Kryeministri në Grupin e PD, batutat për Bregun e Mëhillin: Fatin e Princit e pati Kejt

Jul 31, 2012 | 11:33
Berisha dje në mbledhjen e Grupit të PD

I rikthyer nga dy aktivitete çlodhëse, në vapën e korrikut dhe në kulmin e debatit me opozitën për heqjen e imunitetit, Kryeministri Berisha nuk i kurseu batutat në mbledhjen e Grupit Parlamentar. Duke folur për ceremoninë e Londrës, ai tha: “… por, natyrisht, muzika ishte lumi i ‘Ishullit të Çudirave’. Majlinda e shoh që… se mos më thua ku ishte Princi im aty! Ka edhe kjo historikun e saj. Po ta them unë pak më vonë historinë e Princit. Jo në rastin konkret me ty”. Më tej Berisha tregoi para deputetëve batutat me zëdhënësen e tij, Erla Mëhilli, lidhur me pjesëmarrjen e Princit Uilliams në ceremoni. “Star-i i pritjes ishte, pa asnjë mëdyshje, Princi Uilliams dhe ç’ndodhi Majlinda? Se nuk e thashë kot punën e Princit unë. Pas pritjes, më pyet Erla a ishte princi aty? Si nuk ishte? Ishte edhe Kejti. Më tha që kemi lindur në një ditë. I thashë: Erla, atë ditë mund të kenë lindur shumë vajza, por fatin e Princit Kejt e pati”, tha Kryeministri.

“Vitet poshtë, unë përpjetë”
Në mbledhjen e Grupit, Berisha u ndal edhe te thyerja e rekordit në not. “T’ju them me sinqeritet, ka qenë noti që kam bërë më lehtë ndonjëherë në të gjitha garat e tjera me veten time. Saqë më shkonte mendja të nisem drejt Kepit te Gjuzës, por problemi është se shoqëruesit nuk më ndiqnin dot dhe nuk më shkonte skema, ndaj e lashë. Por, natyrisht, theva rekordin e vjetshëm me veten time, nga 131 minuta që ishte vjet, në 141 minuta këtë vit”, tha Kryeministri. Sipas tij: “Cila ishte ndjenja kur dola? Ndjenja e parë që më erdhi në mendje ishte: vitet poshtë dhe unë përpjetë. Pse kjo? Sepse vjet, për të përballuar dehidratimin, mora dhe një shishe ujë gjatë notit, sivjet fare. Të vetmen gjë që bëra, mora një kapele për t’u mbrojtur nga dielli dhe kur dola, isha i gatshëm të kthehesha përsëri në det. Një ndjenjë kjo që nuk mbaj mend ta kem pasur në garën e parafundit”.

© Panorama.al

Te lidhura