GJIROKASTER – Kreu i Policisë së Qarkut të Gjirokastrës Halit Murati, siguron se për pak ditë, uniformat blu do të ndërhyjnë në Lazarat për të parandaluar kultivimin e hashashit. Deklarata e tij është bërë gjatë një takimi të zhvilluar dje në Prefekturë, në prani dhe të banorëve të fshatit Lazarat. Murati evidentoi një plan masash, ku ndër më kryesori është monitorimi 24 orë i territoreve publike dhe private nga ana e 5 grupeve për ta ndaluar përfundimisht kultivimin e “kanabis sativës”. “Gjatë viteve të fundit ka pasur zhvillime shumë pozitive në drejtim të kufizimit të kultivimit të lëndëve narkotike, por ka edhe zhvillime negative, që i ka takuar ligjit ku cenohet personi, familja, ekonomia dhe po cenohet edhe komuniteti i fshatit”, u shpreh kryepolici. Për kreun e Policisë së Gjirokastrës ekzistojnë dy procese në këtë qëllim: i pari është ai i bashkëpunimit, si hallka të një zinxhiri që të mos lejohet kultivimi, ndërsa faza e dytë është ajo operacionale. Por kjo sipas Muratit, nuk do të thotë se ndërhyrja do të vonojë përtej muajit aktual. “Kemi menduar që Lazaratin ta ndajmë në pesë zona ku secila do të mbulohet nga një grup monitorimi i pandërprerë si mbi pronën publike, ashtu dhe mbi aktivitetin e të gjithë banorëve të Lazaratit”, u shpreh kreu i Policisë së Gjirokastrës Halit Murati. Ndërkaq kryekomunari i Lazaratit Dasho Aliko u ka bërë thirrje bashkëfshatarëve të vet, të mos luajnë më me fenomenin e kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike, sepse nuk do të ketë më tolerancë pavarësisht njohjeve dhe lidhjeve të mundshme. “Marr guximin t’i bëj thirrje edhe Ndërmarrjes së Ujësjellësit të fshatit Lazarat se nuk do të toleroj askënd që do të vendosë dorë mbi ngastrat e komunës dhe mbi ujësjellësin e fshatit Lazarat”, u shpreh kryekomunari lazaratas, Aliko. p.n
Bllokohen 100 kg marijuanë
GJIROKASTER – Gjenden të braktisura 100 kg marijuanë, trafikantët arrijnë t’i shpëtojnë policisë. Ndonëse u angazhuan edhe forcat “Delta”, nuk u arrit që të kapeshin trafikantët e drogës së destinuar për në Greqi. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së premtes në afërsi të fshatit Llongo në Gjirokastër, pranë kufirit me Greqinë. Katër personat që e kishin marrë përsipër kalimin e saj drejt shtetit fqinj, u arratisën përtej kufirit. Rruga që trafikantët kishin zgjedhur kalonte përmes fshatit Llongo pjesë e Komunës së Dropullit të Sipërm Gjirokastër. Operacioni i ndërmarrë nga kufitarët, arriti vetëm të sekuestronte mallin narkotik i cili gjendej në bordin e automjeti “Volvo” me targa greke YKK 6895, e futur në 4 çanta të mëdha. Drejtuesi i automjetit së bashku me një person tjetër, kanë mundur të largohen në drejtim të kufirit me Greqinë, duke qenë të favorizuar edhe nga errësira dhe kanë lënë pas të braktisur mjetin së bashku me marijuanën, në mes të rrugës rurale Vrisera-Llongo. Për kapjen e tyre, Policia Kufitare e Kakavijës, ka kërkuar asistencën e homologëve grekë. p.n











