Nëse me shifra Shqipëria e kaloi krizën, xhepi i shqiptarëve duket se nuk ka arritur ende ta bëjë këtë. Treguesit për ecurinë ekonomike që komplimentohen nga të huajt, nuk balancojnë treguesit e tjerë realë që reflektojnë se individët dhe biznesi ndihen më të varfër dhe të pasigurt.Të dhënat e fundit të një sërë institucionesh në vend por edhe jashtë, tregojnë se kriza e vërtetë është ende prezent dhe ushqehet nga një konsum i ulët si rrjedhojë e pasigurisë konsumatore, nga investime të huaja të ulëta dhe një papunësi në rritje. INSTAT publikoi dje indeksin e tregtisë me pakicë në vend për tremujorin e parë të këtij viti, i cili rezulton me një ulje të theksuar, krahasuar me një vit më parë, gjithashtu edhe me tremujorin paraardhës. “Indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë në tremujorin e parë 2011 arriti 155.0 për qind. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është ulur 5.9 për qind, ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës është ulur 12.3 për qind”, thuhet në raportin e INSTAT. Ulja e konsumit në vend për këtë vit është konfirmuar edhe nga Banka e Shqipërisë, në daljet publike të guvernatorit, duke e lidhur këtë me pasigurinë që kanë qytetarët për të shpenzuar. Në anën tjetër qëndron biznesi, i cili vijon të mbetet i pasigurt. Ministria e Financave dhe BSH edhe për këtë pjesë kanë qenë të një mendimi, kur kanë theksuar se ekonomia vijon të prodhojë nën kapacitetin e saj. Biznesi i pasigurt nuk ka pranuar të zgjerojë investimet e, për rrjedhojë, as punësimin që shfaqet në vlera më të ulëta në raportin e fundit të INSTAT. “Indeksi i punësimit në “Tregtinë me pakicë”, në tremujorin e parë të këtij viti arriti 165.0 për qind. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ky indeks është ulur 1.7 për qind. Në grupin “Tregtia dhe riparimi i automjeteve”, indeksi i punësimit në tremujorin e parë të këtij viti arriti 191.2 për qind me rënie 1.3 për qind, kundrejt së njëjtës periudhë të vitit të kaluar”, thuhet në raportin e INSTAT. Një tjetër tregues që i shtohet pasigurisë që ekziston në ekonomi është edhe ajo e investimeve të huaja direkte. Raporti i fundit statistikor i Bankës së Shqipërisë tregon se investimet e huaja direkte kanë rënë në mënyrë ekstreme. Nëse në tremujorin e katërt të 2010-s këto investime kishin vlerën 250 milionë euro në tremujorin e parë të këtij viti, vlera e tyre është vetëm 53 milionë euro. Në sytë e investitorëve të huaj, Shqipëria vijon të mbetet e pasigurt për investime, kurse në shifrat e statistikave europiane në vijojmë të mbetemi vendi i fundit për nga fuqia blerëse. Eurostat ka publikuar dy ditë më parë të dhënat për GDP-në për frymë, e matur sipas fuqisë blerëse, duke marrë si standarde mesataren europiane në vlerën 100. Këto janë të dhënat e para që Eurostat publikon lidhur me vitin 2010 dhe vendi ynë, krahasuar me një vit më parë, ka shënuar një rritje me vetëm 2 pikë përqindje, por sërish mbetet i fundit në BE me një vlerë 29 për qind, krahasuar me 100 që është mesatarja. Kjo mund të shihet edhe si pozitive, në kohën kur një pjesë e vendeve fqinje kanë shënuar ulje të vlerës krahasuar me një vit më parë. Para nesh ndodhet Bosnjë- Hercegovina me 30 për qind, Serbia me 35 për qind, Maqedonia me 35 për qind apo Mali i Zi me 40 për qind.
12.3 per qind
është ulur indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2010, ndërsa krahasuar me periudhën janar-mars 2010 është ulur 5.9 për qind
29 per qind
është vlera e GDP-së për frymë sipas fuqisë blerëse të Shqipërisë, e llogaritur nga Eurostat për vitin 2010, e krahasuar kjo me mesataren e BE-së, që është
100 për qind
GDP për fryme sipas fuqise blerese
. Mesatarja e BE-së 100%
. Shqipëria 29 %
. Maqedonia 35 %
. Bosnjë-Hercegovina 30 %
. Serbia 35 %
. Kroacia 61%
. Mali i Zi 40 %
. Turqia 48%
. Bullgaria 43 %
. Rumania 45%
. Greqia 89%
. Sllovenia 87%
. Italia 100%
. Luksemburgu 283%
. Holanda 134%
NERTILA MAHO
© Panorama.al











