Ksenofob ‘maskara’ apo kozmopolit arrogant?

Jul 22, 2011 | 10:45

ALFRED ÇAKO

Ata që derdhin lot krokodili, këta janë me deficiencë kongelitale identiteti, të pashpresë për t’u shëruar, por shoqëria i pranon. Këta që na thonë ne, në mesazhin më të shkëlqyer që kemi, se po shkruam fenë, këta janë ateistë që kanë frikë Zotin. Pse ata s’kanë Zot, të tjerët nuk kanë pse ndryhen për fenë e tyre dhe të të afërmve. Nuk mundet që ateistë që kanë tmerr zotin të diktojnë shqiptarët”. Këto fjalë plot mllef i ka thënë dje kryeministri ynë, duke sulmuar të gjithë ata që kanë qenë skeptikë, kryesisht ndaj regjistrimit etnik dhe më pak atij fetar. Doktori me këto fjalë pa dashur ka theksuar se të gjithë ne që kundërshtojmë nismën e tij (madje unë e kam kundërshtuar këtë nismë shumë më parë se sa ekipi kuq e zi ta kthente atë në një kauzë politike) jemi ateista(!) dhe se ateistët nuk mund të jenë nacionalista(!). Duke qenë, siç e thashë, një ndër të parët që bëja pjesë te ksenofobët e procesit “Pollo” (vetëm në lidhje me rubrikën e vetëdeklarimit të etnisë), mendoja të hidhja disa rreshta edhe një herë mbi këtë çështje delikate, jo me qëllim për t’i hedhur benzinë zjarrit, por për t’i thënë Doktorit të jetë më i arsyetuar e indulgjent me ne ‘mëkatarët’ ksenofobë të censusit. Gjithsesi, kam shumë droje se mos, paskëtaj, trioja Berisha-Topalli-Pollo & kukullat e tyre do na vërsulen përsëri me sokëllima e pështyma, duke na etiketuar edhe me ndonjë cilësor më të rëndë se fjala ateist. Kjo çështje delikate e nënvleftësuar dhe e marrë si një sfidë e lehtë nga Doktori, mund ta rrezikojë seriozisht jo vetëm të ardhmen, por edhe të sotmen e qeverisë së tij në këto momente delikate ekonomiko-politike; unë e dua qeverinë, sepse nuk jam anarkist; kësisoj, unë e dua edhe stabilitetin e qeverisë së tij. Do dëshiroja t’i thosha kryeministrit tonë të nderuar të jetë, së paku, më i përmbajtur, se ‘asqeri’ i tij që mban ngjitur në Kuvend të përpiqet t’i sqarojë njerëzit me qetësi e jo të rrëmbejë patërshanën e kozmopolitit e modernistit servil europian. Loja e fjalëve me armiq ateista dhe ashpërsia e Kryeministrit, Kryeparlamentares e dy ciceroneve të saj, të zellshme më tepër se sa duhet, të cilat me sjellje të shëmtuara në KLD kundër Presidentit Topi (i cili duket se me Lëvizjen Kuq e Zi ka mundësi të kërcënojë një pjesë të elektoratit nacionalist të PD dhe spektrit të djathtë), treguan se demokratëve u qenka prishur pak gjumi nga nisma politike e kuq e zinjve, por ky fakt i shfrytëzimit dhe konvertimit të një nisme parimore dhe ekzistenciale në vota për njërën apo tjetrën forcë, mua, dhe besoj shumicës së lexuesve, nuk na interesojnë shumë. Sipas kësaj logjike, ne që s’po hamë kumbulla të kuqe, të zeza apo të blunjta(!) s’ka se përse të na mpihen dhëmbët për shigjetat njëdrejtimëshe të konkurrencës që lëshon Doktori ose znj.Topalli; ne të tjerët që nuk e shohim këtë çështje në spektrin e përfitimit politik individual apo në grup, ndoshta mund të jemi më gjakftohtë dhe përpiqemi ta shohim më me realizëm situatën nga e cila s’mëtojmë ndonjë përfitim të drejtpërdrejtë individual politik. Ndoshta patosi duhet ndalur dhe duhet biseduar më shkoqitur në nivel teknikash dhe sipas atyre standardeve ndërkombëtare që na interesojnë edhe ne si shtet e si entitet shqiptar e jo sipas ndonjë modeli të rrallë, që na varros me dredhi e pa të drejtë. Ndonjëherë është e vërtetë ajo shprehja që theksoi znj. Topalli se ‘nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve’; por po aq e vërtetë është edhe shprehja tjetër se ‘syleshët dhe servilët e ndërkombëtarëve mund ta marrin më qafë një komb të tërë’. Pra, ksenofobia dhe kozmopolitizmi ekstrem janë të dëmshme. Ka nevojë për një sens realizmi. Fakti se z.Berisha është identifikuar deri më sot si një nacionalist i fshehtë, sidomos në Kosovë, duket se po tronditet nga ngacmimi që po i vjen metodikës së përdorur prej delfinit të tij ‘Pollo’. Në fakt, z.Berisha ka pasur gjatë njëzet vjetëve dy standarte sjelljeje në raport me çështje të nxehta kombëtare në varësi të pozicionit të tij – në pushtet ose opozitë. Sa herë që ka qenë në pushtet, ai është paraqitur si kozmopolit dhe anasjelltas. Kështu po vepron edhe sot. Por, ndërsa gjatë periudhës 1992-1996 ai ka goditur të gjitha bërthamat nacionaliste me bazë Shqipërinë për të ushtruar veprimtari irredentiste në Kosovë ose Maqedoni, sot ai po vihet në një provë atdhetarie në lidhje me dy rubrikat e censusit: atë mbi religjionin dhe mbi etninë. Z.Berisha po paraqitet shumë i sigurt në veprimin dhe sfidën e tij me kombin. Ndoshta z.Berisha mendon se ky moment i regjistrimit (kur Greqia është në një situatë krize) është momenti më i përshtatshëm për këtë model provokativ censusi për palën tjetër. Nuk besojmë se z.Berisha nuk e kupton rrezikun nga regjistrimi etnik. Ndoshta ai synon të trukojë rezultatin në lidhje me vetëdeklarimin mbi etninë nga një grup i gjerë shtetasish të etnisë shqiptare, të frikësuar nga presioni i qeverisë greke ndaj statusit të tij të emigrantit apo pensionistit në Greqi. Ndërsa z.Berisha na ‘mbushi mendjen’ në disa raste, para disa viteve, se nuk kishte asnjë të keqe ndërsa ai e lejonte shtetin grek dhe veprimet barbare të disa krerëve të kishës ortodokse të Janullatosit për të mbushur me kokalla shqiptarësh ‘varret’ e ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri në luftën me ushtritë e Duçes për çlirimin e ‘Vorio Epirit’ më 1940, po kështu po vepron edhe sot në realizim të premtimit ndaj disa greko-amerikanëve, me në krye Niko Gaxojanin. Ne kundërshtarët e regjistrimit ‘etnik’ nuk jemi antigrekë, përkundrazi, ne nuk mund të harrojmë kurrë ndihmën ekonomike që na dha Greqia për 15-20 vjet, duke pranuar e punësuar qindra- mijëra refugjatë ekonomikë shqiptarë. Por kjo ndihmë, në histori ka qenë e anasjelltë midis këtyre dy popujve fqinjë. Tashmë këto probleme janë ezauruar shumë herë nga shumë debatues të interesuar në media apo faqe elektronike dhe unë s’kam përse të zgjatem e se çfarë të sjell ndonjë risi. Sidoqoftë, çfarëdo që mendon z.Berisha, ai ndoshta synon t’i lajë hesapet njëherë e mirë me grekët dhe ata ndërkombëtarë që e grishin atë të ecë në këtë rrugë, nëpërmjet një sfide të kotë e të rrezikshme që mund t’i hapë atij edhe kombit një qerthull me probleme dhe që mund t’u shtojë shumë shpejt orekset nacionaliste vorio-epirote grekëve. Në këtë sfidë, z.Berisha do të ketë kundër edhe partinë e çamëve, ndihma e dy votave të të cilëve në ndonjë moment krucial, mund të rezultonte si uji në shkretëtirë për Doktorin, qoftë edhe për të frenuar orekset e mëdha të I.Metës për pushtet. Nuk e dimë se si do të reagojë në këtë rast miku i madh i Papandreut, z.Rama. Gjithsesi, nëse është kaq e thjeshtë sa ç’duket si për të plotësuar një standard modern evropian, të cilin vetë grekët s’e kanë plotësuar dhe s’kanë ndërmend ta plotësojnë kurrë, kjo do të ishte gjysma e së keqes; por ndërkombëtarët nuk i tregojnë të gjitha kartat e fundin e rrugëtimit(!). Të gjithë përdoren vetëm për një segment udhëtimi. Ndoshta rajoni lipset të jetë një fushë me prush, sipër të cilit synohet të hidhet pak hi… Në kuadër të disa ndryshimeve që mund të ndodhin së afërmi në rajon, Greqia mund të jetë në tërheqje territoriale shtetërore prej trysnisë së gjithanshme nga Thraka dhe nga disa zona ishullore në Egje (madje thuhet se Turqia ka negociuar prej disa vitesh me ca kompani nga “shtatë motrat e Teksasit” për të përfituar 10% dividend nga shfrytëzimi i naftës në Egje dhe Thrakë). Kriza e vërtetë e gjithanshme greke me