Krizë ekonomike, apo fuqi të reja globale

Jan 18, 2012 | 10:36

FLIR MOSHO

Politikanëve u pëlqen të premtojnë një të ardhme më të mirë. Por kohët e fundit politikanët perëndimorë nuk kanë pasur mundësi të mbajnë të njëjtin ritëm entuziazmi si më parë. Prodhimi global parashikohet të rritet me 3%, niveli më i ulët që nga viti 2009, si dhe nën mesataren e dekadës së kaluar.
Paralajmërimet e situatës ekonomike janë tepër të zymta, pesimiste dhe të dëshpëruara. Në fjalimin e saj të fundvitit, Angela Merkel, kancelarja gjermane, parashikoi se viti 2012 do të jetë më i vështirë për eurozonën sesa viti që lamë pas. Ndërsa në Francë, Presidenti Nikola Sarkozi e cilësoi “vitin e të gjitha rreziqeve”. Nga gjysma tjetër e botës, Manmohan Singh, Kryeministri i Indisë, paralajmëroi vendin e tij të mos e marrë për të mirëqenë rritjen e shpejtë që India ka pasur deri tani. Rritja ekonomike, që u pasua nga kriza, ka ndihmuar që politikanët të jenë komodë në karriget dhe karrierën e tyre, ndërsa tani ka ardhur koha që ata vërtet të veprojnë, të mendojnë dhe gjejnë zgjidhje për situata jo të favorshme ekonomike.
Nga një anë, ky pesimizëm duket pak i ekzagjeruar, pasi skenari më i keq, siç mund të jetë rënia e monedhës së vetme europiane, është i shmangshëm. Statistikat e fundit, edhe pse me shifra të mbivlerësuara mbi perspektivat e prodhimit global, argumentojnë kundër një rënieje të papritur të ekonomisë. Por, nga ana tjetër, paralajmërimet janë tepër të zymta dhe pesimiste.
Borxhi sovran në Itali dhe Spanjë pritet të thellohet edhe më tej. Qeveria spanjolle, duke paralajmëruar një përkeqësim në deficitin buxhetor (8% e PBB nga 6% e parashikuar), njoftoi menjëherë shkurtime të shpenzimeve dhe rritje të taksave për të kompensuar deficitin. Në Itali kemi përsëri një rritje mbi 7 për qind të normave italiane dhjetëvjeçare të interesit, një nivel që konsiderohet i paqëndrueshëm nga tregjet. Ndryshe nga Greqia, Irlanda dhe Portugalia, ekonomia e Italisë është tepër e madhe për t’u shpëuar nga BE dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Italia mban 2.6 bilionë dollarë borxh publik dhe është ekonomia e tretë më e madhe e eurozonës, që do të thotë që një falimentim i Italisë do të çonte në rrëzimin e monedhës së përbashkët europiane.
Eurozona pothuajse ka renë tashmë në recesion. Por, sipas “The Economist”, recensioni parashikohet të jetë i shkurtër dhe i cekët, dhe se prodhimi në 2012-n do të bjerë me vetëm 0.5%. Supozimi i një recensioni të butë na bën të mendojmë se politikëbërësit europianë, megjithëse me mëdyshje, janë në rrugë të mbarë për të zgjidhur krizën e borxhit. Nga një anë, kursimi fiskal pritet të ketë një efekt të moderuar në rritjen ekonomike. Nga ana tjetër, Banka Qendrore Europiane ka zvogëluar riskun në sektorin bankar me rritjen e provigjioneve.
