
Viktor Çervenaka në Gjykatë: Faik Myrtaj po bënte shaka kur e vranë, s‘e kaluam rrethimin e Kryeministrisë.
Kryekomunari i Frakullës: Ai e deputetët duhej ta drejtonin turmën.
“Ata që e morën përsipër demonstratën e 21 janarit u fshehën. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe 60 deputetët e tij duhet ta drejtonin demonstratën. Ata duhet të ishin goditur dhe jo ne”. Kryetari i komunës Frakull të Fierit, Viktor Çervenaka, nuk ngurroi dje të lëshonte këto akuza ndaj drejtuesve të Partisë Socialiste gjatë dëshmisë së dhënë në Gjykatë për 21 janarin. Deklaratat e kryekomunarit u dëgjuan gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën e Tiranës, në lidhje me ngjarjen e dhunshme të 21 janarit 2011, ku ai vetë kishte qenë i pranishëm në anën e demonstruesve. Çervenaka ishte thirrur si dëshmitar i Prokurorisë në procesin në ngarkim të Ndrea Prendit, Agim Llupos dhe Margarit Kumes, të akuzuar për vrasje të ndodhura më 21 janar 2011 pranë Kryeministrisë. Ai rrëfeu para gjykatës se kishte kuptuar se po qëllohej me plumba luftarakë, kur ishte vrarë fieraku Faik Myrtaj. “Fillimisht kujtuam se i ra të fikët, por pastaj pamë gjakun”, tha dëshmitari.
DESHMIA E PLOTE
Prokurori: Sqaroni rrethanat e pjesëmarrjes Suaj në demonstratën e 21 janarit 2011. Si vepruat? Çfarë patë?
Çervenaka: Në zbatim të funksionit tim politik, si kryetar i komunës Frakull, pasi bëri thirrje kryetari i Partisë Socialiste për miting më 21 janar, kuptohet paqësor, unë me disa anëtarë të PS-së Frakull u nisëm drejt Partisë Socialiste në Tiranë. Aty, nga PS-ja ishin dhënë udhëzimet nga krerët e PS-së për të marshuar drejt sheshit “Nënë Tereza”. Sipas udhëzimeve, arritëm tek ura e Lanës. Kur ne ishim aty, turma u përball me një grup të Policisë së Shtetit. As pesë minuta pas kësaj përballjeje, doli makina me ujë për shpërndarjen e njerëzve. Para grupit të Fierit ishin disa qytete të tjera, që ishin konfrontuar me policinë. Pasi u ndërhy me makinën me ujë, u lëshua edhe gaz lotsjellës. Turma u tërhoq tek ura e Lanës. Gazi ishte shumë helmues. Më vonë marshuam sërish. Kur kemi vajtur afër Kryeministrisë ne, grupi i Fierit, pasi ishin ezauruar goditjet, grupi jonë u përball me një zjarr armësh me fishekë manovër. I njoh mirë armët, pasi kam punuar 20 vjet në polici. Fillimisht ishin fishekë manovër. Kishim rreth 30-40 me vete. Ndërhyra të tërheq një nga të rinjtë që kishin shkuar deri te porta. Shkova deri aty. Kur po kaloja mu në mes të bulevardit, ra në tokë Faik Myrtaj. E njihja, pasi fshati i tij ishte afër Frakullës. Fillimisht kujtova se i ra të fikët, por më pas vumë re që kishte gjak nga pas. E ngritëm rreth 10-15 veta dhe e çuan në spital. Atëkohë po tërhiqeshim, kur dëgjuam nga njerëzit që “u vra dhe një tjetër”, “ u vra dhe një tjetër”. Pastaj po qëllohej me plumba të vërtetë, pasi po këputeshin degët e pishave.
Ata që e morën përsipër u fshehën, krerët e Partisë Socialiste.
U vra dhe Hekuran Deda kur ishim ne aty. Unë u tremba dhe nuk e pashë se si u vra. U tërhoqëm tek ura e Lanës dhe prisnim urdhra të tjerë.
Prokurori: Keni marrë udhëzime? Nga kush dhe çfarë urdhrash konkretisht?
Çervenaka: Në televizionin “Top Channel” ka dalë Edi Rama dhe tha që më 21 janar do bëhet miting paqësor. Ne kemi ardhur për miting.
Prokurori: Thatë që tërhoqët një nga të rinjtë te porta?
Çervenaka: Ishte djali im, Anxhelino Çervenaka.
Prokurori: Çfarë keni parë në këtë moment jashtë portës?
Çervenaka: Kam parë qindra të rinj që qëllonim me gurë. Kurse brenda gardhit qëllohej nga Garda me armë automatike. Ata qëllonin drejt turmës.
Prokurori: Me çfarë qëllonin demonstruesit?
Çervenaka: Me gurë, me çfarë të mundeshin.
Prokurori: Pe njeri tjetër aty afër portës?
