
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) nëpërmjet një deklarate për shtyp, përshëndeti arrestimin nga policia të vrasësit të arkëtares së bankës NGB, Leonora Kaloçi dhe argjendarit, Rrapo Sinanaj, Viktor Gushi.
Sipas KSHH-së, veprimet e mësipërme të organeve të Policisë së Shtetit rritin besimin e publikut të gjere ndaj këtij organi si dhe i shërbejnë, jo vetëm luftimit të kriminalitetit në vend, por janë një ndihmesë edhe për parandalimin e këtij fenomeni.
Duke shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave, KSHH ka kërkuar që organet e drejtësisë të zbatojnë ligjin me korrektësi, duke shtuar se, shpreson se veprave penale, që i atribuohen personit të ndaluar, do të hetohen me objektivitet dhe paanësi dhe duke respektuar të drejtat procedurale të personit nën akuzë, brenda një afati sa më të shpejtë.