E megjithatë, pasiguria për të ardhmen e eurozonës është ende akute. Pavarësisht politikave të likuiditetit të ndërmarra nga Banka Qendrore Europiane, sektori bankar duket se heziton të blejë bono thesari të shumë vendeve anëtare. Edhe pse Italia, Spanja dhe të tjera vende në rrezik kanë rendur për të rregulluar financat në shtëpitë e tyre duke shkurtuar buxhetet kombëtare, masat antikrizë të tyre kanë pasur efekte anësore në ekonomi duke penguar rritjen. Kjo ka bërë që disa analistë të shprehen kundër këtyre masave, duke rekomanduar se politikanët duhet të bëjnë pak më shumë për të mbështetur ekonomitë e dëmtuara sot, dhe pak më pak për të parandaluar efektet e ardhshme afatgjata. Kjo teori presupozon që liderët europianë duhet të ndalojnë rritjen e taksave dhe uljen e shpenzimeve dhe të fokusohen në inkurajimin e konsumatorëve dhe investitorëve për të shpenzuar më shumë, si një mjet për të vënë në lëvizje ekonomitë vendase të eurozonës.
Projekti i vendeve anëtare të BE-së për të krijuar një bashkim fiskal bazuar në koordinimin e buxheteve kombëtare, mbetet i pasigurt për shkak të ligjshmërisë së tij, e cila bie jashtë Traktatit të Lisbonës. Gjithashtu, nuk dihet nëse ky projekt do të jetë politikisht i guximshëm të rrisë konfidencën e tregjeve europiane. Studiues thonë se eurozona ka kursime të mjaftueshme për të financuar të gjitha deficitet dhe të rrisë besimin e investitorëve. Ata shprehen se, nëse forcat kontradiktore të tregut të eurozonës ushqehen me veten e tyre – pra vetëfinancohen me burimet e tyre, rënia e Europës mund të jetë shumë e bujshme. Por, kjo zgjidhje do të kërkonte konsensusin ekonomik dhe politik të Bankës Qendrore Europiane, si dhe të shtete të pasura të Europës Veriore, siç është Gjermania, për të garantuar borxhin që u ka hapur sfidë ekonomive të Europës Jugore.
Situata në eurozonë mbetet kështu një hije e errët e ekonomisë botërore, por nuk është e vetmja. Tregjet në zhvillim mund, gjithashtu, të influencohen. Ekonomia e Kinës duket qartë qe është në ngadalësim. Edhe në qoftë se Pekini ndërmerr politika makroekonomike ekspansioniste të mjaftueshme për të parandaluar një ngadalësim drastik të ekonomisë, rritja këtë vit ka gjasa të mos e kaloje 8% normë vjetore. Por politikat kineze të “dumping”-ut janë njëkohësisht duke goditur edhe eksportuesit në Amerikën Latine. Duke marrë gjithashtu në konsideratë edhe probleme të vetë këtyre vendeve në zhvillim (deficite buxhetore, inflacion të lartë) si dhe efektet e krizës se euros, e cila do të influencojë pa dyshim rritjen në Europën Lindore dhe Turqi, mund të themi që ekonomitë në zhvillim do të rriten me vetëm rreth 5%. Kjo shifër shënon dhe performancën e tyre më të dobët të një dekade, pa llogaritur rënien globale të vitit 2009.
Surpriza e vetme pritet të vijë nga Shtetet e Bashkuara. Amerika pritet t’i tejkalojë disi parashikimet për rritjen ekonomike, jo sepse kjo rritje do të ngjitet në qiell, por sepse parashikimet për ekonominë më të madhe në botë janë tepër të ulëta. Për vitin 2012 parashikohet një rritje me vetëm 2%, nën limitet e kapaciteteve të kësaj ekonomie, dhe jo mjaftueshmërisht për të ulur nivelin e papunësisë.
Ndryshe nga Europa, Amerika e ka moderuar ritmin e politikave fiskale kontraktuese, duke sinjalizuar kështu që edhe pjesa tjetër e vitit nuk do të kalojë pa sfida fiskale. Në pamje të parë duket si receta e përsosur për të trembur investitorët. Shumë pak është bërë për të adresuar rrëmujën fiskale amerikane, apo për të zbutur rritjen e taksave dhe uljen e shpenzimeve që pritet në fund të vitit 2012. Por, nga ana tjetër, borxhi i brendshëm amerikan është ulur, tregu i banesave po tregon shenja stabiliteti, ndërsa ai i punës shenja jete.
