Kriza e ilaçeve mbërthen qsut-në

Aug 12, 2011 | 10:35
Ministri i Shendetesise, Petrit Vasili

Mungesa të ilaçeve, reagentëve në laboratorë dhe receta që jepen për t’u blerë në farmaci private. Shpesh pacientëve u diktohet edhe emri i farmacisë ku domosdoshmërisht duhet të sigurojnë barnat.Kriza e barnave ka përfshirë çdo pavijon të spitalit “Nënë Tereza”, më i madhi në vend. Nuk është gjë e re për të gjithë ata që halli i detyron të trokasin në dyert e pavijoneve për asistencë mjekësore. Edhe nëse nuk i kanë, duhet të marrin borxh paratë e ta kenë xhepin plot sa hyjnë në QSUT. Në të kundërt, nuk zgjidhin dot asnjë hall. Kjo panoramë shumëkujt s’i bën më përshtypje, ndonëse shërbimi shëndetësor duhet të jetë falas. Muaji gusht ka fluksin më të ulët të pacientëve. Është periudhë pushimesh e lejesh, ndërsa operacionet me përjashtim të rasteve urgjente, janë shtyrë për në shtator. Megjithatë, shumë prej pavijoneve janë plot. Tek 6-katëshi, thuajse të gjitha dhomat janë të zëna. Po kështu edhe në pediatri. Urgjenca ka dyndje fëmijësh. Të mjafton vetëm një xhiro nga dhoma në dhomë në të gjithë spitalin dhe merr qartazi përgjigjen e

Doreza plastike dhe ilaçe të blera nga vetë pacientët

pyetjes “A i blini vetë ilaçet?” Për fat të mire, diku na thanë “pjesërisht”. Por bëhej fjalë për medikamente që nuk kushtojnë “një lek” dhe spitali do të quhej i marrë fund, nëse nuk do t’i dispononte. Alarmante paraqitet situata në shërbimin e dializës, tek i cili pacientët na treguan qeset e mëdha me doreza plastike të blera vetë si dhe fashot. Gjithçka e blejnë me paratë e tyre. Tek gastropatologjia pacientët pranuan se blinin vetëm ilaçet e shtrenjta, ndërsa një pjesë ua siguronte spitali. Në kardiologji gjithashtu mungonte pjesa më e madhe e barnave. Edhe një pjesë të analizave të gjakut pacientët i kryenin në klinikat private. E njëjtë paraqitet situata edhe në pediatri. Mjekët dhe infermierët pranojnë krizën nën zë. Ngurrojnë të flasin hapur. Madje ka nga ata që të kërkojnë autorizim për t’u futur në pavijon e më pas të shpjegojnë se rrezikojnë vendin e punës. “Po ç’të të them shihe vetë, fol me të sëmurët. U bë muaj tashmë kjo punë. Ilaçe nuk ka”. Kjo ishte fjalia e thënë qetësisht nga një prej mjekëve me emër që takuam dje në spital. Drejtoria e QSUT prej javësh ka pranuar mungesat dhe ka premtuar se situata do të zgjidhet brenda shtatorit. Sipas krerëve të saj, tenderat janë drejt përfundimit. Në fakt, ky refren ka shumë vite që dëgjohet në spital ku pacientët paguajnë për të gjitha shërbimet që marrin e blejnë vetë medikamentet.

“Një ilaç për zemrën e blej sa gjysma e pensionit”

