Më pak para për pronarët dhe të përndjekurit
Qeveria ka rishikuar kuadrin makrofiskal 2012-2014, duke prekur shumicën e zërave, ku nuk bëjnë përjashtim as fondet për rritjen e pagave, pensioneve, fondi për ish të përndjekurit apo ish-pronarët.Tregues për një qeveri që ka filluar të ndiejë se duhet të jetë më kursimtare është fakti që është hequr plotësisht fondi për kompensimin e energjisë elektrike. Ky zë në kuadrin e miratuar në shkurt ishte parashikuar që të ishte 500 milionë lekë për 2012-n, 600 milionë për 2013-n dhe 700 milionë për 2014-n.
Paga dhe pensione
Në kuadrin makrofiskal të rishikuar, paratë e destinuara për rritjen e pagave kanë pësuar ulje, kjo nëse krahasimin e bëjmë me kuadrin e miratuar në shkurt. Kështu, nëse fillimisht për vitin 2012 ishin parashikuar 1.5 miliardë lekë që do të shkonin për rritjen e pagave, tashmë me kuadrin e ri parashikohen 1.3 miliardë lekë për këtë politikë. Sakaq, të njëjtën ulje ka pasur ky fond edhe për vitin 2013, kurse për vitin 2014 qeveria ka vendosur të mos bëjë shkurtim, fondi do të mbetet 1,5 miliardë lekë. Ndërkaq, në rishikimin e kuadrit makrofiskal duket se ndryshimet kanë prekur edhe paratë e parashikuara për rritjen e pensioneve, madje në një masë më të madhe sesa pagat. Kështu, nëse fillimisht në shkurt kuadri parashikonte 2.1 miliardë lekë për vitin 2012, kuadri i rishikuar ul me 450 milionë lekë këtë fond, duke e çuar në 1.6 miliardë lekë. Për vitin 2013, fondi i rishikuar është 1.7 miliardë lekë apo 600 milionë më pak sesa fondi i shkurtit, që ishte 2.3 miliardë lekë. Ulja më e madhe është bërë për vitin 2014 në fondet e pensioneve, ku nga 2.5 miliardë lekë të parashikuara për rritjen e tyre, vlera e rishikuar është 1.8 miliardë lekë apo 700 milionë lekë më pak.
Të përndjekurit dhe pronarët
Tendenca për një kuadër makrofiskal më realist duket se ka detyruar qeverinë të shkurtojë fondet edhe të atyre që në fakt janë pjesa më besnike që e mbështet, siç janë ish të përndjekurit. Nëse në shkurt parashikohej që për vitin 2012 në dispozicion të këtij kontingjenti të shkonte 2.5 miliardë lekë, me ndryshimin e fundit parashikohet që fondi të jetë 2 miliardë lekë. Për vitin 2013, qeveria parashikon të shpenzojë 2.3 miliardë lekë për ish të përndjekurit, kur në fakt fondi i parashikuar në shkurt ishte plot 3 miliardë lekë. Të njëjtën ulje prej 700 milionë lekësh pëson fondi edhe për vitin 2014, ku nga 3.2 miliardë lekë të parashikuara më herët, rishikimi i kuadrit e ul këtë fond në 2.5 miliardë lekë. Ish-pronarët gjithashtu do të marrin më pak para në tri vitet e ardhshme, sipas parashikimit të qeverisë. Nëse me kuadrin e miratuar në shkurt për vitin 2012 ata do të merrnin 2.2 miliardë lekë, me kuadrin e ri ata marrin 2 miliardë lekë. Por shkurtimet për vitin 2013 janë edhe më të mëdha në fonde, ku nga 3.4 miliardë lekë të parashikuara fillimisht, fondi ka shkuar 2.2 miliardë lekë pas rishikimit, me një ulje 1.2 miliardë lekë. Pothuajse në të njëjtat nivele është ulja edhe për vitin 2014, kur nga 3.8 miliardë lekë të parashikuara fillimisht për kompensimin e ish-pronarëve, tashmë fondi ka shkuar 2.5 miliardë lekë.
