TIRANE- Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), tha sot se po ndjek me shqetësim rastet e krimeve me rrezikshmëri të theksuar shoqërore si vrasje, grabitje, vjedhje shtëpish të qytetarëve, sulmeve ndaj bankave, vënie tritoli në makina dhe banesa të ndodhura ditët e fundit, që sipas Komitetit janë të një intensiteti më të lartë se zakonisht.
Komiteti i ka kujtuar shtetit shqiptar se e drejta e jetës është një e drejtë themelore e njeriut dhe është detyrë e tij ta garantojë atë.
“Në Tiranë kanë ndodhur dje dy ngjarje të rënda me pasojë vdekjen e dy femrave, konkretisht në lagjen “Komuna e Parisit”, ku u janë plagosën me armë zjarri A.C dhe M.J, kjo e fundit më pas gjeti vdekjen për shkak të plagëve të marra si dhe në lagjen Shkozë të Tiranës ku u vra një tjetër grua, 35 vjeçarja E.B. Gjithashtu gjatë këtyre ditëve kanë ndodhur ngjarje të tilla edhe në rrethe të tjera të vendit si ekzekutimi me 32 plumba i kryeplakut të Leshnicës në Pogradec; tentativa për të grabitur me kërcënim të armës taksistin Sh.Ç në afërsi të Institutit Bujqësor; grabitja në Tiranë në datën 2 Shkurt 2012 të karburantit në autostradën Tiranë – Durrës nga dy persona të armatosur; grabitja me armë zjarri në datën 1 shkurt 2012 në qytetin e Vlorë të një argjendari duke lënë të plagosur pronarin e saj B.GJ; vjedhja e Hotel “Palmës” në Sarandë; grabitja me armë e një filiali të Bankës në 31 janar 2012 në zonën e Selvisë në Tiranë; vjedhja e mbetur në tentativë të mallrave që ndodheshin në një furgon ku mbeti i vrarë grabitësi, etj. Të shumta kanë qenë gjithashtu në këto ditë edhe aksidentet automobilistike me pasojë vdekjen dhe plagosjen e një numri të konsiderueshëm personash.”- thuhet në deklaratën e Komitetit të Shqiptar të Helsinkit.
KShH konstaton se pavarësisht përpjekjeve masat për parandalimin e veprave penale të mësipërme nuk kanë qenë në nivelin e duhur.
Sipas KShH për të patur sukses në këtë drejtim është i nevojshëm bashkëpunimi më i mirë midis organeve kompetente.
“Zvarritja në këtë drejtim ndikon negativisht në besimin e qytetarëve ndaj organeve të policisë dhe atyre të drejtësisë në përgjithësi si dhe krijon një situatë paisgurie për jetën, shëndetin dhe pasurinë e shtetasve.”- thekson KShH.
Reagimi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit vjen një ditë pas vrasjes së dy femrave në kryeqytet.
© Panorama.al











