Kryesia e PD dhe mungesa e “Azemit”

Aug 2, 2011 | 10:54

ALFRED CAKO

Para disa ditësh ndoqëm një eveniment të historisë së Partisë Demokratike: zgjedhjen e Kryesisë së re të saj prej 25 anëtarësh. Këta u përzgjodhën nga një “votim” ndër 40 kandidatë të paracaktuar indirekt nga kryetari i saj, z. Berisha. Sidoqoftë, ky do të jetë formalisht ekipi politik që mund të jetë përcaktues në drejtimin e jetës politikoekonomike të vendit, ndoshta deri në pranverë të 2013-s, nëse mandati i PD-së do të shkonte normalisht dhe s’do të kishte ndonjë të papritur të pakëndshme (vetëm nëse bashkohet PS me Kuq e Zinjtë kundër “formularit të regjistrimit” etnik e fetar dhe në kauzën rozë pro ndryshimeve në Kushtetutë, maxhoranca mund të kalojë ndonjë tallaz të egër në vjeshtë të këtij viti). Natyrisht që të gjithë e dimë se termi ekip përcaktues ka lidhje me vendimet formale që mund dhe duhet të marrë në ndonjë moment krucial kjo kryesi, pasi thelbësori që vazhdon të përcaktojë orientimin e lëvizjes, natyrisht që është kryetari i saj, z. Berisha. Sidoqoftë, edhe pse shumica e anëtarëve të Kryesisë që kanë qenë historikisht në PD, aty duket se vazhdimisht ka një baticë-zbaticë të një nukli themeluesish ishpedagogë. Por, z. Berisha, dora-dorës duket se e uzurpoi pjesën e “aksioneve” të grupit të pedagogëve themelues për t’i rrëmbyer pastaj gjysmat e “aksioneve” të kartelit blu të mbajtura nga studentët në establishmentin politik madhështor që doli nga Lëvizja e Dhjetorit. Sot duket se kjo kompani-parti ka një pronar kryesor dhe disa aksionerë të vegjël që i lëshojnë vendin njëri-tjetrit sipas trilleve të Doktorit (ish-pedagogët themelues). Gjithë të tjerët që hyjnë e dalin nuk janë gjë tjetër veçse disa “administratorë” të vegjël momentalë të kësaj ngrehine politiko-ekonomike të drejtuar me një gjenialitet demoniak prej Doktorit. Në librin filozofik-politik-artistik “Dialog në ferr- Makiaveli kundër Monteskiesë” të autorit M. Joly, “Makiaveli” thotë se edhe në sistemin parlamentarist të tubave dhe pistonave të “Monteskiesë”, princi i tij despot (kur kombet janë më të zhvilluara – plutokratët), mund t’i kapë dhe t’i përdorë institucionet e shtetit si koperturë demokratike; për këtë duhet një levë që quhet parti. Duke marrë frenat e shtetit nëpërmjet maxhorancës parlamentare, partia-kompani menaxhon gjithë pasuritë kombëtare mbi e nëntokësore natyrore; realizon politikat fiskale e doganore si dhe menaxhon shpërndarjen e shpenzimeve të buxhetit; ruan rendin në fuqi dhe sigurinë e brendshme publike; gjithashtu, partia harton dhe realizon politikën e jashtme. Për të gjitha këto arsye ne kemi të drejtë të flasim për Kryesinë e re të PD. * * * Nëse do të shihnim pak mbrapa për ndonjë paralele historike brenda kësaj partie, natyrisht që nuk mund të mos meditonim për Kryesinë e saj të parë, e cila u krijua nga 16 veta, të ndarë në 7 studentë, 7 pedagogë dhe 2 përfaqësues të qytetarisë. Atë kohë dukej qartazi një rivalitet për supremaci të Lëvizjes së Dhjetorit nga përfaqësuesit e grupit të dytë, por edhe nga përfaqësuesi kryesor i studentëve – Azem Hajdari. Ndërsa në grupin e dytë vringëllinin armët, kryesisht kampi i të ndjerit G. Pashko kundër kampit të dominuar nga “gegët” (për katapultimin e tyre të rrufeshëm në vitet ‘80-’90 duket se ishte interesuar vazhdimisht e veja e diktatorit Hoxha), që qëndronin pranë Dr. Sali Berishës. Në grupin e këtij të fundit, haptazi ose