
Grabitësit hyjnë për të vjedhur, njëri prej tyre plagoset nga familjarët. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës së djeshme në banesën e Sejfulla Freskut, në Thumanë të Krujës.Sipas anëtarëve të familjes Fresku, tre persona kanë ndaluar buzë superstradës Fushë-Krujë-Milot, rreth 100 metra larg banesës së tyre e më pas i janë drejtuar shtëpisë. Kryefamiljari Fresku tregon për gazetën momentet se si ra në dijeni të afrimit të grabitësve, duke mbajtur mbi vete dhe peshën e autorit të plagosjes. “Ka qenë ora 02:00 e natës, kur një i afërm i imi, që është me banim afër shtëpisë sime, më merr në telefon e më thotë se ke njerëz në oborrin e shtëpisë dhe po të hapin derën. Po i shikoj nga dritarja, kujdes! Mora armën, e hapa derën menjëherë dhe i pyeta kush jeni. Ata më kërcënuan që të mos dilja jashtë se do më vrisnin, por unë më pas kam qëlluar menjëherë për t’i trembur. Qëllova mbi ta nga frika se kishin armë. Njëri mbeti i plagosur. E mora dhe i shërbeva që të mos e vdiste, por vura re që kishte pasur levë hekuri. Më tha se kishte ardhur për të grabitur së bashku me një laçian dhe një tjetër”. Fresku tregon se i ka kërkuar të plagosurit të tregojë emrat e dy të tjerëve e të shkojnë në polici pa e zgjatur. “Më dha numrin e bashkëpunëtorit të tij që ishte nga Laçi. E mora në telefon dhe i thashë hajde e merre kolegun se e ke të plagosur e për çdo gjë do të merremi vesh. Ai m’u përgjigj se nuk e njoh e nuk e di se për çfarë bëhet fjalë. Lajmërova policinë dhe të plagosurin e dërgova në Spitalin Ushtarak. Policia, me të ardhur, nisi hetimet, por më mori të gjithë njerëzit në polici”. Në komisariat janë shoqëruar djemtë e Freskut, Përparim dhe Shkëlzen Fresku dhe është bllokuar arma, deri në sqarimin e ngjarjes, ndonëse kryefamiljari pranon se ka qëlluar ai. Gjatë marrjes në pyetje, i plagosuri, i identifikuar nga policia si Sokol Pali, 32 vjeç nga Shkodra, ka treguar se për të realizur ngjarjen me dy të tjerët, tashmë në kërkim, kishin grabitur më parë një makinë në Kavajë. Sipas tij, shtëpia e familjes Fresku ishte e para buzë rruge dhe ata i ishin drejtuar asaj për të realizuar synimin e grabitjes.
Bashkeshortja: Hera e trete qe na grabisin
Bashkëshortja e Sejfulla Freskut shprehet se e ndien vetën të frikësuar, pasi kjo është hera e tretë që shtëpia e saj vidhet. “Nuk po na lënë në shtypin tonë, po na vjedhin gjithçka kemi sajuar me mund e djersë. Shteti në vend që të kapi hajdutët na arreston fëmijët. Jemi të shqetësuar se kemi gjithë natën që kemi përjetuar një tmerr të vërtet. Edhe për ne nuk është e lehtë të plagoset njeriu në oborrin e shtëpisë. Por në fund të fundit kemi mbrojtur djersën tonë, nderin tonë, ku e dinim ne se nuk janë të armatosur”.
KRUJE/ ROLAND NIKOLLI
© Panorama.al











