EMISIONI VETTING
Raporti i fundit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit evidenton se që nga viti 2017 nuk ekziston asnjë marrëveshje gjithëpërfshirëse mes përdoruesve dhe agjencive të administrimit kolektiv. Procesi i negocimit ka dështuar në mënyrë të vazhdueshme dhe nuk ka asnjë kërkesë zyrtare pranë Këshillit Kombëtar për të Drejtat e Autorit (KKDA) për rishikimin e metodologjisë së tarifave, ndërkohë që kuadri ligjor nuk ofron asnjë mekanizëm zgjidhjeje për këtë ngërç.
Pikërisht ky është edhe një ndër problemet për të cilët, autorët kanë ngritur zërin pranë redaksisë “Vetting” për agjencinë e “Albautor, që lidhet me faktin se si vlerësohen këto pagesa.
“Gjatë gjithë këtyre praktikave që kemi patur me të drejtën e autorit, ne nuk jemi njohur ndonjëherë me kriteret, ligjet ose të paktën një formularë nga ku kanë buruar të ardhurat e mia. Mendoj që do të ishte mire që çdo krijues të informohet në lidhje me burimet që janë siguruar nga krijimtaria e njërit apo tjetrit, qoftë edhe krijimtaria ime të ishte, të kisha përfitimet mbi bazë të përdorimit të këtyre vlerave”, u shpreh për “Vetting“ kompozitori Zef Çoba.
Sipas avokatit Evien Dako, ka raste plot të disa veprave shqiptare që kanë shikueshmëri të lartë dhe ekspozohen në vende ku duhet të veprojë e drejta e autorit.
“Për shembull unë marr shembull Zef Çobën edhe autorin tjetër Naim Gjoshi. Këngët e tyre mjafton që ti të shohësh ditët kur transmetohen ndeshjet e kombëtares. Pra, ti automatikisht e ke një përdorim të tyre, në çdo rrjet social është ajo këngë, në çdo radio ti ke ato këngë, mjafton të llogaritësh ato ditë. Pra, se si do e bësh monitorimin është detyrë e jotja”, u shpreh avokati Dako.
Në komunikimin me Drejtorin Erion Muka të “Albautor”, ky i fundit deklaron se janë autorët që vendosin për shpërblimet, ndërkohë që vlerësimi financiar duhet të bëhet nëpërmjet shikueshmërisë nga publiku, pra në bazë të kërkesës.
Gazetari: “Ju grumbulloni të ardhura, artistët kanë denoncuar faktin që marrin shumë, shumë pak të ardhura dhe tregojnë që marrin diku te 10 mijë lekë në vit. Si bëhet kjo shpërndarje, mund të na e shpjegoni këtë, të lutem?”
Erion Muka: “Nga vijnë të ardhurat? Vinë nga “Sporteli Unik”, nga puna e “Sportelit Unik” të drejtës të autorit.”
Gazetari: “Si bëhet shpërndarja e të ardhurave tek artistët? Çfarë baze vlerësimi keni ju, që disave u jepni më pak, disave më shumë?”
Erion Muka: “Mënyra se si ndahen të ardhurat e Albautorit, që janë ndërmjet artistëve, vetë artistët, vetë autorët kanë vendosur dhe vendosin nëpërmjet vendimit të Asamblesë, që zgjedhin metodologjinë se si do ta shpërndajnë. Konkretisht, është vazhduar e njëjta praktikë ndër vite, por konkretisht, në momentin që unë u emërova Drejtor, u bë një vendim, u mor një mbledhje, Asamble me të gjitha autorët pjesëmarrjes, ku pjesa dërrmuese ishin dhe vendosëm unanimisht mëryen se si do t’i shpërndajmë të ardhurat, një metodologji. Dhe kjo metodologji është zbatuar nga ana e financës së Albautorit. Kjo ka shumë problematika më të mëdha, që artistët me emër kanë marrë vlerë më të ulët dhe kjo ka ardhur për disa arsye. Një arsye është që shumica e tyre kanë të bëjnë më funksionimin e Sportelit Unik, dhe jo në mënyrë të drejtpërdrejtë të Albautorit. Subjekte të cilat, duhet të paguajnë siç janë televizionet nuk kanë kryer asnjë pagesë, sipas ligjit për të drejtën e autorit, për komunikimin në publik të veprave të mbrojtura nga e drejta e autorit.”
