Kreu i grupit te PS, Ruçi: Nano i ka shërbyer për shtatë vjet Berishës

Jul 7, 2012 | 13:43

Kreu i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi

La pushtetin në 2005, takoi Berishën në 2007 kur ishte në cep të ringut, votoi kundër PS në 2009 dhe 2011”

Flet kreu i Grupit të PS: Bisedat me Berishën për Presidentin.

Kreu i Grupit Parlamentar socialist Gramoz Ruçi tha dje se Sali Berisha ia kishte borxh Fatos Nanos mbështetjen si kandidat për President.
I ftuar në emisionin “Debat” në Vizion Plus me gazetarin Alfred Peza, Ruçi tha se Berisha duhet ti kthente Nanos borxhin e ndihmës dhe mbështetjes që ish kreu socialist i ka dhënë atij në momentet më të vështira gjatë 7 viteve të qeverisjes së të djathtës.
Janë përmendur disa kandidatura nga PS, si Sandër Lleshi. Zoti Majko ka thënë se është telefonuar nga zoti Rama dhe i ka përmendur emrin. Ka pasur emra të tjerë?
Zoti Rama, i shoqëruar edhe nga unë, ka këmbëngulur gjithmonë që çështja e emrave të jetë e fundit. Që në takimin e parë ka kërkuar që nëse ne biem dakord që të zgjedhim një President konsensual dhe në shtator të shkojmë bashkë në Bruksel për statusin. Që atë ditë zoti Berisha e ka kundërshtuar. Zoti Rama ka thënë se nuk “jam këtu në tryezë për të hedhur emra në vazhdimësi”. Sa u takon emrave që ju përmendët, sigurisht, në tryezën e dytë, kur është propozuar zoti Hoxha, ka pasur mendime të tilla, por jo se PS hodhi ca emra dhe maxhoranca i kundërshtoi. Por zoti Rama i ka thënë se “nëse je vërtet për të zgjedhur një President konsensual, unë po ju drejtohem me një informacion që kam”, dhe i thotë: “Zoti Berisha, Ismail Kadare ju ka dërguar një njeri dhe ju ka propozuar një emër”, pa e thënë emrin. I është drejtuar edhe zotit Meta me të njëjtën pyetje. Edhe zoti Berisha, edhe zoti Meta u detyruan të pranonin se po, kemi një propozim nga Ismail Kadare. I kërkoi të dalë përtej emrave të maxhorancës dhe përtej emrave të opozitës për të pasur një kandidat konsensual, pasi është e vështirë të gjesh një shqiptar që kontestohet, por s’mund të gjesh shqiptar që të kontestojë njeriun e letrave, siç është Ismail Kadare. Atëherë, ja, që paska ky vend djem dhe vajza, figura që plotësojnë kushtet kushtetuese, morale, të pavarura nga palët. Mua më rezulton se familjarët e tij janë pranë së djathtës, por unë nuk e paragjykoj këtë. Kur vjen puna për zotin Majko, zoti Rama, duke kundërshtuar portretizimet që zoti Berisha po u bënte dy ministrave të qeverisë, Nishani dhe Imami, i ka thënë se “unë nuk kam ardhur këtu që të them se zoti Majko është shumë më i vlerësuar për këtë apo atë arsye krahasuar me ministrat e tu, dhe të kërkoj votën tënde për zotin Majko”. Përpjekjet e PS dhe të zotit Rama kanë qenë shumë të matura dhe të pjekura në funksion të procesit të integrimit.
Zoti Nano, sa shanse kishte që të zgjidhej President? Ka qenë ndonjëherë afër zgjedhjes?
Zoti Nano e bëri publike ambicien e tij. Zoti Nano është një figurë politike shumë komplekse përsa i përket qasjes dhe veprimtarisë politike publike në harkun kohor që nga 2005-a e deri sot. Ai e shprehu publikisht këtë ambicie, zhvilloi kontakte me gjithë spektrin politik shqiptar, qoftë me ne, qoftë me partitë e tjera parlamentare, deri dhe me zotin Berisha, dhe unë shpresoja se, pse jo, e djathta mund të binte dakord nëse do të kishte filozofinë e konsensualitetit në zgjedhjen e Presidentit. Dhe këtë ia kam thënë zotit Nano në tavolinë kur u ul me zotin Rama, këtë ia kam thënë edhe zotit Berisha, kur ishim në tryezën e dytë me të, i cili kërkonte të provokonte Partinë Socialiste me emrin e zotit Nano dhe duke u shprehur, pasi unë ia kërkova, që “ju si PD e mbështesni, e votoni Fatos Nanon si President konsensual?”. Absolutisht zoti Berisha e ka kundërshtuar në mënyrë të prerë që nuk e pranon zotin Nano si President konsensual. Atë që unë i kërkova zotit Nano që t’ia kërkonte zotit Berisha, e mora direkt përgjigjen nga kreu i PD-së.
Pra ka qenë kundërshtim i maxhorancës?
Absolutisht ka qenë kundërshtim i maxhorancës, i prerë, i hapur. Ia kemi thënë dhe zotit Nano që ne nuk të zgjedhim dot President, nuk kemi numrat në Parlament për ta bërë një gjë të tillë, kemi vetëm 63 vota.
Nëse Nano me votat tuaja do të bënte lobing në Parlament duke gjetur vota ashtu siç u zgjodh dhe zoti Topi..