Më pak para edhe për ndihmën ekonomike
Familjet që marrin ndihmë ekonomike gjithashtu janë prekur nga nisma e qeverisë për të kursyer. Nëse për to fillimisht ishte parashikuar një fond prej 18 miliardë lekësh, ky fond tani është ulur në 17.3 miliardë lekë. E njëjta ulje prej 700 milionë lekësh bëhet edhe për vitin 2013, kurse për vitin 2014 ulja është 600 milionë lekë, ku nga 20 miliardë lekë të parashikuara në fillim, kuadri i ri parashikon 19.4 miliardë lekë për ndihmën ekonomike.
200 milione leke
ka ulur qeveria nga fondi i parashikuar në kuadrin e miratuar në shkurt për rritjen e rrogave në vitin 2012. Fillimisht ajo kishte parashikuar 1.5 miliardë lekë, ndërsa tani 1.3 miliardë lekë
450 milione leke
ka ulur qeveria nga fondi i parashikuar në kuadrin e miratuar në shkurt për rritjen e pensioneve në vitin 2012. Fillimisht kishte parashikuar 2.1 miliardë lekë, ndërsa tani 1.6 miliardë lekë
1.3 miliarde leke
e ul qeveria fondin për dëmshpërblimin e ish-pronarëve për vitin 2014. Në kuadrin e miratuar në shkurt, ajo parashikonte 3.8 miliardë lekë, ndërsa me kuadrin e rishikuar 2.5 miliardë lekë
Qeveria rishikon edhe rritjen e GDP, do ulet
Me uljen e optimizmit për të ardhurat, rrjedhimisht dhe për më shumë shpenzime, qeveria ka parë të arsyeshme të shohë edhe GDP-në me tendencë uljen e saj. Paralelisht janë rishikuar edhe dy nga pikat kyçe të buxhetit, që janë bërë shpesh pika kritikash nga institucionet ndërkombëtare, siç janë deficiti dhe borxhi publik. Kuadri i ri makrofiskal sjell një GDP më të moderuar dhe më pak optimiste se ajo e parashikuar në shkurt të këtij viti. Kështu, për vitin 2012 qeveria ka ulur parashikimin e saj me 15.3 miliardë lekë, për vitin 2013 ulja është plot 35 miliardë lekë, ndërsa për vitin 2014 ulja është 50 miliardë lekë. Fakti që ndryshimet e GDP-së i kalojnë dhjetëra miliardat, reflektojnë një kuadër makrofiskal të hartuar në një klimë të plotë optimizmi, kurse ndryshimet e bëra së fundmi janë një tregues i rivlerësimit të rrisqeve dhe klimës ekonomike globale. Mbështetës i këtij argumenti mbetet dhe ulja e parashikimeve për borxhin publik dhe deficitin buxhetor. Meqenëse FMN-ja dhe Banka Botërore kanë bërë thirrje të vazhdueshme për më shumë kujdes nga qeveria, për këto dy pika duket se kjo e fundit ka vendosur të ulë parashikimet e saj. Kështu, deficiti krahasuar me parashikimin e kuadrit të shkurtit për 2012-n ulet me 1.2 miliardë lekë, për 2013-n me 1.8 miliardë lekë dhe për 2014-n me 2 miliardë lekë. Sakaq, edhe borxhi publik ulet me 3.4 miliardë lekë për vitin 2012, me 12 miliardë lekë për 2013-n dhe me 22 miliardë lekë për 2014-n.
Kriza, qeveria korrigjon buxhetet
Ecuria e ekonomisë shqiptare edhe pse e trumbetuar fort nga qeveria për pozitivitetin e peformancës, nuk i ka dhënë besimin e mjaftueshëm kësaj të fundit të vazhdojë të mbajë të njëjtin optimizëm për parashikimet.Në kuadrin e rishikuar makro-fiskal për vitet 2012-2014, qeveria ka preferuar që të rishikojë buxhetet sipas viteve, duke i ulur krahasuar me shifrat e publikuara në shkurt. Diferenca e parashikimeve shkurt-gusht për buxhetet vërteton faktin që qeveria tashmë edhe pse jo drejtpërdrejt me deklarata, me shifra pranon krizën dhe frikën ndaj saj. Kështu, ndryshimi në kuadrin e rishikuar për vitin 2012 është me një ulje 11 miliardë lekë, ndërsa për vitin 2013 diferenca është 21 miliardë lekë. Për vitin 2014, qeveria ka ulur parashikimin e saj me 32 miliardë lekë. Por, pesimizmi i qeverisë tashmë vërehet edhe tek parashikimi i të ardhurave. Nëse në shkurt në kuadër ajo parashikoi që për 2012-n të ardhurat do të ishin 377 miliardë lekë, tashmë me kuadrin e rishikuar këto të ardhura parashikohen 367 miliardë lekë apo 10 miliardë më pak. E njëjta tendencë shihet edhe tek të ardhurat e parashikuara për dy vitet e tjera, ku ndryshimi për vitin 2013 është 19 miliardë lekë dhe për 2014-n 30 miliardë lekë më pak. Ulja e parashikimit të të ardhurave sigurisht që bazohet në një besim pesimist për më pak taksa të mbledhura apo për një ekonomie me një performancë relativisht të mirë. Por, rrjedhimisht më pak para të mbledhura në arkën e shtetit parashikojnë edhe më pak shpenzime. Në kuadrin makro-fiskal 2012-2014, qeveria ka shkurtuar shumicën e zërave të shpenzimeve ku bie në sy mes të tjerash edhe shkurtimi i investimeve. Kështu, nëse për 2012-n në kuadrin e shkurtit parashikoheshin 75 miliardë lekë investime, tashmë me kuadrin e rishikuar për investimet parashikohet një fond 72 miliardë lekë. Më pak para për investime do të ketë edhe në 2013-n, ku ndryshimi i parashikimeve shkurt-gusht është plot 9 miliardë lekë, kurse për vitin 2014 ky ndryshim kulmon me 21 miliardë lekë më pak. Rishikimi i gjithë kuadrit vjen pas kritikave të vazhdueshme të FMN-së, e cila gjatë misionit të fundit në vendin tonë i bëri thirrje qeverisë që të hartojë buxhete më realistë.
377 miliarde leke
ishin parashikuar të ardhurat për vitin 2012 në kuadrin e miratuar në shkurt. Kuadri i rishikuar ul parashikimin me 10 miliardë lekë, duke i çuar të ardhurat për 2012-n në 367 miliardë lekë
420 miliarde leke
ishin parashikuar shpenzimet për vitin 2012 në kuadrin e miratuar në shkurt. Kuadri i rishikuar ul parashikimin me 11 miliardë lekë, duke i çuar shpenzimet në 408 miliardë lekë për vitin 2012
3.5 miliarde leke
është diferenca e parashikimeve të qeverisë për shpenzimet në investime për vitin 2012. Për 2013-n, kjo diferencë është 9.8 miliardë lekë, kurse për 2014-n diferenca është plot 21 miliardë lekë
8.2 miliarde leke
është diferenca e parashikimeve për shpenzimet korrente për vitin 2012 në kuadrin e rishikuar makro-fiskal, krahasuar me kuadrin e miratuar në shkurt. Qeveria do shpenzojë 331 miliardë lekë
Frika, Rritet fondi i kontigjencave
Frika e qeverisë për situatën ekonomike dhe rrisqet e mundshme reflektohen edhe në faktin që kjo e fundit, edhe pse ka parashikuar një ulje të deficitit dhe të borxhit publik, ka rritur fondin e kontigjencave. Nëse në kuadrin e miratuar në shkurt kontigjencat parashikoheshin 3.5 miliardë lekë për 2012-n, 5.5 miliardë për 2013-n dhe 8.5 miliardë për 2014-n në kuadrin e rishikuar ka rritje. Kështu, për vitin 2012 kontigjenca është rritur me 500 milionë lekë dhe po kështu edhe për 2013-n, ndërsa për 2014-n rritja e fondit të kontigjencës është 1.5 miliardë lekë.
Ulja e TVSH tregon rënien e konsumit
Në kuadrin makro-fiskal 2012-2014, qeveria parashikon edhe një rënie të TVSH-së, çka reflekton direkt një rënie të konsumit në vend. Nëse fillimisht për 2012 ishin parashikuar 140 miliardë lekë të ardhura nga TVSH-ja, në kuadrin e rishikuar shifra shkon në 129 miliardë lekë, pra plot 11 miliardë lekë më pak.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