Sanie Çela, paciente e shtruar tek kardiologjia

Ka kaluar parainfarktin e dytë vetëm pak ditë më parë. Fillimisht të fikson dhe ngurron të tregojë nëse paguan për ilaçet e shëndetit të saj. Pastaj buzëqesh e hap sirtarin.“Ja shihe vetë. Këtë ma bleu djali sot në mëngjes. Është gati sa gjysma e pensionit që unë marr. Nëse s’do kisha djalin, do kisha vdekur. S’kam para ta blej dhe spitali nuk e ka”. Ky është rrëfimi i Sanie Çelës, e shtruar prej dy ditësh në pavijonin e kardiologjisë të QSUT. Na tregon ilaçin “Nexium”, në pullën e së cilit çmimi është 3980 lekë. Sania shprehet se për pensionistët që kurohen në spital është e papërballueshme. “Shëndetësia është përtokë. Kam qenë dhe para ca muajsh në spital dhe bleva vetë kurën e veshkave. Ajo ishte akoma më e shtrenjtë. Kemi punuar një jetë dhe duhet të blejmë çdo gjë. Shyqyr kemi fëmijët, se ndryshe kishim shkuar në atë bote”, thotë ajo. Edhe pacientët e tjerë të këtij shërbimi pranojnë se blejnë vetë sidomos ilaçet e shtrenjta. “Ca të lira edhe janë, po ato s’të vrasin. Puna është tek këto të tjerat, që vetëm për një javë fatura të shkon 10 mijë lekë”, thotë një tjetër i sëmurë me zemër.
Dializa pa fasho
Në të gjithë spitalin 6-katësh të QSUT, nuk gjeje asnjë pavijon të supermbushur me pacientë si ai i dializës. Po kështu, zor se gjen ndonjë tjetër shërbim ku mungon gjithçka. Që nga dorezat plastike e fashot, deri tek ilaçet të lira e të shtrenjta. Pacientët janë të gjithë të irrituar. Nuk e kanë aspak problem të flasin e të tregojnë se u ka ardhur në majë të hundës nga e gjithë kjo situatë. “Nuk ka asgjë. Ja pyeti të gjithë. Fashon po e ndaj me këtë shokun tjetër. Dorashkat i kam blerë vetë. Ilaçet i sjellim vetë. Vetëm njëri na kushton më shumë se 200 euro. Spitali ka marrë fund. Është turp”, thotë Alexandër Thano, një prej pacientëve që sapo ka ardhur për turnin e tretë të dializës. Ai thotë se në këtë shërbim punohet me tre turne. E ndërsa dy të parat e bëjnë dializën nga 4 orë, turni i tretë e bën vetëm 2, maksimumi tre. “Nuk paguhen infermieret, prandaj duhet të mbarojmë herët. Është skandaloze situata”, thotë ai. Në dhomën me 9 shtretër, asnjëri nuk është i lirë dhe të gjithë pacientët pranojnë se mungon çdo gjë. Vetë personeli i mesëm që u shërben pacientëve nuk thotë asnjë fjalë. Pohon në heshtje. Pas ecejakeve në dhomë dhe bisedave me të sëmurët, vështrimi dhe shprehja e njërit prej tyre ishte tërësisht rrëqethëse. “Çohu të ikim se m’u ngrit tensioni. Unë nuk di ku do gjej lekët për të blerë ilaçet në seancën e rradhës po me zien koka. S’di ku të marr më borxh”. Këtë fjali i tha së shoqes njëri prej të sëmurëve, që për dje i dha fund dializës. Turnin e radhës e ka vetëm pas disa ditësh. Dializë kryejnë të gjithë ata persona që të dy veshkat i kanë jashtë funksionit. Shërbimi për ta duhet të jetë në nivele maksimale, pasi edhe risku për jetën është jo i vogël.

