
U shfaq në Festivalin e Durrësit filmi i regjisorit kosovar.
“Kodi i jetës”, një film mbi luftën në Kosovë dhe thirrje për të mos harruar historinë.
“Bota nuk para e honeps atë dhimbje, por unë filmin e kam bërë për shqiptarët, jo për botën”, kështu u shpreh dje regjisori kosovar Ekrem Kryeziu, filmi i të cilit, “Kodi i jetës”, është pjesë e edicionit të pestë të Festivalit të Filmit në Durrës. Pas një pritjeje të ngrohtë që spektatori i festivalit i bëri filmit të Kryeziut, dje në ambientet e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”, regjisori iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve. Pyetjes se si ka lindur filmi i tij, i cili i kushtohet luftës së Kosovës, regjisori iu përgjigj: “Është një histori e vërtetë, ajo e nxjerrjes nga dheu të një vajze të plagosur, që më nxiti për të shkruar skenarin, të cilin e shkrova dhe e rishkrova disa herë, deri në variantin përfundimtar, që patë në film. Por sigurisht që unë kam edhe përjetimet e mia personale nga ai eksod, ku për 15 minuta serbët na kërkonin të dilnim nga shtëpia dhe ta braktisnim. Unë bashkë me familjen time, tre djemtë, mbesat, kemi ikur, ndërsa një prej djemve të mi nuk e di se si ka shpëtuar nga pushkatimi”, tregon Kryeziu, i cili nuk e ka të thjeshtë të rikujtojë ato kohë tmerri. Nuk i mban dot lotët, ndërsa vë gishtin mbi institucionet shtetërore, që sipas tij duket se duan t’i harrojnë ngjarjet e Kosovës. “Por populli nuk harron. Bota nuk para e honeps atë dhimbje, por unë filmin e kam bërë për shqiptarët, jo për botën. Që pas pushtimit otoman, gjithë drejtuesit kanë gjetur mënyra nga më të ndryshmet ta shtypin Kosovën. Ne kemi qenë viktima të një gjenocidi shtetëror që ka vijuar. Në asnjë sekondë unë nuk denoncoj popullin serb, por akuzoj platformat shtetërore. Nuk e ka fajin populli për këtë katastrofë, ku e ka çuar shteti. Këtë kam dashur t’i them botës gjithashtu përmes këtij filmi”, u shpreh Kryeziu, duke i mëshuar idesë së mbrojtjes së kujtesës. “Derisa të ekzistojë bota, Kosova do ta ketë Serbinë fqinje dhe ne nuk mund ta fshijmë atë, por asnjë sekondë nuk duhet të mbyllim sytë para asaj që ka ndodhur në Kosovë, dhe ka ndodhur pikërisht falë atyre që kanë dashur të na zhdukin. Kjo ishte një histori, që në një farë mënyre më ka detyruar mua ta ndërtoj fabulën e filmit dhe ta shikoj dhembjen tonë përmes prizmit individual të një familjeje myslimane dhe një familjeje katolike. Populli që i harron ato çfarë ka përjetuar, atij i përsëritet historia për të keq”, u shpreh regjisori, teksa shprehu zhgënjimin e tij për mungesën e ambasadorit kosovar në Tiranë, në premierën e filmit në festival.

Filmi “Kodi i jetës” i vendos ngjarjet në kohën e dhembjes së popullit të Kosovës, gjatë luftës së fundit 1998-1999. Regjisori rrëfen historinë e dhimbshme të Lan Druvarit, të shpëtuarit gjallë nga pushkatimi dhe i Marijes, i cili ikën nga kamioni me kufoma ku, pasi e kishin dhunuar dhe rrahur për vdekje, e kishin hedhur edhe atë, duke e menduar të vdekur. Në ikje e sipër, Marija gjen një foshnjë të gjallë pranë nënës së vrarë. Lani, Marija dhe foshnja, në kërkim të familjarëve të humbur, ballafaqohen me tmerre pa fund. Pjesë e këtij “trekëndëshi” është edhe njësiti i vogël i UÇK-së që udhëhiqet nga Vetima, djali i Lanit. Odiseja e treshes Lani, Marija dhe Vetima është përplot ngjarje të dhimbshme, por edhe çaste ndjeshmërie dhe bukurie. Këto rrjedha shumë herë kryqëzohen ndërmjet tyre, derisa arrihet katarsisi, ku fiton njerëzorja.
Video-konferenca
Sot në orën 21:00, regjisori Milos Forman, fitues i çmimit “Oskar”, do të jetë pjesë e Festivalit të Durrësit përmes një video-konference. Në pamundësi për të qenë i pranishëm në Durrës, ai do t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve, kineastëve dhe studentëve shqiptarë, përmes një lidhjeje virtuale. Forman është regjisor i filmave të mëdhenj si “Dikush fluturoi mbi folenë e qyqes”, “Hair”, “Amadeus” etj. Sot, në natën e fundit të festivalit, ai do të nderohet me çmimin “Gladiatori i artë” për karrierën.
Një film mbi romanin e Elvira Dones
Kontakti i parë me burrneshat për Laura Bispurin ka qenë libri i shkrimtares shqiptare Elvira Dones, “Sworn Virgins” (“Virgjëreshat e betuara”), i cili i zgjoi kureshtjen për t’u njohur më nga afër me këtë fenomen shqiptar. Siç thotë vetë regjisorja italiane, të huajt shfaqin mjaft interes, ndoshta shumë më tepër se vetë shqiptarët për t’u njohur nga afër me këto femra që kanë hequr dorë në mënyrë vullnetare nga seksualiteti dhe sensualiteti femëror për t’u shndërruar në meshkuj. “Ishte kjo nxitja e parë që më dha ky fenomen tipik shqiptar e që më shtyu të realizoj një projekt të ri kinematografik. Kam biseduar me shkrimtaren Elvira Dones për të përshtatur librin e saj në një skenar për filmin dhe tashmë jemi në fazën përfundimtare të punës paraprake”, thotë Laura. Gjithashtu regjisorja italiane rrëfen se xhirimet do të realizohen në Shqipëri dhe Itali. Në fund të këtij viti mendohet të nisin xhirimet që do të pozicionohen në bjeshkët e Valbonës, vendi ku ka lindur dhe është rritur virgjëresha e Dones dhe në Milano, Itali. Sa i përket kastit të aktorëve, sipas Bispurit tashmë ajo është në tratativa me një aktore mjaft të njohur italiane, që pritet të interpretojë personazhin kryesor, ndërsa pjesa tjetër do të jenë shqiptarë dhe kosovarë.
DURRES/ LENODHA MUSAJ
© Panorama.al











