Kriza energjetike prek buxhetin, do rishikohet

Feb 23, 2012 | 12:59

Kreu i qeverisë pranon se paratë e kontigjencës nuk mjaftuan.

Do preken shpenzimet e administratës, jo shtim të borxhit.

Buxheti i këtij viti pritet që shumë shpejt t’u nënshtrohet shkurtimeve të qeverisë, e cila duhet medoemos të ndihmojë KESH-in për shkak të importit të energjisë. Fondi i kontigjencave prej 2 miliardë lekësh që u dha, duket se nuk është i mjaftueshëm dhe se për të garantuar furnizimin në vijim të Korporatës do t’i duhen të tjera fonde që qeveria duhet t’i gjejë. Në këtë pikë, dy janë variantet e qeverisë, ajo e marrjes borxh, çka do të rrisë direkt nivelin e borxhit publik ose shkurtimet, që duket se është edhe opsioni që do zbatohet. Burime nga Ministria e Financave bëjnë me dije se po merret në konsideratë shkurtimi i fondeve nga disa zëra të buxhetit por i pari që do të preket është ai i shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes. Përmes kësaj qeveria pritet të vërë në “dietë letre dhe boje” institucionet shtetërore. Ky zë në buxhetin e vitit 2012 është 29 miliardë lekë. Nga ana tjetër, nëse shkurtimet e bëra në këtë zë nuk do të jenë të mjaftueshme, duket se “gërshërët” do të jenë gati për fondet në zërin e shpenzimeve kapitale. Për të garantuar paratë, për KESH qeveria mund të sakrifikojë investime publike të planifikuara. Zëri i shpenzimeve kapitale në buxhetin e këtij viti është 69.8 miliardë lekë. Tashmë nga buxheti janë prekur fondet e kontigjencës, të cilat nga 4.7 miliardë lekë kanë mbetur 2.7 miliardë pasi Korporata Elektroenergjetike Shqiptare mori një pjesë të këtij fondi për të siguruar importin e energjisë, i cili duhet theksuar, arriti çmime rekord për shkak të ofertës së ulët në treg.
Berisha
Ndryshimet në buxhetin e këtij viti i konfirmoi dje edhe Kryeministri Sali Berisha. Kreu i qeverisë gjatë mbledhjes së djeshme shprehu këtë gatishmëri për ndryshim të buxhetit, duke vënë theksin në synimin për të mos lënë vendin pa energji. “Nuk kemi një situatë të ndryshuar në kaskadën e Drinit, por ne do të vazhdojmë të blejmë energji. Në çdo rast, jemi të gatshëm të çojmë edhe buxhetin në Parlament, për të gjitha shkurtimet e nevojshme, në mënyrë që të bëjmë gjithçka që energjia, që e konsiderojmë njëlloj të rëndësishme si bukën, ujin dhe medikamentet, të mos mungojë”, u shpreh ai. Nga ana tjetër, Berisha argumentoi se problemet në tregun energjetik rajonal pritet të zgjidhen, pasi disa vende që ndaluan eksportin apo transmetimin e energjisë tashmë kanë rifilluar këto procese. Gjithsesi, përkundër çmimeve të larta me të cilat është blerë energjia, këto kohë kreu i qeverisë theksoi se nuk do të lejohet mungesa e energjisë në asnjë mënyrë për shkak të çmimit. “Parimi ynë është një dhe i pandryshueshëm: çmimi më i lartë i energjisë është mungesa e saj. Çka do të thotë se ne nuk pranojmë të lëmë vendin as edhe një minutë pa energji për shkak të çmimit”, u shpreh ai.

Administrata, 106 punonjës në shumë
Qeveria ka vendosur të rrisë numrin e punonjësve me kontratë të përkohshme, duke e çuar atë në 521. Në vendimin e miratuar dje gjatë mbledhjes së qeverisë, përcaktohet kjo shtesë si dhe efektet në buxhet. “Numri i punonjësve me kontratë të përkohshme, për vitin 2012, në njësitë e qeverisjes qendrore bëhet 521 veta. Shtesa prej 106 punonjësish është e detajuar dhe i bashkëlidhet këtij vendimi”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Shpronësimet
Pronarët e pasurive të paluajtshme që preken nga shpronësimet për shkak të ndërtimit të Unazës së Madhe të Tiranës, do të marrin rreth 1.8 miliardë lekë nga buxheti. Qeveria ka miratuar përmes një vendimi, ditën e djeshme, tabelat përkatëse sipas pronarëve dhe pasurive që preken nga shpronësimi, ndërkohë që shpenzimet procedurale do të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.

Akciza, nga 1 korriku do administrohet nga Doganat
Taksa e akcizës, e cila aktualisht administrohet nga dy drejtori si nga Tatimet ashtu edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, do të kalojë vetëm tek njëra prej tyre. Përmes një vendimi të miratuar dje, qeveria vendosi që të jenë Doganat ato që do të administrojnë këtë taksë. “Nga data 1 korrik 2012, taksa e akcizës administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave”, thuhet në vendim. Deri më sot, administrimi i akcizës bëhet nga administrata doganore për mallrat e importit dhe nga administrata tatimore për mallrat e akcizës që prodhohen në vend. Propozimi që të jetë vetëm njëra drejtori që merret me administrimin e akcizës, u bë nga Ministria e Financave si një argument që do t’i shërbejë uljes së evazionit fiskal. Një nismë për të ulur këtë në sektorin e hidrokarbureve, pra në tregtimin e naftës, duket se është edhe ajo e zhvillimit të tenderit për përzgjedhjen e koncesionarit që do të mbajë ngjyrën që do i jepet naftës. Nëse gjatë kontrolleve do të rezultojë që nafta nuk ka në përmbajtjen e saj ngjyrën që do të përcaktohet me vendimet përkatëse, atëherë do të ndërmerren masa.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura