Kthesë në skandalin e JPMorgan, ish-punonjësi tërheq padinë për abuzim seksual nga eprorja e tij Lorna Hajdini, paralajmëron gjyq me prova të reja

Jun 9, 2026 | 17:27

Ish-punonjësi i JPMorgan, Tsiragiou Rana, ka vendosur të tërheqë padinë që kishte ngritur ndaj eprores së tij, Lorna Hajdini, në një gjykatë të shtetit të Nju Jorkut, ku e akuzonte për detyrim në akte seksuale poshtëruese, duke sinjalizuar një kthesë të re në çështjen që ka bërë bujë.

jpmorgan-skanal

Sipas dokumenteve gjyqësore, Rana synon të paraqesë një padi të re dhe më të plotë në një gjykatë federale, duke përfshirë akuza që nuk ishin përfshirë më parë, si diskriminimi racor, hakmarrja dhe shkelje të të drejtave për leje familjare dhe mjekësore.

Avokati i tij i ri, John L. Norinsberg, deklaroi se opinioni publik është keqinformuar për çështjen. “Publikut i është paraqitur një version i shtrembëruar, i ndërtuar mbi tituj sensacionalë që nuk pasqyrojnë atë që ka ndodhur realisht”, u shpreh ai.

Ekipi i ri ligjor i Ranës, i përbërë nga pesë avokatë, pretendon se ka siguruar prova të reja të rëndësishme, megjithëse pa dhënë detaje konkrete.

Ndërkohë, ata kundërshtojnë edhe kundërpadinë për shpifje të ngritur nga eprorja e tij, Lorna Haidini, duke argumentuar se disa nga deklaratat e Ranës janë opinione personale dhe mbrohen nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane.

Nga ana tjetër, avokatja Benita L. Joseph e cilësoi kundërpadinë si një përpjekje për hakmarrje ndaj klientit të saj, duke theksuar se ai kishte denoncuar racizëm dhe keqtrajtim në vendin e punës.

Banka JPMorgan ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat, ndërsa nuk ka pasur reagim të menjëhershëm nga përfaqësuesit e Haidinit.

Ndryshe nga më parë, padia e re pritet të dorëzohet me emrin e plotë të Ranës dhe jo në mënyrë anonime, pasi gjykata në Manhatan rrëzoi kërkesën e tij për të vijuar si “John Doe”.

Në dokumente theksohet se kalimi i çështjes në gjykatë federale do të shmangë zhvillimin paralel të proceseve dhe do të kursejë kohë dhe burime për palët. Rana pritet të depozitojë padinë e re brenda këtij muaji.

Akuzat që tronditën opinionin

Në padinë fillestare, që tërhoqi vëmendje të madhe mediatike, ai pretendonte se ishte viktimë e një fushate të gjatë presioni seksual dhe nënçmimi racor, ndërsa drejtuesit e bankës kishin injoruar ankesat e tij.

Sipas tij, eprorja e kishte kërcënuar me ulje të bonusit nëse nuk pranonte të bëhej “skllavi i saj seksual”.

Çështja mori edhe më shumë vëmendje pasi avokati i tij i parë u tërhoq nga përfaqësimi vetëm pak orë para seancës së parë gjyqësore.

Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë se Rana dhe ekipi i tij ligjor kanë zgjedhur një strategji të re, duke synuar tashmë një betejë ligjore në nivel federal.

© Panorama.al

Te lidhura