
Drejtori i Prokurorisë Publike britanike flet për 21 janarin
Keir Starmer: Hetimi gjithëpërfshirës duhet të bëhet nga Prokuroria e Përgjithshme
Drejtori i Prokurorisë Publike britanike, Keir Starmer, tha dje në Tiranë se duhet të ndalen sulmet ndaj institucioneve të pavarura. Në përfundim të një vizite dyditore në Shqipëri, ai zhvilloi një konferencë për shtyp ku ishte i shoqëruar nga ambasadori i Komisionit Europian, Etore Sekui dhe ambasadorja Fiona McIlwham. Duke u ndalur në sulmet ndaj institucioneve të pavarura, ai tha: “Si drejtues i një organi të pavarur, unë jam i shqetësuar nga sulmet personale dhe publike mbi integritetin e institucioneve të pavarura dhe të individëve në to. Këto sulme cenojnë jo vetëm individët e targetuar, por elementet demokratike të sistemit. Nëse ka shqetësime reale apo prova të shkeljeve, atëherë ato pretendime duhen ndjekur nëpërmjet kanaleve të duhura dhe jo të thuhen kot apo të përdoren për të ushtruar presion mbi individët. Të gjitha këto çështje thelbësore dhe komplekse kanë nevojë për konsiderata të informuara, të menduara dhe mendime ekspertësh, dhe jo për debate militante mes politikanëve”, u shpreh Starmer. Në përgjigje të një pyetjeje mbi hetimet për 21 janarin, ai tha se “një hetim gjithëpërfshirës, që është efektiv në dhënien e drejtësisë, duhet të drejtohet nga Prokuroria e Përgjithshme e pavarur. Në Britani unë do të insistoja për këtë dhe do të prisja që edhe vendet e tjera të bëjnë të njëjtën gjë. Ky është një parim universal”. Zyrtari i lartë i Prokurorisë në Britaninë e Madhe foli gjithashtu edhe për fenomenin e pandëshkueshmërisë, i cili është përmendur shumë sidomos në dy raportet e fundit të progresit të Komisionit Europian. “Kam dëgjuar shqetësime për perceptimin në rritje të pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit në Shqipëri, për çështjen e imunitetit dhe nevojës për të përmirësuar Kodin e Procedurave Penale. Po kështu, nevojën që politikanët të mbështesin procese të besueshme dhe jomilitante emërimi, në mënyrë që të fuqizohet pavarësia dhe kapaciteti i institucioneve tuaja demokratike”, theksoi më tej drejtori i Prokurorisë Publike britanike. Ai thua se Mbretëria e Bashkuar së bashku me partnerët ndërkombëtarë po punon me autoritetet dhe ekspertët shqiptarë për të mbështetur këto reforma prioritare. Sipas Starmer, Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës po shikon mënyra me të cilat të ofrojë asistencë teknike që do t’i ndihmojë kolegët tanë shqiptarë. “Por as e gjithë ndihma ndërkombëtare dhe as numri i ligjeve dhe kodeve të reja nuk livrojnë në vetvete shtetin e së drejtës apo drejtësinë. Shteti i së drejtës është një kulturë demokratike, ndërtuar mbi disa parime bazë – kryesisht mbi ndarjen e pushteteve. Ndërtohet me mbështetjen dhe vullnetin e mirë të aktorëve demokratikë, medias, politikanëve dhe publikut”, vijoi më tej drejtori i Prokurorisë në Britani. Ai u shpreh se Shqipëria ka kapacitetin për të zhvilluar një proces të besueshëm reforme në drejtësi.
ligji
“Shteti i së drejtës nuk është vetëm një koleksion ligjesh dhe as thjesht autoritet dhe pushtet. Shteti i së drejtës kërkon aderim në disa parime kyçe – që askush nuk është mbi ligjin dhe se ligji është një masë mbrojtëse ndaj qeverisjes arbitrare. Shteti i së drejtës është themeli i një shoqërie të drejtë dhe demokratike. Është një garanci për një qeverisje të përgjegjshme dhe një kontribuues i rëndësishëm në rritjen ekonomike dhe deri tani ofron mjetet më të mira për sigurimin e paqes dhe bashkëpunimit”, u shpreh zyrtari i lartë britanik në konferencën për shtyp.
Ndarja e pushteteve
Sipas Starmer, “shteti i së drejtës bazohet në tri degët e pushtetit: Parlament, Ekzekutiv dhe Gjyqësor, të ndara, por të barabarta. Secila e pavarur nga tjetra dhe duke qenë e tillë, në gjendje të kontrollojë dhe balancojë tjetrën. Kjo balancë – siç mund ta vlerësoni nga historia juaj – është thelbësore. Megjithatë, po kështu është dhe bashkëpunimi efektiv mes tri degëve të pushtetit për të mbështetur reformat demokratike”.
Basha: Çdo aktor të udhëhiqet nga ligji
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, tha dje në një prononcim për “Zërin e Amerikës”, se procesi duhet të bazohet vetëm te ligji. Ish-ministër i Brendshëm më 21 janar, kur në një demonstratë të dhunshme të opozitës mbetën katër persona të vrarë, Basha tha se çdo aktor duhet të udhëhiqet pikërisht nga ligji. “Mendoj se është shumë e rëndësishme që procesi të ecë në parametrat e shtetit ligjor dhe në këtë kuptim çdo aktor duhet të udhëhiqet pikërisht nga ligji dhe nga nevoja për të ekzekutuar brenda kornizës ligjore përgjegjësitë që ka”, u shpreh Basha nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ish-ministri i Brendshëm dha dorëheqjen nga posti që e mbante nga shtatori i vitit 2009 për të kandiduar në tetë maj në zgjedhjet lokale për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Pas një gare të ngushtë me rivalin e tij, kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, Basha fitoi me 93 vota. Në muajin korrik ai mori zyrtarisht detyrën e kryetarit të Bashkisë, pasi u betua në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Në muajin dhjetor Këshilli Bashkiak, me shumicë demokrate, miratoi buxhetin e vitit të ardhshëm, i cili do të jetë më shumë se 70 milionë euro.
“Integriteti i Gjyqësorit, thelbësor”
Drejtori i Prokurorisë Britanike u ndal gjithashtu edhe te Gjyqësori, për të cilin tha: “Gjyqësori ekziston për të interpretuar rregullat, për të vënë përpara përgjegjësisë ata që shkelin ligjin dhe për të bërë të mundur që politika qeveritare – dhe mbikëqyrja parlamentare e politikave të qeverisë – është në përputhje me ligjin. Prandaj pavarësia dhe integriteti i Gjyqësorit janë thelbësore. Nëse Gjyqësori nuk është i pavarur, nuk mund t’i kontrollojë efektivisht politikanët. Nuk mund të bëjë drejtësi”.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al












