Kreu i Bundestagut gjerman pret Topallin: Ju mbështesim për në BE

Feb 10, 2012 | 12:07
Kryeparlamentarja Topalli me homologun gjerman, Norbert Lamert

Gjermania do të mbështesë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Sipas vendit më të fuqishëm në Europë, është inkurajues fakti që vendi ynë ecën me rritje ekonomike të qëndrueshme. Kështu u shpreh dje kryetari i Bundestagut gjerman, Norbert Lamert, gjatë një takimi me kryeparlamentaren Jozefina Topalli. “Zoti Lamert përgëzoi Shqipërinë për progresin në synimin dhe perspektivën e saj europiane. Pavarësisht se sa kohë do të marrë dhe se sa i mundimshëm do të jetë ky proces. Gjermania dhe unë personalisht mbetemi mbështetës të këtij procesi. Sfidat përpara janë të shumta, punët që do të kryhen janë të mëdha, por është inkurajuese që ky vend ecën me rritje ekonomike të qëndrueshme dhe bën përpjekje të mëdha për të rritur prezencën e investitorëve të huaj në vendin tuaj”, thuhet në njoftimin për shtyp të Kuvendit. Nga ana e saj, kryetarja Topalli theksoi se bashkëpunimi politik mes dy qeverive respektive si dhe mes Bundestagut dhe Parlamentit shqiptar, kanë arritur nivelin më të lartë të këtyre 20 viteve. “Rruga jonë e reformave nuk ka qenë as e thjeshtë, as e lehtë, e megjithatë ajo ka qenë përherë axhenda parlamentare”, u shpreh më tej Topalli. Në përfundim të takimit, në një prononcim për mediat, kryeparlamentarja theksoi: “Jam shumë e nderuar që kam ardhur në krye të një delegacioni me deputetë nga maxhoranca dhe opozita. Natyrisht, unë gjeta rastin për ta falënderuar personalisht Presidentin Lamert për intensifikimin e raporteve tona midis Bundestagut dhe Parlamentit të Shqipërisë. Gjatë këtyre 20 viteve ne shqiptarët, Gjermaninë e kemi pasur si investuesin kryesor në të gjitha termat: financiar, ekonomik, diplomatik, politik në zhvillimet e Shqipërisë”. Sipas saj, “Ambasada Gjermane ka qenë e para që para 20 viteve hapi dyert e saj për shqiptarët si një portë e rëndësishme për të shkuar në Europë. Dhe sot ne kemi marrëdhënie të intensifikuara, marrëdhënie politike të mira. Në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë ne kremtojmë dhe 25-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, dhe kjo ftesë e bërë nga Presidenti Lamert, natyrisht ka kuptim edhe më shumë në këtë përvjetor të dyfishtë që kanë Gjermania dhe Shqipëria”. Ndërsa kryetari i Bundestagut gjerman, Lamert, e vuri theksin te marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe dy parlamenteve. “Kjo vizitë tregon interesin tonë. Është e qartë se gjatë 5-6 viteve të fundit ne kemi zhvilluar kontekstin e marrëdhënieve midis parlamenteve tona në një nivel të tillë sikur Shqipëria të ishte tashmë në Bashkimin Europian. Ekziston një ndryshim i rëndësishëm në llojin e bashkëpunimit që ne kemi midis komisioneve, grupeve të miqësisë apo parlamenteve reciproke, dhe kjo e bën të qartë se ekziston një perspektive dhe ne po punojmë për ta përmbushur këtë qëllim”, u shpreh Lamert. Në ditën e dytë të vizitës në Gjermani, Topalli zhvilloi një takim edhe me kryetarin e Parlamentit të Landit të Berlinit. “Unë e ftova kryetarin e Parlamentit së bashku me parlamentarë të tjerë të këtij Parlamenti, që të vizitojnë Shqipërinë, sepse midis Landit të Berlinit dhe Shqipërisë ka mundësi të pafundme, potenciale të jashtëzakonshme bashkëpunimi, natyrisht me qëllimin për të rritur praninë e bizneseve gjermane në Shqipëri edhe në fusha të tjera”, tha kryeparlamentarja.

© Panorama.al

Te lidhura