Kryeprokurorja Rama, analizë për vdekjen e Isa Çopës dhe biznesmenit

Feb 2, 2012 | 12:16
Kryeprokurorja Ina Rama

DURRES – Kryeprokurorja Ina Rama ka zhvilluar dje një mbledhje me vartësit e saj të Durrësit për ngjarjet e ndodhura në këtë rreth vitin e shkuar. Analiza e vitit 2011 është zhvilluar me dyer të mbyllura, kjo për shkak se gjatë saj janë diskutuar çështje, të cilat, sipas Prokurorisë, nuk duhet të bëhen publike për shkak të hetimeve. Mësohet se një pjesë të mirë të kohës në analizën e Prokurorisë e kanë zënë ngjarjet e rënda që kanë ndodhur gjatë vjeshtës në qytetin bregdetar, si çështja e oficerit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Isa Çopa, që u gjet i djegur brenda në mjetin e tij në zonën e Currilave, ajo e volejbollistit të ekipit “Teuta”, Juxhin Guza, që u qëllua me thikë te shkallët e pallatit të tij dhe pas 19 orësh ndërroi jetë në spitalin e Durrësit, si dhe vrasja mafioze e biznesmenit tiranas, Gentian Zguri (Gashi). Me gjithë përpjekjet e bëra nga Prokuroria dhe Policia për rastet në fjalë, momentalisht nuk ka asnjë të dyshuar. Krahas tri ngjarjeve që tronditën qytetin bregdetar, mësohet se në analizën vjetore në prani të kryeprokurores Ina Rama janë diskutuar edhe disa çështje penale të rënda që kanë mbetur të pazbardhura. Ndonëse këto çështje janë ende në hetim dhe pa asnjë autor të dyshuar, viti i kaluar është cilësuar me punë voluminoze për Prokurorinë e Durrësit. Gjatë analizës vjetore që zhvilloi ditën e djeshme institucioni i Prokurorisë në Durrës, kreu i saj, Altin Binaj, tha se “27 prokurorët kanë trajtuar gjatë vitit që lamë pas plot 2560 procedime penale të veprave të ndryshme”. Sipas Binajt, pjesa më e madhe e këtyre rasteve u përkasin veprave penale kundër pasurisë.             l.m

© Panorama.al

Te lidhura