llogarinë qindramiliardëshe të sigurimeve shoqërore të zbrazura, ende nuk ka filluar dhe ajo është në horizont. Në këtë moment mund të fillojë ngacmimi ekspansionist turk drejt Egjeut ku ka naftë, si dhe drejt zgjerimit të bazës së sigurisë territoriale të Turqisë në Thrakë, deri në Aleksandropullos dhe Kavallë. Po të shihet edhe harta e BE në kartëmonedhat euro, duket se deri ku shkon Turqia europiane në Azi. Pjesa turke me kryeqytet Stambollin mund të zgjerohet nga perëndimi i kufirit me Greqinë dhe, së bashku me një rrip toke në lindje të Marmarasë, siç paraqitet në hartë, do të hyjë në Europë dhe zonën e euros. Ndoshta rajoni më pas do të shkojë drejt një “Dejtoni” ballkanik, ku ‘zaret’ do të hidhen për ndarjen e Fyrom-it midis Shqipërisë (ose Kosovës) e Bullgarisë (pas krizës greko-turke mund të ketë një krizë të brendshme e të gjithanshme në FYROM, më të shkurtër por më intensive se ajo e vitit 2001); pas kësaj do të njihet në ‘Dejtonin’ ballkanik nga të gjitha shtetet ballkanike Shqipëria Etnike (apo e ‘Madhe’, të cilën tashmë e kanë pranuar indirekt armiqtë tanë më të hidhur si Presidenti Tadiç dhe autoritetet më të larta serbe, kur thonë se ‘duhet negociuar për Kosovën me Tiranën dhe jo me Prishtinën’); do shikohen çështjet e bashkimit të Republika Srpska me Serbinë e do të diskutohen e vendosen çështjet e Bosnjës, Kroacisë, Mitrovicës së Veriut dhe luginës së Preshevës. Greqia duket se pret tortën e Berishës mbi regjistrimin etnik që të prevalojë më tej me njohjen e Kosovës dhe pranimin e ‘Shqipërisë së Madhe’ (nënkupto Shqipërisë natyrale). Pra, një paraqitje e fryrë e jo reale e etnisë greke në të ashtuquajturin Vorioepir (Shqipëria e Jugut apo poshtë vijës veriore të territorit sipas Deklaratës së Korfuzit më 1913, Llogara-Salari-Qafë e Kicokut- Ura e Maliqit mbi Devoll), ndoshta mund të jetë preludi i një kompensimi grek në veriperëndim të vijës së sotme të kufirit me Shqipërinë, e shoqëruar ndoshta së bashku me ofertën për rizhvendosjen e popullsisë çame kryesisht drejt territoreve në jugperëndim të Thesprotisë, midis lumenjve Kalamas dhe Akeron. Ne nuk e dimë nëse z.Berisha i kupton apo jo rreziqet nga një skenar i tillë. Ndoshta ai i di dhe po ndihmon si një kozmopolit në realizimin e tij, me shpresën se shqiptarët më tepër fitojnë sesa humbasin nga një skemë e tillë. Por shqiptarët janë gjymtuar vazhdimisht territorialisht gjatë më shumë se një shekulli dhe një gjymtim tjetër i tillë me palcën e kombit do të ishte një thikë e tepërt mbrapa shpinës së tij. Është e vërtetë se edhe pala tjetër kuq e zi me seli te Presidenca mund të përpiqet ta shfrytëzojë këtë moment politikisht; Ndoshta kuq e zinjtë janë më pragmatista (!) dhe nuk i kuptojnë problemet kështu si i paraqita unë më sipër; ndoshta ata ndiejnë një rrezik real nga Greqia, e cila në të ardhmen do ta shfrytëzojë numrin fiktiv të rritur nga paaftësia dhe zemërgjerësia e veprimeve të qeverisë sonë si në rastin e varreve, të ujërave territorialë etj. Por sido që të jetë, ky është një debat ku qeveria nuk mund të hyjë vetëm me marshet që të lëvizin para sipas ‘vijës Pollo’, ajo lipset të ketë edhe indietro e të jetë më e butë në etiketime që janë të ndjeshme për palët e tjera (kundër nismës së saj ka shumë shqiptarë të tjerë nga të gjitha territoret dhe kudo që jetojnë shqiptarët). Çështje të tilla janë të ndjeshme e mund ta përçajnë kombin. Nuk e dimë nëse edhe kuqezinjtë e kanë apo jo ndonjë patericë ndërkombëtare në matricën e interesave të tyre në rajon. Në një rast të tillë, nëse nuk ka llogore tjetër bosh pos atyre të ksenofobit dhe kozmopolitit, unë për vete do të preferoja të shpëtoja nën strehën e ksenofobit dhe ‘nacionalistit maskara’, sesa në llogoren e qeveritarit kozmopolit e arrogant.

© Panorama.al

Te lidhura