Kriza, Greqia shkurton administratën, shet ishujt

Aug 24, 2012 | 13:26

Samaras: Mund të përdorim tokën e pabanuar në këmbim të të ardhurave.

Pas takimit me kreun e Eurogrupit dhe një ditë para vizitës së tij në Berlin, Kryeministri grek Antonis Samaras ka paralajmë-ruar hapa konkrete kundër krizës, duke hartuar një plan për reduktimin e punonjësve në administratën publike. Sipas të dhënave, në Greqi rreth 750 mijë veta janë të punësuar në administratën shtetërore,   për popullsinë prej rreth 11 milionë banorësh. Kjo e bën Greqinë vendin me administratën më të “fryrë” në Bashkimin Europian. Samaras kishte kërkuar që të evitoheshin shkurtime të tjera në administratë për të evituar tensionet publike, edhe pse Trojka e ka propozuar disa herë këtë masë gjatë vizitave të fundit. Por tani nuk ka rrugë tjetër. Kreu i Eurogrupit, Xhunker, ka paralajmëruar se ky është shansi i fundit dhe Kancelarja gjermane, Merkel, ka deklaruar publikisht se nuk ka më lëshime. Plani për shkurtime nga administrata publike parashikohet të nxjerrë mijëra persona në asistencë, kryesisht në sektorët dytësorë të administratës. Një tjetër masë që mund të jetë i detyruar të marrë Samaras, është shitja e shumëpërfolur e ishujve grekë. Kërkesa e Samaras për më shumë kohë që do të paraqitet edhe gjatë vizitës së tij në Berlin dhe Paris këtë javë, ka nxitur sugjerime se qeveria e tij mund të nxjerrë në shitje ishujt e vendit për të ndihmuar në rigjallërimin e planit për shitjen e aseteve shtetërore, pjesë e reformave në këmbim të marrjes së huas ndërkombëtare. Samaras tha për gazetën franceze “Le Monde” në një intervistë të publikuar dje, se ishujt e pabanuar grekë mund të përdoren për të gjeneruar të ardhura, duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse Greqia mund të shiste ndonjë nga ishujt e saj. “Me kushtin se ky nuk paraqet një rrezik të sigurisë kombëtare, disa prej ishujve mund të përdoren komercialisht”, tha Samaras në këtë gazetë. “Nuk do të jetë rasti i ‘heqjes qafe’ të ishujve, por transferimi i terrenit të papërdorur në kapital që mund të gjenerojë të ardhura për një çmim të drejtë”, shtoi ai.

Merkel, darkë me Holande për Greqinë
Kancelarja gjermane Angela Merkel darkoi mbrëmë në Berlin me Presidentin francez Nikolas Sarkozi, për të diskutuar në përpjekje për të unifikuar qëndrimet e tyre të kundërta mbi zgjidhjen e krizës në eurozonë dhe kryesisht asaj në Greqi. Takimi i tyre po mbahet një ditë përpara vizitës në Berlin e më pas në Paris të Kryeministrit grek, Antonis Samaras, i cili do të tentojë të japë garanci se vendi i tij i ka kapacitetet për të larë borxhin ndaj partnerëve të tij të eurozonës. Qëndrimi i Holande është më i zbutur se ai i kancelares Merkel. Ndërsa pala gjermane ka deklaruar se nuk jep më para nëse Greqia nuk kryen deri në fund reformat (madje nuk jep më as kohë që u kërkua nga Kryeministri Samaras gjatë takimit me kreun e Eurogrupit, Xhunker), Holande ka kërkuar të jepet pak dritë në fund të tunelit për Greqinë. Ai është pro politikave të zhvillimit ekonomik krahas atyre të kursimit dhe është më tolerant për sa i përket programit të paketës së shkurtimeve. Kancelarja Merkel u shpreh se grekët janë në rrugën e duhur e se duhet të vazhdojnë reformat dhe ndryshimet strukturore”. Pas takimit, në deklaratat e përbashkëta ata pohuan se do të bëjnë gjithçka për të shpëtuar euron dhe se dëshirojnë që Greqia të qëndrojë në eurozonë, por sërish kërkohet zbatimi i reformave nga pala greke. Dy liderët e vendeve më të fuqishme të eurozonës nuk dolën në asnjë përfundim, përveçse siç kanë deklaruar edhe para takimit, për çdo vendim do të presin raportin e Trojkës në vjeshtë.

Shaubëll
Ministri gjerman i Financave i është përgjigjur paraprakisht Kryeministrit grek në kërkesën e tij “për pak ajër”, duke iu referuar kohës për të zbatuar reformat, se “t’i japësh më shumë kohë Greqisë për të shkurtuar shpenzimet, nuk do t’i zgjidhë problemet e saj ekonomike”. Por ministri ka pranuar se Berlini zyrtar është i vetëdijshëm për situatën e vështirë greke. “Të japësh më shumë kohë do të thotë të japësh më shumë para, por eurozona e ka arritur kufirin e mbështetjes”, theksoi Shaubëll në mediat gjermane. Ai shtoi se “vendet e eurozonës do të tregoheshin pa mend, nëse nuk do të mendonin për një plan emergjence në rast se iniciativat në fjalë për zgjidhjen e krizës do të dështonin”.

© Panorama.al

Te lidhura