
“Duhet të mësojmë shumë nga ky shembull”
Kryeministri kanadez: “Besa”, Kodi më i lartë etik në Shqipëri.
Në ceremoninë përkujtimore për Holokaustin, zhvilluar në Kanada, Kryeministri kanadez, Stefen Harper, e ka përmendur Shqipërinë si shembull dhe model për mënyrën se si shqiptarët pritën dhe ndihmuan popullin hebre, që përndiqeshin nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai tha gjithashtu se Shqipëria ndihmoi jo vetëm shtetasit hebrenj që jetonin aty, por mirëpritën dhe shumë hebrenj të huaj. “Duhet të mësojmë shumë nga ky shembull. Pas pushtimit të nazistëve në 1943, shqiptarët refuzuan të dorëzojnë listat e hebrenjve brenda kufijve të tyre. Ata i dhanë dokumenta false hebrenjve, në mënyrë që këta të fundit t’i shpëtonin përndjekjes. Cila është arsyeja e këtij shembulli të shkëlqyer?”, pyeti Harper. “Është besa, tha ai, kodi i nderit, kodi më i lartë etik në Shqipëri. “Besa do të thotë fjalë për fjalë të mbash premtimin që ke dhënë, të mbash fjalën. Zonja dhe zotërinj, ne duhet ta mbajmë këtë premtim. Kjo është kultura e nderit, të cilën ne duhet ta mbrojmë dhe ta përforcojmë jo vetëm në vendin tonë, por edhe në forumet ndërkombëtare kudo në botë”, u shpreh ai.











