
Ministri: Do presim dy muaj, më pas mund të ndryshojmë buxhetin.
KESH është i detyruar të importojë një pjesë të mirë të energjisë elektrike në kushtet kur nuk ka asnjë përmirësim të situatës hidrike në vend. Qeveria është dorëzuar përpara kësaj, duke pranuar se Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare i duhet dhënë një tjetër ndihmë financiare, nismë të cilën e konfirmoi dje kreu i Ministrisë së Financave, Ridvan Bode. Ai u shpreh se aktualisht po shihen mundësitë për të bërë një financim paraprak për KESH-in, në mënyrë që të vijojë importi. Paratë që do të shkojnë për Korporatën, sikurse u shpreh dje ministri Bode, do të merren nga fondi i kontingjencave në buxhetin e këtij viti.
Ndihma e parë e qeverisë për KESH-in do të bëhet për të siguruar energji të paktën për shkurtin dhe marsin, ndërkohë që çdo lëvizje tjetër e qeverisë do të varet nga ecuria e situatës hidrike në vend. Kjo e fundit nuk është paraqitur aspak e favorshme për prodhimin e energjisë. “Kontingjenca është e mjaftueshme për një furnizim një deri në dy muaj me energji elektrike, në kushtet që kemi aktualisht, ku situata hidrike është jashtëzakonisht e pamjaftueshme. Ndërhyrjet në buxhet mund të bëhen dhe mund të shikohen”, tha dje Bode. Kreu i Financave u shpreh se çdo lëvizje e qeverisë për të ndërhyrë në buxhet do të marrë autorizimin e Kuvendit.
Situata hidrike
Nga ana tjetër, lidhur me situatën hidrike, vihet re se prurjet në hidrocentrale kanë vijuar të jenë të ulëta, por krahasuar me pak javë më parë, vihet re një përmirësim. Për momentin duket se shpresa e vetme për KESH-in dhe qeverinë mbeten temperaturat. Rritja e tyre muajt në vijim do të sjellë shkrirje të borës dhe rrjedhimisht përmirësim të situatës hidrike e rritje të prodhimit në HEC-e. Aktualisht niveli i hidrocentralit të Fierzës, që është edhe më i madhi në kaskadën e Drinit, është 262.3 metra dhe prurjet janë 90 m3/s, liqeni i HEC-it të Komanit ka arritur 171 metra, kurse Vau i Dejës 73.4 metra. Konsumi këto ditë me të ftohtë ekstrem ka arritur mbi 25 milionë kilovat/orë, nga të cilat 11 milionë importohen dhe pjesa tjetër prodhohet nga HEC-et në vend. Në dy dimrat e kaluar, prodhimi i energjisë ka qenë në nivele mjaft të mira, çka ka mundësuar edhe eksport të energjisë, duke siguruar kështu edhe të ardhura për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare. Krejt e kundërta ka ndodhur këtë dimër, kur situata është paraqitur vërtet kritike, pasi viti 2011 kishte një mungesë të theksuar shirash dhe çmimet e importit kanë pësuar rritje për shkak se situata ka qenë e ngjashme për gjithë rajonin.
© Panorama.alSituata në vend
Niveli i Fierzës 262.3 metraNiveli i Komanit 171 metra
Niveli i Vaut të Dejës 73.4 metra
Konsumi në vend 25 milionë kwh / ditë
Importi mesatar 11 milionë kwh / ditë
Prodhimi në vend 14 milionë kwh / ditë











