
Kryeministri belg Elio di Rupo gjatë takimit me kreun e PS-së, Edi Rama ka garantuar mbështetjen e vendit të tij për integrimin e Shqipërisë, duke pranuar se vendi i saj është në BE, por për këtë duhet të përfundojnë reformat e kërkuara.
PS përmes një deklarate për mediat ka zbardhur detaje të takimit mes tyre. “Shqipëria duhet të respektojë zbatimin e ligjeve dhe duhet ta bëjë në mënyrë që të ndryshojë disa sisteme; duhet që transparenca për shembull në procesin elektoral të jetë e padiskutueshme; duhet që të gjithë qytetarët shqiptarë të jenë të sigurt që nga momenti i parë deri tek rezultati përfundimtar që çdo gjë është korrekte dhe transparente dhe të mos kenë dyshime në këtë drejtim”- ka thënë ai.
Sipas tij Shqipëria duhet të përmbushë të gjitha kushtet e kërkuara, nëse do të mos përballet me vonesa. “Nuk shkohet në Bashkimin Europian sikur po shëtit në pyll, ka kushte, kushte dhe rregulla themelore që duhen respektuar siç janë transparenca, demokracia, pavarësia e gjyqësorit, si dhe fakti që parlamenti është institucioni më i lartë që kontrollon qeverinë. Shkurt, nuk mund të hyhet në BE sikur po shëtisim në një lëndinë. Ne jemi pro për atë që të mund ta bëjmë që Shqipëria të jetë pjesëtare në BE, ne mendojmë që destinacioni i vendeve ballkanike është në gjirin e Bashkimit Europian, por duhen kryer përpjekjet e domosdoshme, ashtu si edhe vendet e tjera, të garantohet transparenca dhe ndarja e pushteteve” tha Elio di Rupo.
Gjatë vizitës në Belgjikë kreu I opozitës është takuar edhe me Presidentin e Parlamentit Europian Martin Schultz, ku u diskutua rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe marrjen e statusit të vendit kandidat.
Këto dy reforma ishin edhe kryefjala e takimit mes kreut të Partisë Socialiste dhe Drejtorit për Zgjerimin në Komisionin Europian, Stefano Sanino.
© Panorama.al











