
TIRANË- Kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Volfarth pas një takimi me prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama ka theksuar se një nga kriteret e BE është respektimi i institucioneve të pavarura dhe reforma e shumëpritur në drejtësi.
Duke iu përgjigjur interesit të medias për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri dhe afatin e mbarimit të mandatit të Ina Ramës, Volfart ka deklaruar se kjo do të përkojë me vitin e ardhëm, kohën e mbajtjes së zgjedhjeve.
“Ka disa interpretime të mandatit të prokurorit të përgjithshëm sipas kushtetutës. Me rëndësi është që mandate i kryeprokurorit është i kufizuar dhe jo i pakufizuar. Herët apo vonë do të ketë një mundësi që do ketë një pasardhës të prokurorit të përgjithshëm. Me rëndësi është që këto muaj që kanë mbetur të përdoren për të kërkuar një personalitet të ta bëjë këtë punë kërkuese në mënyrë të pavarur. Do të shfrytëzoja rastin që të bëja thirrje që partitë politike ta shfrytëzonin këtë kohë për të përzgjedhur një person të përshtatshëm për këtë pozicion dhe ta mbajnë këtë jashtë fushatave”- tha ai.
Sipas tij, viti 2013 ka për të qenë një vit i gjallë për shkak të zgjedhjeve. “Kjo do të përkojë edhe me kohën kur të bëhet ndërrimi i prokurorit të përgjithshëm, ndaj të shfrytëzohet kjo kohë për të përzgjedhur një personalitet për të kryer këtë punë”- tha ai.
© Panorama.al