Ne kemi qenë kundër asaj filozofie që u zgjodh zoti Topi, edhe me ndihmën e zotit Nano në atë kohë. Ashtu sikurse ne kishim një filozofi tjetër, jo për të bërë pazar dhe për të zgjedhur këdo emër tjetër, qoftë dhe zotin Nano. Por kemi qenë fare të qartë edhe me zotin Berisha, edhe me zotin Nano, dhe nuk kemi lejuar as të na bëjë presion zoti Berisha me zotin Nano. Ia kam thënë në tryezë zotit Berisha, se 8 vjet zoti Nano më ka shërbyer mua në pushtet dhe 7 vjet i ka shërbyer me gjithë qasjen e tij politike pushtetit tënd, shto dhe katër vjet burg. Pse të mos ishte konsensual?! Berisha e kundërshtoi Nanon si konsensual. Por, me sa duket, e përdori në tavolinë të paramenduar ose jo të paramenduar, nuk e di se çka bërë prapa kuintave, që të provokonte elektoralisht Partinë Socialiste për të lënë një pykë lidhur me një përçarje të mundshme në PS.
Dhe ju iu ruajtët kësaj?
Jo, ne ia kërkuam ballazi mendimin e tij për Nanon, ai e kundërshtoi.
Fatos Nanos i është thënë se i ke shërbyer për 7 vjet Sali Berishës?
Nuk mund të them se i kam thënë këtë, sepse raportet e mia me Fatos Nanon janë të tjera. Unë kam punuar me të për shumë vite…
Kur u takuat për Presidentin?
Ia kam thënë në një kuptim tjetër. Unë jam takuar me zotin Nano informalisht, pas takimit që ka zhvilluar me zotin Rama dhe me mua në zyrë. Zoti Rama ia ka shpjeguar të gjithë qasjen dhe të gjithë filozofinë e PS për zgjedhjen e Presidentit. Zoti Rama s’ka pasur asnjë paragjykim. Ju folët për takime formale e informale dhe komunikime me zotin Meta. Zoti Rama, me dakordësinë time, por jo vetëm timen, por dhe të aktorëve të tjerë politikë dhe institucionalë në PS, ka komunikuar edhe me zotin Nano para takimit, qoftë edhe për këtë çështje.
Sa kohë përpara?
Po mund të them edhe 6 muaj para, dhe ka qenë fare i hapur me të, se këto janë mundësitë tona në këtë proces.
Ka pasur një ofertë konkrete nga zoti Rama në takimet e mëparshme për Presidentin?
Zoti Rama dhe PS nuk kishin ç’ofertë të bënin. Këto bisedime nuk kanë qenë për të bërë pazare, jo të moralshme në këtë plan. Në takimin që ne zhvilluam në selinë e PS, unë i kam thënë hapur zotit Nano se ju, kur të takoheni me zotin Berisha, t’i thoni se zoti Ruçi më kërkoi t’ju them: Zoti Berisha, më 2005-n nuk e lashë pushtetin, por e humba, e lashë që në raundin e dytë, kur kishim shumë mundësi të fitonim. Zoti Nano e bëri deklaratën kur u kërkoi ministrave të tij të bëjnë gati dosjet.
Ishin në proces disa mandate?
Ishin në proces disa mandate të mjaftueshme për të mbajtur zotin Nano në pushtet dhe partinë që ai përfaqësonte. E dyta, në vitin 2007 ndodhën tri evenimente të rëndësishme. Ishte lufta për pushtetin vendor dhe politikisht zoti Berisha ishte në cep të ringut, lidhur me infrastrukturën zgjedhore. Zoti Nano e mori nga cepi i ringut dhe e çoi në Pallatin e Brigadave. I thashë Nanos që t’ia kujtojë Berishës këtë rast. E dyta, uruat kandidatin e zotit Berisha, zotin Olldashi, se ju jeni kryetari europianist i kryeqytetit tim. Dhe në fund, me zgjedhjen e Presidentit, ata 6 kolegët e mi shkuan edhe me bekimin e zotit Nano për të votuar zotin Topi duke shmangur zgjedhjet e parakohshme. Të njëjtën gjë në zgjedhjet e 2009-s, kur zoti Nano deklaroi publikisht votën kundër Partisë Socialiste dhe të njëjtën gjë dhe në 2011-shin. E pra këto janë borxhe politike. Zoti Nano kishte vërtetuar që vërtet ishte një staturë dhe figurë politike që s’mund të quhej, siç tha Sali Berisha, se “s’mund të votoj liderin politik të PS”, sepse ishte ky lider politik që për 7 vjet rresht politikisht e publikisht i ka shërbyer elektoralisht Sali Berishës. Është e drejtë e tij dhe s’do të më pyeste mua. Por ai kishte të drejtën morale që t’i kërkonte mbështetjen elektoralisht në Parlamentin shqiptar Sali Berishës për President.
Do të hyjë Partia Socialiste në zgjedhje e 2013-s me këtë Kod Zgjedhor?
Askush të mos mendojë se PS do të bojkotojë ndonjëherë zgjedhjet. Edhe pa Kod, le ta bëjë si të dojë Sali Berisha Kodin, PS do të hyjë në zgjedhje dhe do t’i fitojë ato.
Cilat janë garancitë për këtë që thoni?
Garanci janë mbështetja që ka PS, situata politike, ekonomike dhe institucionale në Shqipëri, alternativa që ofron dhe garancia që ofron PS me programin e saj.

© Panorama.al

Te lidhura