Kristine Legarde, gruaja e parë që merr kryesinë e FMN-së

Jun 29, 2011 | 11:18

Ministrja franceze e Financave, 55-vjeçarja Kristine Legarde, u bë drejtuesja e parë femër e FMN-së. Presidenti Nikolas Sarkozi e quajti fitore për Francën. “Zgjedhja si drejtuese e përgjithshme e FMN-së është një nder dhe gëzim”, ky ishte komenti i parë i saj pas fitores. Legarde fillon detyrën më 5 korrik. Fitorja e Legarde u bë e sigurt kur mori mbështetjen e SHBA, pak orë para takimit të bordit të institucionit. Bordi i FMN-së u mblodh dje në Uashington për të zgjedhur kreun e ri të menaxhimit, që do të pasonte ish-kreun e FMN-së, Dominik Shtraus Kan, i cili po përballet me gjykimin për tentativë përdhunimi. Njoftimi i mbështetjes së SHBA u bë nga sekretari i Thesarit, Tim Geithner. “Ministrja Lagarde ka një talent të jashtëzakonshëm dhe një eksperiencë të gjerë, duke siguruar lidership me shumë vlerë për institucionin”, tha ai. Lagarde e kishte besimin e shumë vendeve europiane kur nisi kandidaturën në maj. Edhe Kina dhe Rusia dhanë mbështetjen e emërimit të saj dhe ajo gëzoi mbështetjen e qartë të disa vendeve të tjera si Indonezia dhe Egjipti, të cilat përfaqësonin më shumë se gjysmën e votave të FMN-së. Ministri rus i Financave, Aleksei Kudrin, tha se ajo “i ka të gjitha cilësitë e nevojshme. Ajo është e aftë të sigurojë reforma në të ardhmen”. Njeriu i cili e drejtonte FMN-në, Xhon Lipski, (zëvendësi i Shtraus Kan) po planifikonte të tërhiqej para skandalit të Kan dhe do të tërhiqet tani. Skandali seksual i Kan ndodhi në një kohë kur kriza greke e la FMN të trazuar, ndërsa përpiqej të gjente zgjidhjen e drejtë për një nga testet më të mëdha në shumë dekada.

© Panorama.al

Te lidhura