Kreu i Parlamentit turk fton Topallin: Më telefono një javë para

May 16, 2012 | 14:12

Topalli dhe Çiçek

Kryetarja e Kuvendit takon homologun e saj nga Turqia

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi dje gjatë takimit të zhvilluar me homologun turk, Cemil Çiçek, se në venat e qytetarëve turq rrjedh gjak shqiptari. Topalli, gjatë konferencës së përbashkët me kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë gjatë vizitës në Tiranë, ripërsëriti deklaratën e Kryeministrit Berisha të bërë në Turqi me homologun Taip Edogan. Topalli u shpreh dje e kënaqur që mes delegacionit turk kishte edhe deputetë me origjinë shqiptare. ”Jam shumë e gëzuar që në këtë delegacion kemi deputetë të Asamblesë turke me origjinë shqiptare. Dikush tha se ne këtë delegacion ka 50% shqiptarë, me gjak shqiptar. Zoti Kryeministër ka pasur të drejtë, kur ka thënë që ka shumë gjak shqiptar tek populli turk”, theksoi Topalli. Edhe kryetari i delegacionit turk, Çiçek, deklaroi se kishte ftuar zonjën Topalli në Turqi. “Dihet që marrëdhëniet midis shteteve kanë shumë protokoll, kanë shumë letra zyrtare, por unë kryetares së Parlamentit i thashë: më telefono një javë përpara që do të vish dhe ne të presim me kënaqësi”, pohoi Çiçek. Delegacioni turk dhe kryetari i Parlamentit, Cemil Çiçek, u prit dje dhe në një takim të veçantë me Presidentin Bamir Topi.

© Panorama.al

Te lidhura