Kryqëzimi i Artan Hoxhës

Jul 2, 2012 | 12:48

LUÇIANO BOÇI

Absurdi momental që prodhon loja e fjalëve të pranëvendosura jo rastësisht, rrëzohet menjëherë sapo hyn në dinamikën e një procesi, i cili nën sforcon e ruajtjes së kornizës ligjore, na dhuroi mënyra sjelljeje dhe reagime, të cilat pasqyrojnë saktë mentalitetet arkaike të një pjese të politikës shqiptare, sikurse parashtroi para saj nevojën e kristalizimit si domosdoshmëri të qëndrimeve dhe formulimeve të reja.
Pas topitjes së parë dhe larg emocioneve presidenciale, tashmë të kaluara, mendoj se pothuajse të gjithë, pyetjes së parashtruar në formë pohuese si titull, “A u kryqëzua Artan Hoxha?!”, do t’i përgjigjeshin jo pa keqardhje, por pa hezitim se PO. Dhe një sentiment i tillë përforcohet dhe më shumë pas leximit të rrëfimit jetësor të tij. Por këtu nuk bëhet fjalë thjesht për të mbrojtur personin, pasi më mirë se e realizoi ai vetë në rrëfimin autobiografik, askush nuk mund ta bënte, por për të shpalosur fenomenin, tashmë të bërë modë të keqpërdorimit të së kaluarës, e cila sado që në kohë largohet nga ne, në intensitet të shtuar, vazhdon të kushtëzojë dhe të mbajë peng shumë sjellje dhe reagime politike të ditës.
Thënë ndryshe, çështja rishtrohet në formën e saj klasike: A duhet të hapen dosjet e sigurimit? Ose në formën më moderne: A duhet të kemi një ligj të lustracionit?
Dhe këtu ka disa qëllime: që shqiptarët të mos jenë më peng i ndodhive, episodeve apo historive të së shkuarës, që në politikë dhe administratën e lartë shtetërore të mos vegjetojnë individë që me vullnet e dëshirë të plotë kanë kryer krime politike, që çdo individ të njihet më të thënat për të prapa kurrizit dhe të njohë shkallën e implikimit personal në historira rastësore ose të parapërgatitura, që akuzat të mos jenë as hipotetike, as të sajuara dhe as me qëllime të mbrapshta, që të gjithë të mos ndihemi fajtorë dhe që të gjithë të mos shihen si viktima, që ish-spiuni i famshëm të mos bërtasë më fort se të tjerët “kapeni spiunin”, që………….
Ka aq shumë qëllime, sa gati të duket krejt i palogjikshëm fakti që një gjë e tillë ende nuk është bërë dhe që ende vazhdohet të pengohet dhe të bllokohet dhe, aq më keq akoma, vazhdon të keqpërdoret në format më banale, për të rrëzuar statura, për të njollosur figura, për të baltosur njerëz, për të nxirë dhe futur në botën e ankthit dhe makthit dhe një herë si dikur familje e fise të tëra.
Tmerri i vërtetë vjen më pas, kur mëson se e gjithë kjo atmosferë e zymtë krijohet dhe përdoret nga ata që drejtpërdrejt janë kontribuuesit më të pamohueshëm të ideimit dhe realizimit të gjenocidit më ekzemplar komunist.
Frenimi i lustracionit nga përfaqësuesit e së majtës radikale, që aktualisht dominon spektrin e majtë, krijon lehtësisht kështu kënetën politike, ku zotëruesi i informacionit, që zakonisht përputhet me aplikuesin e aktit në kohën e dikurshme, bëhet dominant dhe noton më qetësisht në llucën që çdo ditë e më shumë e nxin, duke stimuluar njerëz të lidhur në një mënyrë apo tjetër me të kaluarën dhe duke larguar po sipas së kaluarës, individë që i japin shoqërisë dhe pretendohen të jenë kontribuues të jashtëzakonshëm publikë.
Dhe qasja e së majtës ndaj kësaj kërkese të vazhdueshme, sidomos të shtresës që pësoi dhe persekucionin makabër, për “hapjen e dosjeve”, duket të jetë, jo pa shkak, nga ato fenomene që konsiderohen pak si “alla shqiptare”, pasi në një vështrim të shpejtë të botës ish-komuniste vërehet qartë se politika dhe shoqëria e këtyre vendeve kanë bërë dhe realizuar, në mos një “Nuremberg” të komunizmit, të paktën një lloj divorci domethënës, megjithëse asnjëherë të plotë me komunizmin alias me të kaluarën e errët, duke e zhvlerësuar kësisoj disi suksesshëm rolin e saj në projektimin e së ardhmes.
Më radikalë në këtë drejtim u treguan ish-Gjermania Lindore dhe Rumania, ku në këtë të fundit dihet që pati dënime e ekzekutime ekzemplare. Që në 1991-shin, në ish-RDGJ u pranua ligjërisht aksesi në arkivat e STAS-it dhe iu hap rrugë verifikimeve. Në sajë të një buxheti dhe aparati të veçantë, dosjet e më shumë se 10% të popullsisë u verifikuan nga komisioni i pastorit Gauck. Mijëra persona humbën punën, ndërkohë që gjithsecili rezervon të drejtën të shohë dosjen e tij personale.
