Kryeplaku në pranga, nuk raportoi 170 rrënjë drogë

Jun 20, 2012 | 13:57

Kultivimi i hashashit në fshatin Rërëz të Beratit çon në pranga kryeplakun dhe në ndjekje penale kryekomunarin e Kutallisë. Policia e Beratit bëri të ditur dje ndalimin e Bujar Dervishit, 50 vjeç, pasi nuk kishte raportuar mbi mbjelljen e drogës në fshat. Reagimi i uniformave blu erdhi pasi nga kontrolli në këtë zonë u zbuluan 170 rrënjë bimë narkotike, në pronësi të shtetasit Beniamin Çela. Ky i fundit u shpall në kërkim, ndërsa prangat iu vunë kryeplakut. Hetimet do të kryhen dhe për kreun e komunës Kutalli, Shpëtim Vrapi, pasi droga u gjet në territorin që ai drejton. Aksioni i Policisë së Beratit u realizua duke u mbështetur në planin operacional të Policisë së Shtetit për kontrollin e territorit të mbjellë me bimë narkotike kanabis sativa dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të kultivimit të saj. Në fakt, veç kultivuesit të identifikuar si Beniamin Çela, Policia e Beratit ka vënë para përgjegjësisë penale dhe dy pushtetarët e zgjedhur vendorë. Sipas burimeve zyrtare të saj, pohohet se, bazuar në ligjin e vitit 2006, sipas të cilit “kryetarët e njësisë së qeverisjes vendore brenda juridiksionit të tyre administrativ janë të detyruar të raportojnë me shkrim në strukturat policore në rastet e marrjes dijeni për kultivim të lëndëve narkotike. Kur veprojnë në kundërshtim me të, janë subjekte të veprave penale”. Në këto kushte u bë ndalimi i 50-vjeçarit Dervishi, kryeplak i fshatit Rërëz. Ai akuzohet për konsumimin e elementeve të veprave penale të “shpërdorimit të detyrës”, “moskallëzimit të krimit dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Gjithashtu nga ana e strukturave të Drejtorisë së Policisë dhe Prokurorisë së Beratit nisi hetimi për kryekomunarin Shpëtim Vrapi për të njëjtat vepra penale. Aksioni për goditjen e kultivuesve të lëndëve narkotike është përqendruar në disa rrethe të vendit, kryesisht në zonën e Lazaratit.

BERAT/ DILAVER XHELILI

© Panorama.al

Te lidhura