Kroatët luajnë blofin me Skënderbeun

Jun 14, 2011 | 11:06

Pista e ardhjes së lojtarit të njohur kroat Toni Pezo ka rënë papritur. Lajmin e konfirmon për “Panorama” vetë trajneri i bardhekuqve, Shpëtim Duro. Sipas tij, ndonëse me Pezon ishte folur dhe bisedimet kishin qenë pozitive në favor të juglindorëve, gjërat kanë ndryshuar gjatë rrugës. Siç mësohet, 24 orë më parë lojtari ka telefonuar duke lajmëruar se nuk do të vinte në Shqipëri, pasi ishte duke firmosur me një skuadër në Francë. Ndërkaq, trajneri Duro ka dhënë shpjegimin e tij përse nuk do të ketë më shërbimet e kroatit, edhe pse e vlerëson shumë atë. Kreu i pankinës ka bërë të ditur se Pezo luan si mesfushor, ndërkohë që synimi i tij ishte ta përdorte atë si qendërmbrojtës. Në këtë kontekst, në kushtet kur do të ketë një lojtar mbrojtës që vjen nga Kroacia, atëherë shërbimet e Pezos nuk do ishin të nevojshme. Gjithsesi, kjo mund të shihet edhe si një alibi nga ana e klubit, meqenëse lojtari zgjodhi një tjetër klub në vend të Skënderbeut. Mirëpo nuk mbaron me kaq. Edhe lojtari tjetër kroat, sulmuesi Dino Kresinger, mësohet se nuk do të jetë pjesë e skuadrës bardhekuqe. Sulmuesi, sipas informacioneve, ka kërkuar shifra marramendëse për të luajtur me Skënderbeun që shkojnë më shumë se 110 mijë euro në sezon. Një shifër e tillë është parë si mjaft e lartë për kampionatin shqiptar, ndaj drejtuesit e klubit korçar kanë hequr dorë fillimisht nga ky lojtar.

Barisiç, nje gjigand per bardhekuqte

Quhet Josip Barisiç. Është kroat dhe luan si mbrojtës tek Inter Zapresiç. Shquhet për lojën në ajër, kjo edhe për shkak të gjatësisë (është 190 cm). Lojtari është vënë në shënjestër të Skënderbeut dhe me gjasa do të jetë pjesë e kampionëve të Superiores për sezonin në vazhdim. Sipas informacioneve, lojtari ka pranuar që të kalojë në kampionatin shqiptar dhe në parim ka rënë dakord me ofertën e bërë nga drejtuesit e klubit korçar. Kësisoj, pritet që në ditët në vazhdim kjo tratativë të mund të konkludohet me firmën në kontratë. 30-vjeçari ka luajtur më parë për Marsonia, NK Zagreb, Karlovac, Shonan Bellmare në Japoni, Kroatia Sesvete, NK Posusje, Tubize në Belgjikë dhe Inter Zapresiç.

© Panorama.al

Te lidhura