Në Hungari, ligji i lustracionit i së cilës konsiderohet si më i moderuari, u adoptua në 1994-n. Kërkimet u dirigjuan nga tre gjyqtarë të emëruar nga Parlamenti dhe u përqendruan në 10000 deri në 12000 persona. Komisioni nuk i bëri publike rezultatet e tij dhe vepronte vetëm në ato raste kur të implikuarit refuzonin të dorëhiqeshin. Rasti klasik është ai i Gyula Horn, i cili nuk pranonte të dorëhiqej në vjeshtën e vitit 1997 nga pozicioni i tij. Po në 1997-n, në Hungari krijohet Zyra Historike, që ka për detyrë konsultimin e dosjeve të së kaluarës komuniste. Gjykata Kushtetuese hungareze afirmoi principin, sipas të cilit çdo qytetar gëzonte të drejtën të njihej me informacionet e akumuluara nga shteti ndaj tij. Çekët dhe bullgarët hapën gjithashtu dosjet e Policisë sekrete për qytetarët e tyre. Në 1998-n, Polonia votoi një ligj për krijimin e Institutit të Kujtesës Kombëtare, ku duhet të grumbulloheshin të gjitha dokumentet që kishin të bënin me dëshmimin e “krimeve të ndërmarra ndaj kombit polak” që nga 1939-ta. Çdo person që kishte pësuar vuajtje e dënime, gëzonte akses në dosjet personale (ky ligj është i ngjashëm me ligjin tonë, i cili u aprovua vetëm në 2010-n, pas refuzimit të të majtëve dhe dërgimit të tij në Gjykatë Kushtetuese pas mosdekretimit nga presidenti Topi).
Në dokumentet e aksesueshëm- në dallim me atë që u praktikua në Republikën Çeke, në Hungari dhe në Bullgari-emrat e agjentëve dhe të funksionarëve të Policisë sekrete duhet të zbuloheshin. Ligji i lustracionit, i cili u aprovua nga Parlamenti lituanian në 1998-n, ndalonte bashkëpunëtorët e vjetër të shërbimeve speciale të BRSS të punonin në administratë, por gjithashtu në centrale elektrike, kompani ajrore, hekurudha, gjykata dhe në institucione mësimdhënëse.
Parlamenti bullgar adoptoi në tetor 1998, në sajë të Ligës së Forcave Demokratike dhe Bashkimit Popullor, një ligj lustracioni, sipas të cilit funksionarët e lartë të ish-partisë komuniste dhe agjentët e shërbimit të fshehtë nuk mund të merrnin poste në administratën shtetërore për 5 vite, megjithëse ky u hodh poshtë, siç ndodhi tek ne më vonë, nga Gjykata Kushtetuese.
Ligje pak a shumë të ngjashme u miratuan pothuaj në të gjithë vendet e Lindjes, synimi i të cilave ishte jo vetëm dënimi i komunizmit, por dhe çrrënjosja e tij, ende e parealizuar.
Mjafton kjo panoramë për të ballafaquar pengesën e vazhdueshme të ndërtuar me kujdes nga e majta shqiptare, e cila për nga fanatizmi revolucionar mbetet për t’u pasur zili nga simotrat e saj.
Fenomeni “Hoxha” risolli dhe një herë në mesin tonë pasojën, por dhe revoltën për rrëzimin e një qëndrimi të tillë në një realitet politik ironik, ku persekutorët e dikurshëm vazhdojnë të persekutojnë, kësaj radhe në rolin e atij që me demek zotëron të vërtetën, kur kjo nuk është aspak e përputhshme me atë që realisht ekziston.
Gjimnazisti Hoxha përshkoi rastësisht tangjencialisht një episod të zakonshëm të kohës, ku presioni, dhuna, dënimi ishin ritmi i ditës, pa ditur se një ditë ato që i mohuan, pa dijeninë e tij, shkollimin, do t’i mohonin kësaj radhe, me dijeninë e tij, kontributin publik, duke i tundur nën hundë jo veprën e tij profanike, pasi ai thjesht kishte bërë rezistencën, por veprën e tyre perverse, për të cilën duket se ende janë krenarë.
Hoxha pranoi kryqëzimin e kërkuar nga farisenjtë e majtë dhe duket qartë se e bëri për hir të një misioni që lidhet me të vërtetën dhe “lapangjozët e së vërtetës”. Qëndrimi ndaj saj (të vërtetës) përcakton dhe moralin e një shoqërie dhe fillimi i qëndrimit ndaj saj nis kur ajo zbulohet në përcaktimet e munguara të xhelatit dhe viktimës, të fajtorit dhe të pafajshmit, të engjëllit dhe djallit.
Në këtë rast zbulesën nuk duhet ta presim nga Zoti, por duhet ta ndërtojmë si detyrim absolut. Dhe këtu, roli i shoqërisë civile mbetet dhe duhet të jetë përcaktues, duke tejkaluar në këtë rast dhe politikën, e cila për shumë arsye të thëna e të pathëna është ende e çinteresuar në pjesën e saj neutrale, bllokuese në pjesën e saj radikale të majtë dhe luftarake në pjesën e saj të djathtë.
Para se të kërkohen referendume për çështje të ndryshme, të duhura ose jo, shoqëria me kohë duhet të kishte drejtuar kërkesën e saj për një referendum për hapjen e atyre “ku fle e keqja e këtij kombi”, e dosjeve, pasi shëndeti ynë mendor duhet domosdoshmërisht, pikë së pari, të pastrohet nga “plehrat” e vjetra të së kaluarës. Vonë nuk është. Ajo mund të veprojë dhe tani.

© Panorama.al

Te lidhura