Gjithsesi, vlen për t’u theksuar fakti që edhe në Amerikë, ashtu si në Europë, mbizotëron pasiguria politike. Amerikanët janë të shqetësuar rreth borxhit të vendit e, në të njëjtën kohë, të hutuar për zgjidhje të mundshme lidhur me këtë situatë. Në mes të këtij konfuzioni duhet të bëhet dhe diferenca, dhe të prioritizohet midis deficitit korent dhe borxhit afatgjatë të strukturuar. Nëse deficiti mund të anashkalohet momentalisht, ky i fundit është një problem tepër i madh ku duhet të fokusohet aktualisht ekonomia. Zgjidhja më optimale për borxhin afatgjatë amerikan është një kombinim i shkurtimit të shpenzimeve me një rritje të taksave, një zgjidhje për të cilën kanë rënë dakord dhe politikanët, duke argumentuar se kjo praktikë nuk do të përkeqësojë të ardhmen apo jetesën e amerikanëve, por thjesht do të sigurojë drejtësi për brezat e ardhshëm. Pikërisht këtu lind një problem tjetër, ruajtja e balancave nga një brez në tjetrin, duke qenë se brezi i ardhshëm pret më shumë benefite, shërbime sociale dhe kujdes më cilësor nga shteti. Pra, janë reforma që Amerika do të duhet t’i marrë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që dhe barra mbi brezat e ardhshëm të jetë sa më e vogël.
Historia tregon që krizat financiare janë pasuar nga vite dobësie ekonomike. Por shumë nga dhimbjet aktuale mund të ishin të evitueshme. Konfuzioni aktual lidhur me të ardhmen e eurozonës apo paraliza fiskale e Amerikës nuk justifikohen lehtë. Europianët nuk kanë nevojë të thellohen edhe më tej në probleme akoma dhe më komplekse. Kërkohen praktika me më shumë financim dhe më shumë reforma strukturore. Politikanët kanë vendosur një barrë të madhe mbi bankat qendrore, të cilat, të ndodhura para një situate të tillë, do të duhet të marrin masa më të rrepta. Por, a do të mjaftojë kjo për të rikuperuar gabimet e politikës dhe ekonomisë? Ndoshta 2012-a do të jetë një vit me një ngadalësi dhe dembelizëm të vetinduktuar, ku politikanët me dhimbje duhet tashmë të fillojnë të mendohen për detyrat e shtëpisë. Komoditeti ekonomik i dekadave të shkuara nuk mund të arrihet pa përpjekje të renduara midis politikës dhe ekonomisë. Rritja e madhe ekonomike e shijuar deri tani nga Amerika dhe Europa Perëndimore nuk do të mund të ndodhë më artificialisht pa një përqasje të ngushtë të politikave ekonomike jashtë lobingjeve të ngushta politike botërore. Është interesant fakti që disa ekonomistë e kanë quajtur Europën si një civilizim ekonomiko-shoqëror në “zhdukje”, i cili për fat të keq, këto dekada u fokusua në konsumin e të mirave materiale të grumbulluara, pa kreativitet të mëtejshëm ekonomik.
Mbase kjo situatë nuk është edhe aq e zymtë sa duket për vendet në zhvillim. Mbase bota po shkon drejt ndryshimit të balancave të reja ekonomike. Sipas një studimi të bankës britanike “HSBC”, në vitin 2050 kryesimi i ekonomisë botërore do të jetë nga Kina, e ndjekur nga Amerika. Në dhjetëshen kryesuese të ekonomisë botërore do të kenë zënë vend vende si India, Brazili dhe Meksika. Ky studim tregon gjithashtu se vende si Turqia, Malajzia, Argjentina, Egjipti, Indonezia, do të jenë përpara vendeve të zhvilluara europiane si Danimarka, Norvegjia, Finlanda dhe Suedia.
*Drejtor i Fondeve Kombëtare në Ministrinë e Financave

© Panorama.al

Te lidhura