Kreu i KZAZ 11: E vërteta e kodeve të pesta

Jun 28, 2011 | 11:32
Gjatë numërimit të votave në Njësinë Nr.5

Kryetari i KZAZ-së Nr. 55 në Laprakë, Ramë Oruçi, sqaron pamundësinë e manipulimit të kodit të pestë të kutisë së votimit duke treguar katër fazat e regjistrimit të tij gjatë procesit të administrimit të kutisë së votimit.
Ju keni një përvojë jo të vogël në administrimin e zgjedhjeve. Cila është e vërteta mbi regjistrimin e kodit të pestë të kutive të votimit?
Kohët e fundit është ngritur në media një pretendim për manipulim të kodeve të sigurisë së kutive të votimit, e thënë në mënyrë më të saktë, për mospërputhjen e kodeve të sigurisë të kutive të votimit. Një pretendim i tillë, natyrisht nëse vërtetohet, hedh poshtë legjitimitetin e zgjedhjeve dhe, natyrisht, edhe rezultatin e tyre. Duke marrë pjesë në procesin zgjedhor jo më vetëm si votues, por edhe si kryetar i KZAZ-së Nr. 55, përgjegjësia ime nuk mbetet më vetëm qytetare, por edhe ligjore. Ditën e zgjedhjeve, më saktë para orës 7 të mëngjesit, është momenti i hapjes së materialeve zgjedhore kur mbahet edhe procesverbali i hapjes. Mbyllet kutia me katër kodet e sigurisë në të katër anët e kutisë dhe këto katër kode shënohen në procesverbalin e hapjes. “Kodi i pestë” nuk shënohet në procesverbalin e hapjes, pasi ky kod vendoset pikërisht në hapësirën ku hidhen fletët në kuti gjatë procesit të votimit. Pas përfundimit të procesit të votimit merret një nga kodet që ndodhen në materialet zgjedhore që ka dërguar KZAZ-ja, mbyllet dhe sigurohet kutia me “kodin e pestë”, që vendoset pikërisht në hapësirën ku hidhen fletët e votimit në kuti. Te procesverbali i  mbylljes shënohen të pesta kodet e sigurisë së kutive të votimit. Ky procesverbal përbën regjistrimin e parë të “kodit të pestë” në një procesverbal zyrtar të firmosur dhe pranuar nga të gjitha palët në proces.
Si veprohet në këtë fazë në rastet e mospërputhjes së kodeve të sigurisë?
Në rast se në momentin e dorëzimit të materialeve zgjedhore dhe në mbajtjen e procesverbalit të dorëzimit, një nga pesë kodet e sigurisë së kutisë së votimit nuk përputhet me kodet e sigurisë së procesverbalit të mbylljes së qendrës së votimit, atëherë KZAZ-ja vendos etiketën “e parregullt” dhe nuk e numëron këtë kuti, duke ia deleguar shqyrtimin e saj KQZ-së. Pra, procesverbali i dorëzimit në të cilin shënohen të pesë kodet e sigurisë së kutisë së votimit, ku përfshihet edhe “kodi i pestë”, përbën edhe regjistrimin e dytë të “kodit të pestë” në procesverbalin e dytë zyrtar të firmosur dhe pranuar nga të gjitha palët. Hapja e kutive të votimit nis duke i prerë 4 kodet e kutisë së votimit në të katër cepat e kutisë, me qëllim që të heqin kapakun e kutisë, por nuk këputin “kodin e pestë”, sepse teknikisht nuk i pengon në heqjen e kapakut për të nisur numërimin.
A ndryshon kodi i pestë gjatë procesit të numërimit të votave?
Pas përfundimit të numërimit të fletëve të votimit mbyllet kutia duke u vendosur kapaku dhe katër kodet e reja të sigurisë në të katër anët e kutisë, por duke mos ndërruar “kodin e pestë”, sepse është po i njëjti kod që në momentin e mbylljes së kutisë së votimit në qendrën e votimit. Në procesverbalin e grupeve të numërimit shënohen të pesta kodet e sigurisë së kutisë pas numërimit të fletëve të votimit dhe ky procesverbal përbën dhe regjistrimin e tretë të “kodit të pestë” në procesverbalin e tretë zyrtar të firmosur dhe pranuar nga të gjitha palët.
Çështja më e rëndësishme është të dimë nëse “kodi i pestë” mungonte fizikisht në disa kuti të votimit, apo thjesht është harruar të shënohet nga grupi i numërimit? Disa justifikime të zakonshme lidhen me logjikën e thjeshtë që argumenton që nuk është e nevojshme ta shkëpusin “kodin e pestë” për të hequr kapakun e kutisë së votimit dhe për të numëruar fletët. Një tjetër justifikim i mosshënimit të “kodit të pestë” lidhet gjithashtu me faktin që ky “kod i pestë”, që qëndron në mes të kapakut të kutisë së votimit, pikërisht aty ku hidhen fletët e votimit, është shënuar edhe në dy procesverbalet e mëparshme dhe nuk është prekur nga hapja e kutisë. Gjithsesi, justifikimet nuk na hyjnë në punë, ato që kanë rëndësi janë faktet, dhe jo opinionet.
Këto janë të gjitha etapat ku kodi i pestë lë gjurmë në procesin e administrimit të zgjedhjeve?
Jo, le të vazhdojmë sqarimin teknik të “kodit të pestë” me anë të mjetit të fundit zyrtar që kemi në dorë të kontrollojmë, regjistrimin e katërt. Pas përfundimit të procesit të numërimit dhe hartimit të tabelës përfundimtare të rezultateve, këto kuti merren nga një grup prej tre personash, i përberë nga kryetari-përfaqësues i PD-së në rastin e KZAZ-së Nr. 55, nënkryetari, përfaqësues i PS-së dhe sekretari, përfaqësues i PS-së pranë KZAZ-së, të shoqëruar nga Policia e Shtetit deri në destinacionin e përcaktuar nga KQZ-ja, në Lundër, Tiranë. Në procesverbalin e dorëzimit të kutive në pikën e grumbullimit shënohen të pesta kodet e sigurisë të çdo kutie dhe ky procesverbal firmoset nga të gjitha palët politike, përfaqësuesit e KQZ-së, si edhe nga Policia e Shtetit për dorëzimin e garantuar të kutive të votimit dhe palët pajisen edhe me një kopje të këtij procesverbali. Pra, i famshmi “kod i pestë” ndodhet edhe në procesverbalin e dorëzimit në pikën e grumbullimit, që përbën edhe regjistrimin e katërt të “kodit të pestë” në procesverbalin e katërt zyrtar të firmosur dhe pranuar nga të gjitha palët dhe nga  Policia e Shtetit. “Kodi i pestë”, edhe pse në pak raste mund të mos jetë shënuar në procesverbalin e grupit të numërimit e firmosur nga të gjitha palët, mundet thjesht fare të kontrollohet në 3 procesverbalet e përmendura më sipër. Nga ky kontroll mund të vëmë re fare qarte nëse pretendimi i palës së PS-së është legjitim apo jo, duke kontrolluar procesverbalin e fundit në kohë me procesverbalet e mbylljes nga qendra e votimit apo procesverbalin e dorëzimit në KZAZ përpara numërimit.

© Panorama.al

Te lidhura