Kriset marrëveshja PD-PS, shtyhet miratimi i kodeve

Jan 13, 2012 | 11:53

Nga mbledhjet e konferencës së kryetarëve

Konferenca e Kryetarëve kalon kalendarin vetëm me votat e maxhorancës.

Kriset marrëveshja midis maxhorancës dhe opozitës për miratimin e ligjeve që kërkojnë 84 vota në Parlament. Kalendari i punimeve trejavore të Kuvendit është miratuar pa konsensus dhe vetëm me votat e maxhorancës. Përfshirja e Kodit Penal, Kodit Civil dhe Gjykatës Administrative në kalendarin e punimeve të Parlamentit ka shkaktuar debate dje në Konferencën e Kryetareve, që i zhvilloi punimet me dyer të mbyllura. Kryetari i Grupit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, ka kërkuar në Konferencën e Kryetarëve që të hiqen nga axhenda e punimeve projektligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar votash. Sipas Ruçit, opozita nuk është e gatshme t’i miratojë këto nisma ligjore, pasi ende nuk kishte përfunduar amendimet përkatëse. Ndërkaq, nga burimet mësohet se Ruçi ka ngritur si shqetësim stopimin e punës për reformën zgjedhore dhe reformën parlamentare. “Unë dua t’ju pyes juve, pse puna nuk po ecën as në Komisionin për Reformën Zgjedhore, as në grupin e punës për reformën parlamentare? Madje grupi i punës për ndryshimin e Rregullores së Parlamentit nuk ka miratuar ende kalendarin e punës”, ka deklaruar Ruçi.
Debati
Kërkesa e opozitës për të hequr ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar nga kalendari i punimeve është cilësuar si tentativë për të prishur marrëveshjen e arritur në nëntor të vitit të shkuar midis dy forcave politike. Burimet pranë Konferencës konfirmojnë se kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, ka deklaruar se opozita po prish paktin e arritur për ligjet me tre të pestat, që sipas tij janë një kërkesë e ndërkombëtareve. “Kodet janë, edhe kërkesa nga ndërkombëtarët për të forcuar pushtetin e Gjyqësorit dhe marrëdhëniet e biznesit me Drejtësinë. Ju po shkelni marrëveshjen dhe afatet”, ka deklaruar Rusmali. Sipas përfaqësuesve të maxhorancës, pakti i arritur parashikon që kodet dhe Gjykata Administrative të miratohej brenda muajit shkurt. Por, nënkryetari i Kuvendit, Namik Dokle, mësohet të këtë thënë se opozita i qëndron marrëveshjes dhe se kodet dhe Gjykata Administrative mund të miratohen në muajin mars.
Votimi
Pas debateve midis palëve, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka kërkuar nga opozita që të respektojë paktin e arritur në interes të integrimit të vendit. Sipas burimeve mësohet se kryeparlamentarja Topalli kërkoi nga Konferenca e Kryetarëve që të votojë kalendarin pa ndryshime, në mënyrë të kodet dhe ligji për Gjykatën Administrative të kalojë për shqyrtim në komisionet parlamentare dhe më pas në seancë, për t’iu nënshtruar votimit. Axhenda është miratuar vetëm me votat e shumicës, pasi opozita nuk ka pranuar të votojë. Në njoftimin për shtyp të shpërndarë nga Kuvendi thuhet: “Konferenca e Kryetarëve me shumicë votash përcaktoi si datë të parë të shqyrtimit në seancë plenare të këtyre projektligjeve datën 2 shkurt 2012, në rendin e ditës të së cilës do të përfshihet shqyrtimi i Kodit Civil”.

Debatet në Konferencën e Kryetareve
Gramoz Ruçi:
Ne kërkojmë që të hiqen nga kalendari trejavor Kodi Civil, Kodi Penal dhe Gjykata Administrative, sepse duam më shumë kohë në dispozicion për t’i shqyrtuar këto nisma ligjore, të cilat kanë disa vite që janë hartuar dhe kërkojnë të përshtaten me standardet e Bashkimit Europian. Ne jemi për zbatimin e marrëveshjes me PD-në, por dua t’ju pyes juve, pse puna nuk po ecën as në Komisionin për Reformën Zgjedhore, as në grupin e punës për reformën parlamentare? Madje, grupi i punës për ndryshimin e Rregullores së Parlamentit nuk ka miratuar ende kalendarin e punës.
Ilir Rusmali: Me ketë qëndrim ju po dilni kundër asaj marrëveshjeje që keni pranuar vetë. Po shkelni afatet dhe marrëveshjen që keni nënshkruar. Kodet janë, edhe kërkesa nga ndërkombëtarët për të forcuar pushtetin e Gjyqësorit dhe marrëdhëniet e biznesit me Drejtësinë.
Namik Dokle: Ne nuk po dalim kundër marrëveshjes. Në marrëveshje është vendosur që kodet e mbetura, Kodi Civil, Kodi Penal dhe Gjykata Administrative, të miratohen deri në fund të muajit mars. Ndërkohë që dy reformat kryesore, reforma zgjedhore dhe reforma parlamentare, kanë ngecur.
Ilir Rusmali: Ne kërkojmë që ta përshpejtojmë procesin e miratimit të kodeve dhe t’i kalojmë ato brenda muajit shkurt.
Jozefina Topalli: Nëse ju doni të prishni marrëveshjen, ne nuk e duam një gjë të tillë. Prandaj ne do të miratojmë përfshirjen e Kodeve dhe Gjykatën Administrative në kalendarin e punës, dhe do t’ua çojmë komisioneve parlamentare për diskutim. Unë jam e gatshme të votoj kalendarin.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura