Keta apel minatorëve të pranojnë ofertën e ACR

Aug 11, 2011 | 10:15
Roland Keta

BULQIZE- Kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Roland Keta i ka bërë sot ftesë minatorëve që të pranojnë të ulen në bisedime me kompaninë ACR në qytetin e Peshkopisë.

“I bëj ftesë publike të gjithë minatorëve dhe përfaqësuesve të sindikatave të jenë të pranishëm në takimin me përfaqësuesit e ACR sot në Peshkopi”- tha për mediat Keta.

Një përfaqësi e ACR pritet të mbërrijë sot në Peshkopi për të zhvilluar negociatat, por minatorët grevistë nuk pranojnë, duke këmbëngulur që takimi të zhvillohet në Bulqizë

Edhe një ditë më parë, kryebashkiaku Keta, bëri thirrje për dialog të menjëhershëm mes komapnisë ACR, minatorëve dhe sindikatës, për t’i dhënë fund grevës së minatorëve të Bulqizës.

Ai u bëri thirrje familjarëve dhe mbështetësve të minatorëve që protestuan në rrugën kombëtare Peshkopi- Tiranë të ruajnë qetësinë.

“Situata zgjidhet vetëm me mirëkuptim mes palëve, tolerancë dhe qëtësi”- tha Keta

ACR: Takim në Peshkopi. Refuzon Konfederata

Një ditë më parë, kompania konçesionare ACR ka bërë një tjetër propozim për bisedime me minatorët e Bulqizës, i cili u hodh poshtë menjëherë nga kreu i Konfederatës se Sindikatave, Kol Nikolla.

ACR nëpërmjet një deklarate për shtyp ka propozuar që takimi mes saj dhe minatorëve të zhvillohet në qytetin e Peshkopisë.

Sipas tyre, është zgjedhur qyteti i Peshkopisë për shkak të afërsisë së këtij qyteti me Bulqizën dhe për të garantuar mbarëvajtjen e negociatave.

Ndërkaq, konfederata këmbëngul që negociatat të zhvillohen ne qytetin e Bulqizës, pasi atje po behet edhe greva e urise.

Në deklaratë ACR thekson se një grup minatorësh mendojnë se nuk janë të përfaqësuar, ndaj ne kërkojmë që një nga këto minatorë të përfshihet në 5-en që do të përfaqësojnë minatorët në bisedime.

ACR ka patur dhe vazhdon të ketë dëshirën e mirë për tu ulur në bisedime më çdo minator, duke përjashtuar ata të cilët kanë ushtraur dhunë mbi administartën e ACR-së, thuhet në deklaratën e ACR-së.

© Panorama.al

Te lidhura