Gazetari: “Si e vendoska dikush sa do u shpërbleka, kur të ardhurat bazohet te e drejta e autorit, te shikueshmëria?”
Erion Muka: “Ka një mënyrë zgjedhje, të paktën monitorimi, ku përfshihet qoftë Youtube, qoftë, nuk e di, diçka, një lloj monitorimi që e kanë vetë autorët. Dhe kjo është përgjigja, dhe, dmth e vendosin vetë. Pra, e vendosin vetë shpërndarjen, por fakti që ata autorë kanë marrë 100 mijë lekë të vjetra, një autor i mirë ka marrë 100 mijë lekë të vjetra…”
Gazetari: “Kanë vendosur të gjithë artistët, kanë rënë dakord?”
Erion Muka: “Po.”
Sipas avokates Çollaku, çdo Agjenci Administrimi Kolektiv duhet të publikojë listën e veprave të përdorur në një vit kalendarik te faqja e organizatës.
Është e habitshme se si autorët vendosin se kush do marri dhe sa do marri në qoftë se të ardhurat varen nga shikueshmëria. Si mund të marri një autor, që ka krijuar dikur dhe nuk kërkohet nga publiku të njëjtin vlerësim financiar me një autor që është akoma i kërkuar?
Sipas artistëve, ata marrin shuma qesharake ndërkohë që muzika dhe këngët e tyre vazhdojnë të dëgjohen me intensitet nga publiku shqiptar.
Për të zbuluar më shumë, “Vetting” foli me Drejtorin Erion Muka se si kryhet monitorimi dhe pse shpërndahen kaq pak të ardhura, ndërkohë që Albautor tejkalon shpenzimet në shkelje të ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit.
BISEDA 2 MIDIS GAZETARIT DHE ERION MUKËS
Gazetari: “Në dy raportet e fundit, 2023 dhe 2022, ju e dini shumë mirë, meqë e dini shumë mirë dhe ligjin, te këto raporte evidentohet, që raport i shpenzimeve është 37% nga 30% që duhet të jetë.”
Erion Muka: “Ju po i referoheni raporteve 2022-2023, ndërkohë që licensimi i AlbAutorit është bërë në 2024-n dhe është licensuar për tre vite. Pra, çfarëdo lloj raporti nuk ka të bëjë me licensën aktuale të Albautorit. Ato që po më thua nuk janë të vërteta, pasi jam sqaruar…”
Gazetari: “Janë raporte Z. Erion Muka, janë raporte…”
Erion Muka: “Janë raporte për të cilat do t’i zgjidhim. Do t’i nis unë raportet bashkë me shpjegimet, sepse janë sqaruar më parë, paçka se unë s’kam qenë drejtor në atë kohë, e kam këtë informacion të sqaruar. Edhe ministria është dakordësuar që ka patur një problem dhe është okej.”
Gazetari: “Dhe të lutem, emrin e kompanisë spanjolle që për monitorimin nuk na e thatë dhe kontratën, në qoftë se mund të na jepni këtë informacion, duke qenë se janë të dhëna që lidhen…”
Erion Muka: “Është pikërisht konfidenciale dhe kjo është…”
Gazetari: “Nuk, më dëgjoni…”
Erion Muka: “E lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale.”
Gazetari: “Jo, z. avokat. Ju thatë që monitorimin e bën një kompani spanjolle.”
Erion Muka: …
Gazetari: “Të lutem, emrin e kompanisë spanjolle nuk lidhet me mbrojtjen e të dhënave personale”
Erion Muka: “I je drejtuar komisionerit për këtë gjë dhe do marrësh një përgjigje.”