Ethet hemorragjike, vdes  në spital 39-vjeçari nga burreli

Një 39-vjeçar i prekur nga ethet hemorragjike ndërroi jetë dy ditë më parë në spitalin infektiv të QSU. Tre të tjerë jane nën kujdesin mjekësor. Lajmin e konfirmoi shefja e departamentit të sëmundjeve infektive ne ISHP, Silva Bino. Sipas saj, pacienti që humbi jetën shfaqi një prej formave më të rënda të sëmundjes, e cila kalon tek njeriu me anë të urinës së miut. “Pacienti nga burreli shfaqi një prej formave më të rënda të etheve hemoragjike me sindromë renale. Janë dhe 2 pacientë të tjerë që vuajnë nga i njëjti problem. Sëmundja ngjitet nga minjtë, kryesisht të arave. Prandaj, sidomos personat në zonat rurale duhet të bëjnë kujdes me ushqimet që konsumojnë”, tha Bino. Sipas saj, në spital ndodhen edhe dy pacientë të prekur nga virusi i Nilit Perëndimor, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Këta paciente janë rreth moshës 40-45 vjeç nga qyteti i Lezhës dhe Laçit. Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet nga mushkonjat. Sipas Binos, përveç virusit të Nilit, gjatë periudhës së verës janë shfaqur dhe ethet hemoragjike të Kongo-Krimesë. Këtë vit, vatrat e sëmundjes kanë qenë Burreli dhe Gramshi. “Edhe për ethet hermoragjike me sindrome renale, edhe për ethet hemoragjike të Kongo-Krimesë, bazë janë vektorët. Duhet të kryen dezinfektime për vatrat e infeksioneve”, tha Bino. Ajo bëri thirrje për ndërhyrje sa më të shpejtë për dezinfektimin dhe deratizim të zonave që janë vatra të këtyre sëmundjeve, për të ndalur përhapjen në njerëz. Ndonëse Instituti i Shëndetit Publik ka evidentuar disa zona të rrezikshme në Shqipëri, pushteti vendor nuk ka bërë asgjë për të shmangur infektimin e popullatës nga sëmundjet që e kanë origjinën nga vektorët. ISHP ka futur në kalendarin kombëtar të vaksinimit vetëm 2 vaksina për t’u mbrojtur nga meningjitet bakteriale, si vaksina e pneumokokut dhe vaksina HIP.

“Kushërinjtë e Vasilit po marrin tenderat e ilaçeve”

Nënkryetari i Parlamentit, njëherësh deputet i LSI-së, Vangjel Tavo, e akuzoi dy ditë më parë në një intervistë për gazetën “Panorama”, ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili, për korrupsion me tenderat e ilaçeve. “Kjo ndodh edhe për shkak të menaxhimit jo të mirë, por e ndërthurur edhe me korrupsionin. Interesat e LSI-së nuk janë të lidhura me interesat e një ministri apo të ndonjë kushëriri ministri për ndonjë tender ilaçesh, por me interesat e qytetarëve”, u shpreh Tavo. Sipas tij, “performanca e Ministrisë që drejtohet nga zoti Vasili është e pakënaqshme edhe për faktin e vonesës së reformave të domosdoshme në sektorin e Shëndetësisë. Është momenti që vetë Vasili të reagojë dhe të përmirësohet gjendja në sektor sa më shpejt të jetë e mundur”.

Luan Rama: Tavo, jo sulme personale ndaj ministrit Vasili

Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar dje ndaj kritikave të ardhura nga deputeti Vangjel Tavo. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Luan Rama, është shprehur pro debateve parimore, por jo ndaj sulmeve me karakter personal. “Kritikat dhe kontestet, debati parimor dhe principal, janë, pa dyshim, vlerë e strukturave të LSI-së dhe nga kjo pikëpamje, për Lëvizjen Socialiste për Integrim, çdo kritikë, çdo vërejtje, çdo sugjerim konstruktiv dhe parimor që vjen për të përmirësuar qeverisjen, për të rritur performancën qeverisëse të LSI-së dhe të njerëzve që përfaqësojnë LSI-në në qeverisje, është, pa dyshim, e mirëpritur. Ndërkaq, janë jashtë sensit dhe të papranueshme të gjitha sulmet që marrin karakter personal. Prandaj edhe z. Tavo, jo vetëm si deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, por edhe si nënkryetar i Kuvendit dhe me të gjithë përvojën e vet politike që ka, ka të gjitha hapësirat e nevojshme të vijë të bëhet pjesë e këtij debati”, u shpreh Luan Rama. Ai tha më tej se LSI është pjesë e koalicionit me demokratët dhe e vlerëson veten si kontribuuese në realizimin e reformave. “LSI nuk mund të shërbejë për të plotësuar tekat personale apo interesat personale të kryetarit aktual të Partisë Socialiste, i cili, meqenëse humbi Bashkinë, meqenëse është në opozitë për herë të parë në karrierën e vet politike, të mund të përdorë Lëvizjen Socialiste për Integrim që të katapultohet në karrigen e Kryeministrit”, u shpreh Luan Rama.

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura