
FRESSH nis garën mes 6 kandidatëve për kreun e ri të tij.
Rama: Bëni zgjedhje të ndershme, jo përçarje.
Forumi Rinor Eurosocialist nisi dje zyrtarisht garën për të zgjedhur kryetarin e tij. Në një ceremoni festive të organizuar në amfiteatrin veror në Kodrat e Liqenit, u prezantuan kandidatët e kësaj gare, kandidatë të cilët u miratuan pak ditë më parë nga Kryesia e PS. I pranishëm në këtë ceremoni para qindra të rinjve, kryetari socialist Edi Rama, u kërkoi të rinjve të organizojnë një garë model dhe të ndershme, për t’i treguar politikës shqiptare se ku qëndron ndryshimi i këtij forumi. “Më shumë se sa kush zgjidhet në krye të FRESSH-it, ne të gjithëve na intereson se përgjatë zgjedhjeve FREESH-i të vazhdojë të rritet, të shumohet, të forcohet. Bëni një garë model dhe të ndershme, bëjeni këtë proces një moment të jashtëzakonshëm përfshirjeje të të rinjve kudo ku jetoni, jepini politikës shqiptare një mësim të madh sinqeriteti dhe përkushtimi demokratik, bëhuni shpirti i një politike ku ballafaqimet nuk janë një kacafytje dhe ku gara brenda llojit nuk është një arsye për t’u përçarë”, tha Rama para të rinjve. Në këtë garë gjashtë kandidatët, Artur Micko, Elisa Spiropali, Erlis Hoxha, Joleza Koka, Juxhin Çela dhe Maria Myridinas do të udhëtojnë për një muaj rresht në 36 rrethe, ku do të prezantojnë platformat e tyre, ndërsa më 12 qershor do të zhvillohet Kongresi Kombëtar i FRESSH-it në Tiranë, ku do të zgjidhet dhe kryetari. Duket se gara nuk do të jetë e lehtë. Edhe pse Elisa Spiropali është tashmë e afirmuar si koordinatore kombëtare e FRESSH-it prej tre vjetësh, duket se dhe kandidatët e tjera gëzojnë mbështetje në PS, kryesisht nga deputetë dhe anëtarë kryesie. Duke folur se si duhet të ndërtohet Forumi Rinor, Edi Rama tha se ai duhet të jetë shprehje e politikës së re të PS-së. “Për Shqipërinë që duam na duhet edhe një Forum Rinor Eurosocialist në lartësinë e sfidës sonë historike për një rilindje shqiptare. Na duhet t’i japim së bashku formë një politikë të re, ku të rejat dhe të rinjtë, ku ju të gjithë të përfshiheni dhe të përfshini sa më shumë si ju, në emër të ëndrrave dhe të shpresave të gjeneratës suaj. Pa ndryshuar politikën asgjë tjetër s’do të ndryshojë dot për ju dhe për Shqipërinë e të gjithëve, që sot ka mbetur në vend, dhe është bërë vend padrejtësish të përditshme”, tha ai.
Kandidatët për kreun e FRESSH
• Artur Micko
• Elisa Spiropali
• Erlis Hoxha
• Joleza Koka
• Juxhin Çela
• Maria Myridinas
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











