Kryeministrja kroate në Prishtinë: Kufijtë nuk ndryshojnë

Aug 25, 2011 | 13:56

Kryeministrja kroate, Jadranka Kosor, ka deklaruar se Kroacia mbështet tërësinë territoriale të Kosovës. Gjatë vizitës së saj në Prishtinë, ku janë nënshkruar edhe disa marrëveshje bashkëpunimi në fushat e integrimeve europiane, infrastrukturës dhe ekonomisë, Kosor tha se politika e jashtme e Kroacisë do të jetë në harmoni me politikën e jashtme të Bashkimit Europian. Në një kohë marrëdhëniesh të tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë mbi Veriun e Kosovës, Kosor përforcoi edhe më tej deklaratat e kancelares gjermane, Anxhela Merkel, të bëra në Beograd në mbështetje të tërësisë territoriale të Kosovës. Po ashtu, ajo u shpreh në mbështetje të dialogut, si rruga më e mirë për zgjidhjen e problemeve. Kryeministrja kroate ka ofruar edhe ndihmën e vendit të saj për procesin e bisedimeve Kosovë-Serbi. “Tërësia territoriale e Kosovës dhe kultivimi i të drejtave të barabarta për secilin individ, qytetar apo komunitet janë çështje që Kroacia i mbështet në vazhdimësi”, tha kryeministrja kroate. Ajo kujtoi miqësinë e vjetër mes dy popujve, por tha gjithashtu se kjo miqësi ishte ripërtërirë edhe gjatë luftës së fundit kundër regjimit të Millosheviçit. “Në Kroaci mund të gjeni mikun më të mirë në Europën Juglindore dhe këtë ju mund ta llogarisni edhe në të ardhmen”, i tha ajo kryeministrit Hashim Thaçi. Kosor u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të angazhohen për përmirësimin e pozitës së komunitetit kroat në Kosovë. Ajo tha se në Kosovë do të ketë shtrirje të autoritetit, përfshi edhe pjesën veriore, duke paralajmëruar strukturat paralele se i pret ballafaqimi me ligjin dhe drejtësinë. Kryeministrja e Kroacisë u prit dje nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një pritje shtetërore.

© Panorama.al

Te lidhura