Çervenaka: Ishin 4-5 veta. Unë njoha Zyhdi Dajtin. Bërtiste për të mos lejuar futjen e njerëzve brenda rrethimit.
Prokurori: Si ishin pozicionuar personat brenda portës?
Çervenaka: Është qëlluar me armë automatike. Fishekët fillimisht ishin mësimorë. Pas kësaj, kur pamë që ra Faiku, pamë që ishin plumba të vërtetë. Atëherë shkova dhe mora djalin.
Prokurori: Ku ishit kur u vra Faiku?
Çervenaka: Kam qenë në mes të bulevardit, afër trotuarit të Gjykatës Kushtetuese, përballë portës së Kryeministrisë.
Prokurori: Ç’bënin personat rreth jush?
Çervenaka: Ishim rreth 50-60 veta. Ishim të trembur të gjithë. Ishin të gjithë fierakë. I çuam vetë.
Prokurori: Ç’veprime keni bërë?
Çervenaka: Mund të them që grupi i Fierit është sjellë shumë mirë. Vetëm bërtisnin, se protestë ishte, por pa kryer veprime aktive kundër policisë.
Prokurori: Ç’veprime po kryente Faiku më momentin që u qëllua?
Çervenaka: Ai ka qenë zotëri. Veç po rrinte në këmbë. Madje, ai po qeshte kur u vra.
Prokurori: Po të tjerët?
Çervenaka: Asnjë prej tyre nuk po kryente veprime ndaj policisë. Ishte koha kur sulmi ishte nga ana e Piramidës.
Av. i Prendit: E keni ndjekur të gjithë mitingun?
Çervenaka: E kam ndjekur derisa u vra Faiku.
Av. i Prendit: Keni parë persona që kanë hyrë në oborrin e Kryeministrisë?
Çervenaka: Sa kam qenë unë aty, jo.
Av. i Prendit: Të kujtohet ora kur u larguat?
Çervenaka: Nuk e kujtoj. Ashtu si u bëmë ne atë ditë…
Av. i Prendit: E patë plagën e Myrtajt?
Çervenaka: Plagën e kishte në shpatullën e majtë.
Av. i Llupos: Kur u bindët që qëllohej me fishekë ushtarakë?
Çervenaka: U bindëm kur u vra Faik Myrtaj. Degët e pemëve u thyen më vonë, kur ne po largoheshim.
Av. i Llupos: Ju e konstatuat që vdiq Myrtaj?
Çervenaka: Ai mora vesh që kishte thënë “se c’më hëngri”. Pastaj për 2 minuta nuk lëvizi më. Për mua vdiq në vend.
Av. i Llupos: Qëlluan forcat e rendit?
Çervenaka: Forcat e rendit nuk qëlluan. Fillimisht po qëllohej nga Garda në ajër. Unë nuk kam parë armë të drejtuara nga turma.
Av. i Llupos: Kush duhet ta drejtonte demonstratën?
Çervenaka: Për mua duhet të ishte kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, me gjithë 60 deputetë. Kam punuar 20 vjet në Polici dhe më vinte keq për policët, kolegët e mi, atë ditë. Për mua ata duhet të ishin goditur dhe jo ne.
Armët “e paregjistruara”
Dëshmitari Ndriçim Mara tha dje se pesë armë MP5A2 të Gardës nuk regjistrohen me numër, për shkak se numri i tyre është i zënë nga një mekanizëm optik. Sipas dëshmitarit, një prej këtyre armëve zotërohej nga i pandehuri Agim Llupo, më 21 janar 2011. “Atë ditë i kanë pasur komandanti i Njësisë Speciale, Alfred Ahmetcenaj, shefi i Shtabit, Agim Llupo, një kapiten, Sokol Sulo, një Rustem Martina dhe një Asim Bruci”, tha Mara.Kreu i PS Bushat: Turma, e qetë
Vehbi Shkjahu, kreu i Partisë Socialiste për komunën Bushat, Shkodër, dëshmoi dje në Gjykatë për orët e qëndrimit të tij në demonstratën e 21 janarit 2011. Ai u shpreh se ishte dëmtuar në këmbë, pasi ishte qëlluar nga një plumb gome. Dëshmitari tha se kishte dëgjuar krisma gjatë demonstratës, por ai nuk ishte në gjendje të përcaktonte nëse turma e protestuesve ishte aktive apo pasive.Akuza shton tre dëshmitarë
Prokuroria e Tiranës e shtoi edhe me tre emra të tjerë listën e dëshmitarëve të kërkuar për t’u thirrur në proces. Në përfundim të seancës, gjykata pranoi kërkesën e prokurorëve për thirrjen si dëshmitarë të shtetasve Dashamir Shehi, Afred Ahmetcenaj dhe Haziz Çeja. Emrat e këtyre të fundit u përmendën dje nga dëshmitarët në seancë. Sipas Prokurorisë, ata mund të sjellin të dhëna me interes në zbardhjen e ngjarjes.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











