
Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhjen urgjente, të ftuar nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, I cili është edhe kryesuesi I këtij Këshilli.
Sipas të përditshmes “Express”, mbledhja e sotme adresoi situatën politike dhe të sigurisë në vend, duke analizuar në hollësi “veprimet e fundit legjitime të Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e masave të reciprocitetit kundër Serbisë në pikat kufitare veriore dhe vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”.
Mësohet se Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka aprovuar rekomandimet e mëposhtme për agjencitë shtetërore të sigurisë të Republikës së Kosovës:
Këshilli i Sigurisë së Kosovës konsideron se veprimet e agjencive shtetërore të sigurisë së Republikës së Kosovës në veri të vendit, për sigurimin e zbatimit të masave reciproke tregtare me Serbinë, si dhe vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit në atë pjesë të territorit të Kosovës, janë plotësisht legjitime dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi;
Këshilli i Sigurisë së Kosovës kërkon nga të gjitha agjencitë e sigurisë së Republikës së Kosovës që të koordinojnë aktivitetet e tyre shumë ngushtë për të siguruar zbatimin e plotë të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës;
Këshilli i Sigurisë së Kosovës rekomandon që agjencitë shtetërore të sigurisë së Kosovës po ashtu të koordinojnë veprimet e tyre me mekanizmat ndërkombëtarë, që janë prezentë në Kosovë dhe që kanë kompetenca në fushën e sundimit të ligjit. Ky koordinim duhet të bëhet gjithmonë vetëm në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës;
Këshilli i Sigurisë së Kosovës kërkon nga agjencitë shtetërore të sigurisë së Kosovës që ta mbajnë në shkallën më të lartë nivelin e gatishmërisë për çdo nevojë të ndërhyrjes me të gjitha mjetet në dispozicion në rast të cenimit të sovranitetit shtetëror dhe rendit të brendshëm kushtetues të Republikës së Kosovës;
Këshilli i Sigurisë së Kosovës kërkon nga të gjitha agjencitë shtetërore dhe nga ministritë relevante të Qeverisë së Republikës së Kosovës që të koordinohen dhe të ndërmarrin veprimet e domosdoshme që t’iu dalin në ndihmë qytetarëve që jetojnë në veri të vendit. Kjo ndihmë duhet të jetë e përqendruar në sigurimin e nevojave për ushqim dhe medikamente mjekësore, me qëllim të evitimit të çfarëdo krize humanitare atje;
Agjencitë Shtetërore të sigurisë së Kosovës duhet të koordinojnë veprimet e tyre me mekanizmat relevantë ndërkombëtarë për të zhbllokuar rrugët dhe për të siguruar lëvizjen e lirë për qytetarë dhe mallra. Përderisa nuk bëhen plotësisht të lira për qarkullim rrugët e bllokuara, duhet të hapen korridore të reja që mundësojnë furnizimin e qytetarëve më artikuj elementarë;
Këshilli i Sigurisë së Kosovës garanton qytetarët e Republikës së Kosovës se do t’i kryejë të gjitha obligimet e veta kushtetuese dhe njëkohësisht fton qytetarët që të bashkëpunojnë ngushtë dhe të kenë besim të plotë në agjencitë shtetërore të sigurisë për vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
© Panorama.al