Gazetari: “Ligji për të drejtën e autorit kërkon transperencë nga ana juaj si OJF, si organizatë jofitimprurëse, gjë që nuk e keni bërë.”
Erion Muka: “Jo, e kemi bërë.”
Gazetari: “E keni te raportet tani, pse kundërshtoni? Okej, kundërshtoni raportet, në rregull, ky është qëndrimi juaj, e kuptova. E keni transparencën, e keni të detyrueshme dhe e dyta, kompaninë, gjithsesi meqë ma përmendetët, kompaninë, do bëjmë një kërkesë për kompaninë dhe do e çojmë te komisioneri sepse ju duhet ta publikoni kompaninë që bën matjen.”
Erion Muka: “Ju do merrni përgjigje nga komisioneri, kështu që s’ ka problem, dërgojani komisionerit.”
Gazetari: “Në qoftë se doni, mund të vijmë t’iu marrim dhe në intervistë, në qoftë se doni se mund të thoni…”
Erion Muka: “Pak a shumë ne i prekëm të gjitha diskutimet, kështu që unë i dhashë shpjegimet, ju më regjistruat, ndoshta ju mund të na përfitoni, doni që ta merrni informacionin dhe do ta shfaqni dhe besoj do jeni okej.”
Zoti Muka nuk dha ndonjë përgjigje konkrete se pse kishte shkelur kufirin e shpenzimeve në këto vite agjencia, ndërkohë që sipas ekspertëve, agjencitë kanë kufi për shpenzimet.
Madje ligji nr. 8788, datë 7.5.2001 “Për Organizatat Jo-fitimprurëse” (i ndryshuar) i detyron këto organizata të bëjnë transparencë totale, gjë të cilën Albautor nuk e ka bërë. Më e rëndësishmja, në faqen e agjencisë nuk publikohet lista e veprave të ndjekura sipas vitit, ku të jepet sistemi i pikëzimit siç e ka AKDIE.
“Ligji e ka taksative detyrimin e transparencës financiare të agjencive në faqet e tyre zyrtare për të mbajtur të publikuara statutin, organe te tyre vendimmarrëse, rregullat e shpërndarjes që përdor agjencia për të shpërndarë të ardhurat dhe mbi të gjitha atë që është detyrim, transparenca për anëtarët e secilës agjenci, listat e veprave të përdorura në një vit kalendarik”, deklaroi ekspertja Çollaku.
Ministria e Kulturës favorizoi Albautor, nuk i hoqi licencën
Ministria e Kulturës ka përdorur dy standarde përsa i përket rilicencimit të agjencive të administrimit kolektiv pasi edhe kur shkelin ligjin agjencitë, i rilicencojnë.
Rasti konkret lidhet me ish agjencinë Forumi i Mbrojtjes së Autorëve Audiovizualë (FMAA) pasi i është hequr licenca sepse nuk ka bërë transparencë dhe ka kaluar kostot administrative, pavarësisht se shumë herë më shumë se Albautor. Ky fakt del në pah edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por Ministria ia ka hequr licencën vetëm FMAA-së, kurse Albautorit nuk ia ka hequr ose pezulluar.
Madje në vitin 2021, sipas auditit Albautor është rilicencuar në shkelje të ligjit nga Ministria e Kulturës nën drejtimin e Elva Margaritit.
Sipas ekspertes Çollaku, procedura dhe kufiri ligjor i shpenzimeve që do të duhet të harxhojë një agjenci është i rregulluar në nenin 151 të ligjit për të drejtën e autorit.
“Aty ligji, neni parashikon që 30% e të ardhurave të shpërndara do të duhet të jetë kufiri ligjor maksimal që një agjenci do të duhet të shpenzojë për të mbuluar kostot e administrimit të stafit”, tha avokatja Çollaku.
Megjithëse janë identifikuar shkelje të përsëritura, Ministria e Kulturës nuk ka nxjerrë asnjë akt administrativ për pezullim ose heqje licence për agjencinë. Përkundrazi, sipas auditit Ministria ka kryer ripërtëritje licence me kusht për agjencinë në kundërshtim me parashikimet ligjore.
