Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Kryeministri italian, Mario Monti, u takuan dje në Berlin për të diskutuar mbi krizën e eurozonës, ku shprehën besimin se po ecin përpara në rrugën e duhur. Ata nuk ofruan iniciativa të reja, pasi priten vendimet kyçe të Gjykatës së Lartë gjermane dhe Bankës Qendrore Europiane, të cilat do të kenë një domethënie serioze në përpjekjet shpëtimtare të grupit të monedhës së përbashkët. Duke folur me reporterët pas një dreke, dy liderët thanë se kishte shenja që tregojnë se politikat e ashpra të kursimit dhe reformat ekonomike të vendosura në disa vende të eurozonës po japin rezultat. “Jemi të bindur se rruga që kemi marrë, është ajo e duhura”, tha Merkel në konferencën e përbashkët për shtyp me Montin. Kryeministri italian ka përmendur shitjen pozitive të bonove italiane gjatë së mërkurës si treguesi më i fundit se gjërat po ecin mirë dhe se po fitohej sërish besimi i investitorëve. Takimi italo-gjerman ishte më i fundit që përfaqësoi përpjekjet e diplomacisë europiane për të mundur krizën. Javën e kaluar, Merkel u takua me Presidentin francez Fransua Holande dhe Kryeministrin grek, Antonis Samaras. Por vendimi për Greqinë do të jepet pas raportit të Trojkës në tetor. Ekspertët e konsideruan këtë takim si pa veprim. Liderët europianë janë në pritje të vendimit të BQE-së (pritet më 6 shtator) mbi kushtet e blerjes së bonove qeveritare, përfshirë edhe ato të vendeve në krizë. Ndërkohë vendimet janë pezulluar edhe për shkak të pritjes së një vlerësimi nga Gjykata Kushtetuese gjermane (pritet më 12 shtator), nëse duhet bllokuar apo jo Mekanizmi Europian i Stabilitetit, fondi i përhershëm i shpëtimit të eurozonës, për të shqyrtuar nëse është në përputhje me ligjet gjermane.