fshehurazi qëndronte si nukël një pjesë qytetarësh me të njëjtën origjinë vendlindjeje të tij, si M. Elezi, S. Buçpapaj, B. Mustafaj, Sh. Memia etj. Po kështu, paksa të ndarë, pranë këtyre dhe Azemit qëndronte i kudondodhur si engjëll mbrojtës edhe një ekip i vogël që vinte nga grupet e policisë speciale të diktaturës. Vetë Doktori kishte çarë para në karrierë me një vullnet të egër gjatë regjimit komunist dhe ai kishte dalë shpeshherë edhe jashtë shtetit për periudha të gjata dhe, me miqësitë e kontaktet e veta, kishte arritur të ishte në qendër të vëmendjes politike nga gazetarë që ishin afër shërbimeve sekrete të MI6, si N. Malkolm, në verë-vjeshtën e vitit 1989, së bashku me 2-3 personazhe të tjerë, si G. Pashko e R. Lani. Gjithë ky background, jo edhe aq shumë modest, do ta ndihmonte Doktorin të qëndronte si rrallëkush në “pistën e garës” për të qenë ai udhëheqësi i partisë më madhështore që kishin nxjerrë ndonjëherë shqiptarët. Sidoqoftë, duhet thënë se “gegët” ishin më të organizuar dhe kishin kësisoj për bajrak vetëm z. Berisha. Gjithashtu, një ndihmë jo të vogël z. Berisha e mori për t’u ngritur brenda grupit të tij nga rivali i vet më i fortë i grupit tjetër, A. Hajdari. Azemi ndoshta nuk e njihte atëherë atë që në luftën 30-vjeçare të shekullit XVII u pagëzua si “taktika Rishëlje” ndaj Vatikanit dhe mund të jetë penduar vetmevete, shumë më pas, për gabimet e mëdha që bëri me Doktorin më 1991-shin. Gjithashtu, edhe grupi tjetër me bërthamën Pashko-Ruli-Ceka-Zogaj- Imami u përpoq të fuqizohej me mbështetjen e miqve të rrethit të tyre të brendshëm, të cilët kërkonin t’i kundërviheshin dominimit të PD nga figura autoritare e z. Berisha; por ky grup ishte i përçarë, jo koheziv dhe pa ndonjë figurë dominuese, pasi kishte disa mëtonjës të “fronit” blu – përveç Pashkos, edhe z. Ceka, z. Imami etj. Përveç kësaj, grupi i Doktorit dinte të punonte më mirë natën në terren… Por, ndërsa koracimi, për ta mbrojtur nga rreziqet, i të gjithë grupit të pedagogëve shihej si balonë shpëtimi, fizike e ekonomike, nga ana e sundimtarit të atëhershëm në fuqi, z. Ramiz Alia dhe e disa të “moderuarve” të tjerë pranë tij në PPSH – për shkak të dhjetëra lidhjeve që ata kishin pasur me sistemin komunist gjatë karrierës së tyre dhe për shkak se shiheshin më të pjekur për qeverisje e më të përmbajtur – grupi i studentëve shihej si një grup emocional që mund të ishte lehtësisht i manipulueshëm, me prirje anarshiste, i paparashikueshëm nga influenca e panjohur dhe e errët që mund të ushtronin “imperialistët ndërkombëtarë” mbi ta. Gjithsesi, ajo që vendosi të ardhmen e lidershipit të PD më periudhën 1991-1992 ishte influenca rezultante e prodhuar nga kombinimi i dy vektorëve të forcave: PPSH dhe ndërkombëtarët (si edhe fati prej disa rrethanave të krijuara nga loja e brendshme e vetë strukturave fraxhile të PD). Dhe po nga kombinimi i tre faktorëve të mësipërm (pedagogët e PD+PPSH+ndërkombëtarët influentë), duket se dora-dorës u çaktivizua dhe u dobësua roli influencues i grupit tjetër me 45% të “aksioneve” – studentëve. Kulmi i shpartallimit të tyre duket se u arrit kur përfaqësuesi dhe figura emblematike e lëvizjes antikomuniste, studenti Azem Hajdari, u përjashtua totalisht nga ndikimi i tij në PD (1995) dhe kur ai nuk ishte ftuar në asnjë post ministror në qeveritë “Meksi” (’92-‘97). Para tij ishin vrarë, larguar, kërcënuar ose burgosur studentë të tjerë me peshë si