemet që qarkullojnë për VIP-at në faqet e internetit, keni dëgjuar me siguri që vendi i preferuar i tyre për të kaluar pushimet ka qenë Formentera. Plazhi i Spanjës ka rezultuar më i preferuari për shumë prej tyre. Një ndër ta ka qenë edhe Michelle Hunziger, që është shfaqur pa të keq në plazh, edhe pse fleshet e aparateve kishin ditë që dëgjoheshin, me bikinit e së bijës, Aurorës.
ANI JAUPAJ
© Panorama.al











