Krimi, 12 rekomandimet e qeverisë për Prokurorinë

Jul 23, 2012 | 18:32
Gjate prezantimit te rekomandimeve

TIRANE- Këshilli i Ministrave i ka paraqitur sot Prokurorisë Shqiptare 12 rekomandime për luftën kundër kriminalitetit për vitin 2012.

Prezantimi i këtyre rekomandimeve u bë në ambientet e Prokurorisë në prani të Prokurorit të Përgjithshëm, Ina Rama dhe të Zv/ministrit të Drejtësisë, Ermal Dobi.

Kryeprokurorja, Ina Rama në fjalën e saj ka vlerësuar rekomandimet e qeverisë shqiptare, për të cilat tha se “janë të adresuara mirë, dhe është pozitiv fakti që ato e vënë theksin në rritjen e bashkëpunimit midis institucioneve.

Mangësitë sipas Prokurores janë në analizën e disa problematikave që kanë shërbyer si bazë në prezantimin e disa prej rekomandimeve, që kanë si bazë inspektimet e kryera nga Ministria e Drejtësisë, ku sipas saj, analizat e plota do të shërbenin për të qartësuar se kush është përgjegjës për këto problematika, dhe që në këtë mënyrë do të shërbente për të parë se çfarë duhet të përmirësojë më mirë Prokuroria në punën e saj.

Ndërkaq, zoti Dobi tha se rekomandimet, janë gjykuar gjerësisht nga ministria dhe se ministria e Drejtësisë, shpreh mbështetjen e saj si institucion për punën e Prokurorisë në përmbushjen e tyre.

12 rekomandimet e paraqitura ;

  1. Forcimi i shtetit të së drejtës për të garantuar pavarësinë, efiçencën dhe përgjegjshmërinë e institucioneve të sistemit të drejtësisë për përmbushjen e detyrimeve të Rekomandimit nr. 7 të Planit të Veprimit për integrimin evropian dhe për përmbushjen e detyrimeve të Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë.
  2. Forcimi i luftës kundër korrupsionit lidhur me ndjekjen dhe dënimin e çështjeve të korrupsionit në të gjitha nivelet për përmbushjen e detyrimeve të Rekomandimit nr. 8 të Planit të Veprimit për integrimin evropian dhe për përmbushjen e detyrimeve të Strategjisë Antikorrupsion.
  3. 3. Forcimi i bashkëpunimit të Prokurorisë me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për procedimin e veprave penale në fushën e doganave dhe ato që lidhen me taksat e tatimet në funksion të unifikimit të praktikave në të gjitha prokuroritë.
  4. Forcimi i luftës kundër krimit të organizuar duke rritur bashkëpunimin me partnerët rajonalë dhe koordinimin e agjencive të zbatimit të ligjit në këtë fushë për përmbushjen e detyrimeve të Rekomandimit nr. 9 të Planit të Veprimit për integrimin evropian dhe për përmbushjen e detyrimeve të Strategjisë kundër Krimit të Organizuar.
  5. Përmirësimi i trajtimit të të drejtave të të ndaluarve në rajonet e policisë, në qendrat e paraburgimit dhe në burgje, forcimi i ndjekjes gjyqësore të çështjeve për keqtrajtim, si dhe zbatimi i rekomandimeve të Avokatit të Popullit në këtë drejtim për përmbushjen e detyrimeve të Rekomandimit nr. 12, të Planit të Veprimit për integrimin evropian dhe për përmbushjen e detyrimeve të Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë.
  6. Zbatimi rigoroz i rregullave procedurale mbi afatet e hetimit paraprak, si premisë bazë e një procesi të rregullt ligjor të mbrojtur nga nenet 28, 31 dhe 42 të Kushtetutës, si dhe nga neni 6 i KEDNj-së.
  7. Respektimi rigoroz i të drejtave themelore të subjekteve të procedimit penal dhe në veçanti, të të ndaluarve dhe të arrestuarve në çdo fazë të procedimit penal: në hetimet paraprake, në gjykim dhe në ekzekutimin e vendimeve penale si pjesë e rëndësishme e procesit të rregullt ligjor.
  8. Respektimi i detyrimeve ligjore për kryerjen e veprimeve të rregullta e të vijueshme hetimore në ushtrimin e ndjekjes penale.
  9. . Respektimi i detyrimit kushtetues dhe ligjor për fillimin e ndjekjes penale nga prokuroria, që është organi i vetëm kushtetues me atributin për të ushtruar ndjekjen penale dhe për të ngritur akuzë në procesin penal.
  10. Respektimi i detyrimit ligjor për ndjekjen e një politike të drejtë penale dhe në veçanti  e politikës së dënimit.
  11. Respektimi i detyrimit ligjor për rregullshmërinë e mbajtjes dhe administrimit të statistikave dhe regjistrimit të veprave penale.
  12. Ngritja e seksioneve në prokurori për hetimin e krimeve kompjuterike dhe trajnimi vazhdues i prokurorëve në këtë drejtim.

© Panorama.al

Te lidhura