A. Broci, A. Lika, A. Bendo, Sh. Rama etj. Në Kryesinë e sotme, nga grupi i pedagogëve janë në politikën e lartë të maxhorancës, përveç z. Berisha, edhe G. Ruli, A. Imami, G. Pollo dhe në disa nivele më poshtë janë A. Demeti, N. Ceka etj., të cilët kanë ecur nëpër një lakore të historisë së PD ose të ndonjë force tjetër të përkohshme politike, lakore e cila ka qenë zgjedhur prej tyre, por edhe prej trilleve politike të z. Berisha. Sidoqoftë, për hir të së vërtetës, në shumë raste vihet re se trajtimi i kolegëve pedagogë të grupit të tij iniciues, ndër vite nga z. Berisha, ka qenë e ngjashme me një fjalë që thoshte Napoleoni për Fushenë, ministrin e tij të Policisë: “Kur të tradhton Fusheja, do të thotë se e ke merituar tradhtinë”. * * * Në Kryesinë e sotme bie në sy se A. Imami e G. Pollo nuk arritën dot të hynin në listën e fituesve. “Nuk fitoi” miku i z. Topi, kandidati G. Oketa dhe nuk u kandidua z. Mustafaj. Nuk fitoi as i vetmi kandidat “i persekutuar”, ish-ministri E. Alibeaj. Ndërsa z. Imami, kur kishte qenë shef kabineti i z. Berisha në mandatin e parë (2005- 2009), kishte hyrë me vështirësi në Kryesinë e vjetër. Doktori kështu duket se luan vazhdimisht me vartësit e grupit të vet të pedagogëve; ndërsa i hedh me një dorë, i pret me dorën tjetër. Duhet thënë se emrat e A. Imamit, G. Pollos, N. Cekës, P. Zogajt, N. Cekës u rehabilituan e u rifutën në parti apo në koalicionin me nukël PD pas “detantës” së madhe që kreu z. Berisha në fund të vitit 2004, moment krucial ky (kur PD trukoi fytyrën e saj tepër militanteske e të njollosur me ciflat e barutit nga vitet e zjarrta 1997-2001), duke krijuar edhe Komitetin e Orientimit të Politikave (KOP). Po të shihet me kujdes, Kryesia e fundit e PD-së ka disa ndryshime thelbësore nga origjina e vet dhe disa karakteristika: u krijua një balancë gegë-toskë-Shqipëria e Mesme; ka një përzierje sipas origjinës religjioze të anëtarëve të saj (edhe pse kjo mund të mos jetë shumë e saktë pasi ata mund të jenë konvertuar apo të jenë agnostikë ose ateistë, pavarësisht nga origjina e konfesionit të familjes); ka një pjesëmarrje të dukshme të grave si asnjëherë tjetër prej 28% (7 gra në 25 anëtarë kryesie); u rikrijua nukli i “pedagogëve” me dyshen Berisha – “Pashko” (nënkupto Berisha-Ruli & R.Bulkun si dhe shumë nivele të dyta që ky grup koheziv e komandon sot në qeveri); ka një kombinim midis militantëve partiakë, edhe pse jo të orëve të para që kanë ardhur me vite pune në këtë pozicion (J. Gjana, J. Topalli, F. Beja, R. Bode, B. Nishani) dhe të rinjve që vijnë nga fusha e gjatë e gazetarisë partiake (E. Paloka, A. Patozi, S. Olldashi) apo KOP-i (L. Basha, A. Bumçi, E. Halimi, M. Bregu, M. Doda); kanë hyrë disa njerëz nga tarafi personal i z. Berisha dhe znj. Topalli, si K. Kruja, L. Pernaska, A. Sakja (“sindromi” shqiptar klientelist e nepotik i theksuar edhe nga ambasadori danez); bie në sy prezenca e drejtorit inteligjent e të heshtur të ZRPP-së, Arben Qirjako, i cili di të luajë fort në gjysmerrësirë (ndoshta ngjan pak në ngjitjen në PD me metodat e përdorura për t’u ngjitur lart nga bashkëfshatari i tij i afërt në SHBA, George Tenet-i i CIA-s); edhe pse znj. Mesila Doda ka qenë relativisht aktive në Lëvizjen Studentore, ajo ndoshta është e vetmja përfaqësuese politike e një lobimi të madh industrialo-mediatik e me ndikim pranë z. Berisha; me përjashtim të dyshes Berisha&Ruli, një forcë relative reale ndikimi në PD rrezatojnë edhe L. Basha (duket se me përkrahjen edhe të anglo-amerikanëve ky do të jetë suksesori i z. Berisha ), J. Topalli, R. Bode dhe ndoshta edhe S. Olldashi; u larguan disa anëtarë Kryesie të PD që quheshin si të afërt në mendime me ishnënkryetarin e saj, z. Topi, si B. Mustafaj, G. Oketa dhe A. Biberraj. Pas deklaratave të z. Berisha për një vend më lart për kryebashkiakun e ri Basha në Kryesi, duket se ai do të zërë në fillimvitin tjetër vendin e znj. Topalli (e cila mund të shkojë Presidente, ose në vend të z. Bode, i cili në shtator mund të kalojë guvernator i BSH, në vend të z.Fullani). Pa pasur lidhje me largimin e z. Mustafaj nga Kryesia e re, mund të besoj se nuk është ndjerë mirë ndonjë shqiptar ose mik i huaj i shqiptarëve se sa kur ka parë prezencën e gati dy “bashkëfshatarëve” Berisha (Kryeministër) e Mustafaj (ministër i Jashtëm) në OKB, apo në Shtabin Politik të Aleancës së Atlantikut (NATO), pak muaj pasi filloi mandati i parë i qeverisë “Berisha” më 2005-n. Sepse më janë dukur atëbotë shqiptarët dhe udhëheqësit e tyre tepër sharlatanë, qesharakë e që na etiketonin se ne nuk e meritonim të qëndronim në nivelin e kombeve të tjera të civilizuara me një qeveri kaq “familjare” e tribale. * * * Por edhe në këtë Kryesi mungonte “Azemi” (studentët). Pas vrasjes së tij më 1998- n (ashtu si edhe me qëndrimin ndaj përfaqësuesve të spikatur të shtresave të persekutuara antikomuniste apo ish-pronarët që votojnë në shumicë PD), z. Berisha e ka pasur tabu mungesën e trajtimit me dinjitet të këtyre dy grupeve që e ngritën atë dhe mbiemrin Berisha në piedestal dhe i vendosën atij në kokë kurorën e dafinave, të paktën për këto 20 vjet. Z. Berisha është një pragmatist që di ta sundojë partinë e vet dhe nëpërmjet saj shtetin, si rrallëkush. Ai është treguar skeptik e i kujdesshëm me cilindo, me qëllim që frerët e pushtetit t’i mbajë pa u lodhur vetëm në dorën e vet, për të drejtuar koçinë e praruar të pushtetit real ku nuk lejon që të hipin e të zbresin shumë njerëz. Jo, grupi real që qëndron pranë tij është i vogël, profesionist dhe që di të heshtë. Ata vetëm sa ndërrojnë vendet në pupën e koçisë blu, ku atypari s’sheh kollaj fytyra të reja. Si cilido pushtetar i suksesshëm, ai di t’i zgjedhë dhe sundojë bashkëpunëtorët e vet. Në fund të fundit, z. Berisha s’ka përse të bëjë autokritikë e ta vrasë ndërgjegjja nga disa pakënaqësi publike për këtë sjellje që shpeshherë mund të mos ketë qenë plotësisht sipas interesave të publikut të gjerë, përderisa ia ka arritur që me këtë metodë gjysmëdespotike ta sundojë PD dhe shqiptarët, përderisa ai të ketë në dorë frerët e kësaj koçie të zjarrtë. Ndoshta pa aftësinë kombinative dhe stoicizmin sizifian gjatë përdorimit të shenjave të vlerave të matricës së pushtetit prej z. Berisha, vendi mund të ishte më demokratik, por më i keqqeverisur. Grupi i tij politik luan duke mbajtur në optimum ekuilibrin midis përfitimeve personale e shkallës së abuzimit me pushtetin ndaj një mbështetjeje relative e të dyshimtë demokratike. Në këtë lojë të pafund (si loja e errësirës me dritën), ku marrin pjesë interesat e këtij grupi të vogël politik udhëheqës që ka kapur shtetin nga njëra anë dhe interesat e gjera të publikut, nga ana tjetër, përfitimet janë sipas zotësisë; ani pse, në fund të fundit, të dyja palët janë në një anije. Por jo më kot thonë se “çdo popull e meriton qeverinë që ka”.

© Panorama.al

Te lidhura