Krim pasioni në Lushnjë, vriten një djalë dhe një grua në lokal

May 13, 2012 | 11:47

LUSHNJE/ Qëllon 27-vjeçaren dhe klientin që po ndante sherrin.

Xhelozia shkakton dy viktima në Lushnjë. Plumbat e kallashnikovit kanë lënë të vdekur në vend Rajmonda Sotën, 27 vjeçe, në një lokal të fshatit Toshkëz, ndërsa u plagos rëndë, për të ndërruar jetë në spital 24-vjeçari Marsel Cani.
Autori i vrasjes së dyfishtë është identifikuar shtetasi Erjon Cjapi, 32 vjeç, banor i fshatit fqinj, Delisufaj. Sipas dëshmitarëve në vendin ku ndodhi krimi, Cani ka qenë brenda në lokal kur nisi dhe debati, i cili do të çonte në dy viktima në pak minuta. Burime të Policisë, bazuar te dëshmitë e para të mbledhura në vendin e ngjarjes, flasin për një krim sentimental. Erjon Cjapi mësohet se kishte pasur një lidhje të hershme me 27-vjeçaren Sota, e cila ishte e martuar dhe nënë e një fëmije. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Toshkëz të Lushnjës, rreth orës 21:15 të mbrëmjes të së shtunës. Banori i fshatit Delisufaj, Erjon Cjapi, ka shkuar në mbrëmje në Toshkëz, pikërisht në lokalin ku punonte 27-vjeçarja, me të cilën, sipas burimeve të brendshme të Policisë, mendohet të ketë pasur lidhje intime deri pak kohë më parë. Por plumbave të agresorit nuk i ka shpëtuar as 24-vjeçari Marsel Cani, edhe ky nga fshati Toshkëz i Lushnjës. Sipas konfirmimeve që vijnë nga vendngjarja, bëhet me dije se Sota ka qenë e ulur në një tavolinë me bashkëfshatarin e saj, Marsel Cani, në lokalin e familjes së bashkëshortit, i cili ishte emigrant në Greqi. Pak çaste më vonë, aty ka mbërritur ish i dashuri i saj, 32-vjeçari Cjapi, i cili ka debatuar në mënyrë verbale me të renë, madje kanë përdorur edhe fjalë fyese ndaj njëri-tjetrit. Mes të dyve ka ndërhyrë edhe 24-vjeçari Cani, me qëllim për ta zbutur situatën. Cjapi, në irritim e sipër është larguar, për t’u kthyer pak më vonë me një armë kallashnikov, të cilën e ka marrë nga autovetura e tij, duke qëlluar me breshëri në drejtim të Sotës, që ka mbetur e vdekur në vend dhe bashkëfshatarit të saj, që ka marrë plagë të rënda për jetën. Më pas, 32-vjeçari është larguar me shpejtësi nga vendngjarja me automjetin e tij. Banorë të fshatit Toshkëz kanë transportuar për në spitalin e Lushnjës trupin e viktimës dhe të djalit të plagosur, i cili ndërroi jetë pak më vonë në spital. Sipas burimeve konfidenciale të Policisë, 33-vjeçari Cjapi dhe viktima Rajmonda Sota kishin pasur një lidhje dashurore mes tyre, por kohët e fundit kishte pasur debate të shpeshta, deri në ndarje. Për këtë arsye, 32-vjeçari Cjapi, për shkak të xhelozisë, ka shkuar në lokalin ku punonte Rajmonda, me qëllim që të nxirrte inatin e tij. Kur e ka parë në shoqërinë e një djali tjetër, i cili ishte thjesht një bashkëfshatar i Sotës dhe pasi kanë shkëmbyer fjalë fyese me njëri-tjetrin, Cjapi ka vendosur t’i “ndëshkojë” duke u marrë jetën. Policia ka arritur të gjejë disa kilometra më larg dhe të sekuestrojë në cilësinë e provës material autoveturën e 32-vjeçarit Cjapi dhe armën e krimit. Burimet e bluve pohojnë se kanë nisur të krehin të gjithë zonën në kërkim të autorit të vrasjes së dyfishtë.

Viktimat
Rajmonda Sota
,
27 vjeçe, banuese
në fshatin Toshkëz

Marsel Cani,
24 vjeç, banues
në Toshkëz

Autori
Erjon Cjapi,
32 vjeç, banues
në Delisufaj

LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA

© Panorama.al

Te lidhura