Kriza, kreditë e këqija, ja sektorët më problematikë

Aug 21, 2011 | 11:12

Rregullsia me të cilën një biznes kthen kredinë e marrë në bankë ka të bëjë shumë dhe me sektorin në të cilin ky i fundit klasifikohet.Banka e Shqipërisë, në raportin e saj të vitit të kaluar, ka bërë një ndarje të kredive të këqija për çdo sektor, duke e krahasuar këtë me totalin që ky sektor ka përfituar, si dhe me peshën që ka kredia me probleme në totalin e kredisë së dhënë për të gjithë sektorët. Sipas Bankës së Shqipërisë, deri në fund të vitit 2010, nga totali i kredive të marra, sektori i ndërtimit rezulton më problematiku. Niveli i kredive me probleme për këtë sektor është 19.8 për qind, ndërkohë që pesha që zë kreditimi i këtij sektori nga totali është 13.9 për qind. Lista e sektorëve problematikë pasohet nga “industria përpunuese” me rreth 15.2 për qind dhe “tregtia, riparimi i automjeteve dhe artikujve shtëpiakë” me rreth 13.8 për qind. Sektorët e tjerë që kanë një pjesë tjetër të kredive me probleme janë: peshkimi, ku nga totali i kredive të marra nga ky sektor rezulton që 18.9 për qind të jenë me probleme, por pesha që kjo kredi zë nga totali (69.9 për qind), është 0.2 për qind, pra pothuajse e papërfillshme në vlerë; hotelet dhe restorantet së bashku me telekomunikacionin, kanë gjithashtu nivele të larta të kredive me probleme brenda sektorit, por, nga totali i portofolit, pesha e tyre është e ulët. Përveç bizneseve, janë edhe individët ata që kreditohen. Rreth 11.8 për qind e qytetarëve që kanë marrë një kredi, nuk kanë mundësi që ta kthejnë atë. Në totalin e portofolit të kredisë, qytetarët kanë përfituar nga bankat 30.1 për qind të parave dhe nga këto, niveli i atyre që nuk e kthejnë dot kredinë sërish, mbetet më i moderuar.

19.8 per qind
të totalit të portofolit të kredive me probleme i përkasin sektorit të ndërtimit. Banka e Shqipërisë vlerëson se ky sektor mbetet më problematiku në kthimin e parave të marra nga bankat.

Rritja e kreditimit

Tregtia, ndërtimi dhe industria përpunuese gjatë 2010-s kanë pësuar rritjen më të lartë të kredisë në terma absolutë të llogaritur në miliarda lekë. Sipas Bankës së Shqipërisë, sektori i tregtisë ka përfituar një rritje 15.9 miliardë lekë, ndërtimi 6.5 miliardë lekë dhe industria përpunuese 4.9 miliardë lekë.

Tabela e kredive të këqija

Bizneset                15.1
Bujqësia, e silvikultura        23.4
Peshkimi                18.9
Industria nxjerrëse            13.7
Industria përpunuese        15.2
Energji, gaz dhe uji             7.8
Ndërtimi                19.8
Tregtia, riparimi i automjeteve
dhe artikujve shtëpiakë        13.8
Hotelet dhe restorantet        22.7
Transporti, magazinimi
dhe telekomunikacioni        23.0
Ndërmjetësim monetar        0.2
Pasuritë e patundshme        31.0
Administrimi publik            53.0
Arsimi                    12.1
Shëndeti e vepr. Sociale        21.1
Shërbime kolek. e individ.        12.2
Të tjera                3.9
Individët                1.8
Totali                    14.1

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura