Më 13 qershor 1920 u vra në Paris Esat pashë Toptani. Ish-kryeministri i mërguar Toptani, në vitet 1918-1920 po përpiqej të ndërhynte pranë Konferencës së Paqes për t’u njohur si përfaqësues i Shqipërisë, përkundër vullnetit të forcave politike në Shqipëri.
Siç deklaroi atentatori në gjyqin kundër tij në Paris, Avni Rustemi, vrasjen e kreu për motive kombëtare, pasi e konsideronte Toptanin tradhtar të Shqipërisë. Rustemi u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Francës dhe u kthye në Shqipëri, ku u prit si hero, pas 6 muajsh në paraburgim. Në zgjedhjet e 27 dhjetorit 1923 ai u zgjodh deputet dhe u rreshtua si opozitar i forcës politike drejtuar nga Ahmet Zogu. Më 20 prill 1924, Avni Rustemi plagoset nga një person i quajtur Jusuf Reçi, pranë Pazarit të Ri në Tiranë, në sheshin që sot mban emrin “Avni Rustemi”. Dy ditë më pas Avni Rustemi ndërroi jetë prej plagëve.
LUFTA BALLKANIKE
Në fund të gushtit 1912, kur kryengritja shqiptare ishte fashitur, Esad Pasha la Stambollin dhe u nis për Tiranë. Pas kërkesës së valiut të Shkodrës Hasan Riza Pashës dhe krerëve myslimanë të qytetit, Esad Pasha i emëruar komandant i “trupave të përforcimit” ishte caktuar të mblidhte nizamët e redifët (rezervistë) për “me i ndenjtë gati Karadakut”. Pasi u lëshua urdhri, një ushtri prej rreth 5,500 vetash u mobilizua në gatishmëri të Esad Pashës. Pati paqartësi në zinxhirin e komandës, 15 batalionet e redifëve dhe vullnetarëve shqiptarë që i përgjigjeshin Esad Pashës ishin më të shumtë në numër sesa korpusi i ushtarëve të rregullt turq nën komandën e Hasan Riza Pashës. U vendos që Esadi të quhej zyrtarisht komandant i Fronteve të Veriut dhe të Lindjes për nga grada dhe kështu i nënshkroi urdhrat që nxirrte me shkrim, ndërsa Hasan Rizai ishte ushtaraku i parë për nga kompetencat ushtarake.
Pas vrasjes së Hasan Riza Pashës mbrëmjen e 30 janarit, Esadi si ushtaraku më i pushtetshëm u bë komandant dhe vali i Shkodrës. Deri në prill arriti të mbrojë Shkodrën, duke bërë që ky qytet t’i mbetej Shqipërisë. Në fund të qershorit të 1913 u emërua ministër i Brendshëm në qeverinë e Ismail Qemalit dhe ditët e para të korrikut mori kabinetin e lënë nga Libohova. Shkoi në Itali atë verë, ndërkohë në Vlorë zienin intrigat dhe në tarafin e tij ishin radhitur kushërinjtë e tij Toptanë, Mehdi bej Frashëri, Dervish Hima dhe iu bashkua Faik Konica me të cilin ishte takuar në Romë. Në tetor të po atij viti ngriti në këmbë qeverinë e vet, të quajtur “Pleqësia e Shqipërisë së Mesme”, të cilës Konica i vuri në shërbimin organin e shtypit “Trumbeta e Krujës”. Kabllogramet austriake e paraqesin si të vetmen qeveri autoktone shqiptare, e cila ishte e vetmja në gjendje të qeveriste. Nëpërmjet organeve përkatëse Esad Pasha ishte në gjendje të mblidhte taksa, filloi ndërtimin e rrugëve, krijoi një xhandarmëri të disiplinuar dhe emëroi në vendet më të rëndësishme nëpunës që ndiqnin dhe zbatonin urdhrat e tij. Më 1914 kryesoi delegacionin shqiptar që i dorëzoi kurorën e fronit shqiptar Princ Vidit. Më 1914 u emërua ministër i Punëve të Brendshme dhe i Luftës. Në Durrës iu organizua një komplot nga oficerët holandezë, këshilltarët austro-hungarezë dhe disa bejlerë me mbështetjen e Vidit. Me ndërhyrjen e Italisë, u largua pa u burgosur.
REVOLTA
Mungesa e qeverisjes pas revoltës së Shqipërisë së Mesme dhe nisjes së Luftës së Parë Botërore i dha një mundësi të fundit Esad pashës, i cili ishte jashtë Shqipërisë, që të kthehej. Shpalli shpërndarjen e organeve revolucionare dhe emëroi prefektët e rinj të vendit. Më 21 tetor 1914 ndërmori reformën e parë agrare në vend, kur nxori urdhrin që t’u konfiskohej toka 50 personave nga oxhaqet bejlere dhe kundërshtarët e tij politikë nga Vlorajt, Toptanajt, Biçakçinjtë (përjashto Dervish beun), Vrionasit dhe Cakraniotët. Urdhër i cili për shkak të rrethanave të kohës, nuk gjeti zbatim. I dha rëndësi gjendjes së pushtimit grek në jug të vendit, kërkoi rihartimin e regjistrave kadastralë të qyteteve, ku u dogjën nga revolta e Shqipërisë së Mesme. Në dhjetor të 1915, pasi përzuri përfaqësuesit diplomatikë të Vjenës dhe Sofjes nga Durrësi, i shpalli luftë Austro-Hungarisë. E shtriu qeverisjen në një hapësirë më të madhe se qeveria e Vlorës, derisa hyri ushtria austro-hungareze në territorin shqiptar. I detyruar të largohej, e vendosi qeverinë e tij në Selanik në krahun e Antantës. Atje rreshtohet përkrah francezëve në Frontin e Maqedonisë, ku me taborin e tij prej 500 vetash u lejua të zgjerohej aq sa në një pikë duke rekrutuar shqiptarë të trevave të mbetura në Greqi dhe nga zona e Korçës, trupat e tij numëronin në 1 mijë e 300 njerëz. Qershorin e 1916 gazetat shpërndanë nga Stambolli lajmin se një gjykatë ushtarake e kishte dënuar me vdekje. Gjatë viteve 1918-20 Esat Pasha përfaqësonte të vetmen qeveri legjitime shqiptare në Paris, Francë pranë Konferencën e Paqes që kishte mbajtur qëndrim gjatë luftës. Por për shkak të konkurrencës politike në Shqipëri, delegacioni shqiptar nuk e përkrahte.
VRASJA
Tek e kishte lënë të hante me nipin e tij, Xhemil bej Vlorën dhe mikeshën e vet Elizën, Esati u vra në rr. Castiglione në Paris më 13 qershor, 1920 nga Avni Rustemi në kushtet e konkurrencës politike në Tiranë. Ky kishte qëndruar i fshehur pas njërës prej shtyllave të hyrjes së hotelit “Continental” në pritje të pashës. Avniu i kishte shkuar nga mbrapa dhe e kishte qëlluar prej njëfarë distance me një revolver “Smith & Wesson”, që e mbante me vete. Plumbi i kishte depërtuar në qafë pranë shtyllës kurrizore dhe kur ishte rrotulluar me duart lart për t’u mbrojtur, Avniu qëlloi përsëri, në anën e majtë të kraharorit në lartësinë e sqetullës. Mbas një gjyqi të gjatë Avni Rustemi do të lirohej duke u shpallur i pafajshëm nga gjykatat e Shtetit Francez, me një mbrojtje të ngritur prej Anatole de Monzie mbi tezën e krimit të pasionit dhe “me paramendimin e një populli të tërë”. Sipas burimeve të përdorura nga historiani Kastriot Dervishi, atentati që çoi në vrasjen e Toptanit ishte i shtyrë nga kushëriri i tij Aqif Pasha, si rival politik i atyre kohëve – dhe paratë për ta financuar u nxorën nga fondet e Këshillit të Naltë.
VARROSJA
Pas vdekjes trupi u dërgua nga familja në një depo mortore të Parisit për t’u mbajtur derisa të merrej një vendim se ku do të varrosej përfundimisht. Njëra nga të bijat u interesua pranë autoriteteve franceze nëse trupi i të atit mund të transportohej në Shqipëri. Arka prej plumbi nr. 17 vazhdoi të qëndrojë në depon e rr. D’Aubervilliers të paktën deri në tetor 1921. Më vonë, eshtrat e Esatit u varrosën në mënyrë thuajse të fshehtë në një lagje të varfër të Parisit. Në vitin 1929, qyteti i Parisit vendosi të sjellë në një vendvarrim të vetëm në Thiais eshtrat e ushtarëve serbë dhe malazezë, aleatë të Francës, të vrarë në Luftën Botërore. Eshtrat e Esatit u shpunë në atë parcelë më 2 korrik 1934. Për kontributin e tij në Luftën Osmano-Greke Porta e Lartë e shpërbleu me urdhrin Osmanije të Klasit të Dytë dhe pak më vonë ai u bë gjeneral-brigade. Esad pashë Toptani për shërbimin e tij në Frontin e Lindjes si aleat i Antantës, u dekorua me titullin Oficer i Legjionit të Nderit, dhe me Kryqin francez të Luftës. Për t’u varrosur pranë ushtarëve, kundër të cilëve luftoi në Shkodër dhe dy vjet më vonë i ndihmoi të shpëtonin nga katastrofa e plotë. Por argumenti i varrit përdoret në valët e pasioneve për ta akuzuar si tradhtar.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al