Krimet e luftës, ngrihet aktakuza ndaj Limajt

Jul 26, 2011 | 10:32

PRISHTINE- Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë të hënën kundër deputetit të Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj.
Prokurori italian, Maorizio Salustro, ka ngritur aktakuzë kundër Limajt për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës. Mbi nënkryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës rëndojnë pesë pika të aktakuzës, dy për krime lufte kundër popullatës civile dhe tri pika për krime lufte kundër të burgosurve të luftës që përfshin edhe vrasjen.

Prokurori ka ngritur aktakuzë kundër gjithë grupit të Limajt prej 10 personash. Ai pretendon se ka gjetur prova kundër deputetit Limaj, Nexhmi Krasniqit, Naser Krasniqit, Naser Shalës, Sabit Shalës, Refi Mazfrekut, Arben Krasniqit, Shaban Shalës, Behlul Limajt dhe Besim Shurdhajt.

Prokurori special i ngarkon ata me akuza për krime lufte të kryera në fshatin Kleçkë të Lypjanit në vitin 1999 në dy të të ashtuquajtura burgje të UÇK-së. Ndonëse nuk i prin listës së të akuzuarve, Limaj tashmë akuzohet për krime lufte për herë të dytë. Në Hagë ai qe gjykuar dhe shpallur i pafajshëm për krime në Llapushnik, ndërsa për rastin e Kleçkës ai pritet të gjykohet në Kosovë.

Njëri nga ish-komandantët më në zë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i njohur me nofkën e luftës “Çeliku”, akuzohet se ka urdhëruar dhe ka marrë pjesë në torturimin çnjerëzor të civilëve serbë e shqiptarë të paraburgosur në një kamp në fshatin Kleçkë në Komunën e Lipjanit. Shumica prej tyre qenë arrestuar në mars të këtij viti, ndërsa Limaj ishte intervistuar por jo arrestuar, për shkak të imunitetit të deputetit.

Burime nga Prokuroria kanë thënë se Fatmir Limaj akuzohet në pikën e parë të aktakuzës për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës, ndërsa pikat dy dhe tre kanë të bëjnë me akuza për krime lufte kundër të burgosurve të luftës. Burimi ka saktësuar se deputeti Limaj akuzohet se ka kryer vepër penale të krimeve kundër të burgosurve të luftës në bashkëpunim me të dyshuarit e tjerë.

“Limaj në cilësinë e komandantit të UÇK-së akuzohet se ka torturuar një të burgosur ushtarak serb i mbajtur në qendrën e paraburgimit në Kleçkë, mbetjet mortore të të cilit janë gjetur në një varrezë masive afër Kleçkës, duke e grushtuar dhe shkelmuar atë gjatë marrjes në pyetje”, thuhet në aktakuzë.

Pika e tretë ndaj Limajt ka të bëjë me krime lufte kundër të burgosurve të luftës. Në cilësinë e komandantit, Limaj akuzohet se në bashkëpunim me Nexhmi Krasniqin, Naser Shalën, Naser Krasniqin, Arben Krasniqin, Behlul Limajn dhe me dëshmitarin bashkëpunues “X”, kanë vrarë dy oficerë policie serbe që mbaheshin në Kleçkë, Nebojsha Djuriçiq dhe Veljko Markoviq. Sipas aktakuzës, Limaj ka marrë pjesë duke e urdhëruar dëshmitarin “X” që të ekzekutojë të burgosurit. Kjo ka ndodhur sipas prokurorit tek vendi i njohur Livadhi i Canit pranë Kleçkës në ose rreth datës 4 prill. (KD)

© Panorama.al

Te lidhura