Duke parë rilicencimin e Albautor në vitin 2024, konstatojmë se gëzon licencë për administrimin e veprave letrare, artistike, shkencore, duke përjashtuar audiovizualin. Por shtrohet pyetja, a ka kompetenca “Albautor” të përfaqësojë muzikën, kur në licencë ka tjetër gjë të shkruar?
Një problem tjetër që kanë ngritur autorët është edhe mungesa e plotësimit të formularit kur performojnë nëpër koncerte apo evente muzikore.
“Një problem shumë i madh që vjen pikërisht nga Albautori, nga kjo shoqatë që duhet të mbrojë të drejtën e autorit është që nuk ekziston një formular që është i detyrueshëm t’i jepet atij që organizon spektaklin. Në këtë formular përpara se të jepet shfaqja, duhet të shkruhen me përgjegjësi nga autori që organizon të gjithë kompozitorët dhe autorët e veprave që do luhen. Ju e dini që në Shqipëri nuk ekziston një formular i tillë?” tha kompozitori Gjergj Leka.
Neni 140 i ligjit për të drejtën e autorit e thotë në mënyrë taksative që përpara se të nisësh një aktivitet tregtar, do të duhet të pajisesh me autorizim dhe të deklarosh listën e veprave që do të përdoresh. Kjo vlen për televizonet, radiot dhe për çdo subjekt tregtar, përfshirë edhe një organizator të një koncerti. Pra, përpara se të organizohet koncerti, duhet të paraqitesh te SUADA dhe të marrësh autorizimin përkatës për listën e veprave që përdoret.
Disa ditë pas episodit të parë të “Vetting” në 30 tetor 2025 për denoncimet nga autorët, do të vinte një letër paralajmëruese nga avokatët e agjencisë Albautor.
Në lidhje me këtë letër, redaksia “Vetting” deklaron publikisht se u qëndron fakteve që janë publikuar në dokumentarin e 30 tetorit 2025 pasi ato janë dëshmi të mbledhura nga artistët, dokumente zyrtare nga Ministria e Kulturës dhe raporte nga Kontrolli i Lartë i Shtetit
Deklarojmë se përpjekjet e një agjencie, e cila edhe sot që flasim kërkon zbatimin e ligjit ndërkohë që është shkelëse e ligjit 35/2016 për të Drejtën e Autorit, janë forma intimidimi për të mos u dhënë zë artistëve të nderuar, që kanë një kontribut të pazëvendësueshëm në artin shqiptar. Madje në letër, Albautor ka edhe një paralajmërim për artistët, të cilët thjesht kanë shprehur pakënaqësi për mungesën e transparencës se si shpërndahen të ardhurat.
Letra që ka dërguar zyra e avokatisë është letër shantazhi pasi nëse Albautor ka konstatuar një element që nuk qëndron apo është shpifje duhet ta adresojë në gjykatë.
Madje edhe në telefonatën midis gazetarit dhe drejtorit Erion Muka, ky i fundit deklaroi se “Neës24” nuk e ka zbatuar ligjin për të drejtën e autorit, ndërkohë që “Neës24” është televizion informativ, duke treguar përpjekjet e agjencisë për ti bërë presion redaksisë që të tërhiqet nga ekspozimi i fakteve.
Redaksia “Vetting” rikonfirmon se Albautor ka tejkaluar kompetencat e veta si Agjenci e Administrimit Kolektiv, ka lidhur kontrata me agjenci simotra të huaja për fusha që nuk janë në kompetencën e saj. “Vetting” i ka bërë një kërkesë për koment Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, konkretisht Drejtorisë të së Drejtës së Autorit për shkeljet e Albautor.
Këto janë fakte të konstatuara nga Drejtoria e së Drejtës së Autorit në Ministri dhe nga auditi, por që deri më sot nuk është marrë asnjë masë ndaj agjencisë nga Drejtoria apo Ministria e Kulturës.
© Panorama.al











