EDITORIAL- Para pak ditësh u anullua një konkurs absurd për një monument të Ismail Qemalit. U raportua në media për një paraqitje qesharake të artistëve. E besoj, sepse ka arsye që sot të mos ketë në Shqipëri një numër sado modest artistësh të aftë për një konkurs serioz për një shtatore realiste. Po kjo është një temë tjetër. Çështja këtu është pse kërkohet një gjë e tillë? Jam i bindur se po ta pyesnim kryeministrin që i nxjerr nga goja këto konkurse përgjatë fjalimeve të tij pa fill logjik në tryezën e qeverisë, përgjigja do të ishte edhe më qesharake se konkursi i sapodështuar. Ai ka folur deri më sot për një parlament të ri, për një stadium të ri, për një monument të pavarësisë në Tiranë, për një monument të Ismail Qemalit, për një shqiponjë që tha se i bie për detyrë ta bëjë kryebashkiaku i Tiranës dhe, si gjithmonë, edhe për një monument të krimeve të komunizmit që ka shtatë vjet që e lajmëron. Të gjitha për 100 vjetorin e pavarësisë. Të gjitha të dështuara pa filluar. Të gjitha në hava për të mbushur ajrin dhe mediat me fjalë që i merr era e të nesërmes kur ajri dhe mediat mbushen me fjalë të tjera, për lajthitë e për hekurudhat ndërkontinentale e me radhë, shty të shtyjmë vagonat e dokrrave e të rrenave ndërkohë që koha shqiptare vritet në zbrazëtinë e propagandës më zvetënuese qeveritare mbi këtë tokë, qyshse komunizmi na la shëndenë.E mu kështu, si rruga pa rrugë e as stacione drejt festës së pavarësisë, krejt në hava e degë më degë nga fjalimi në fjalim, nga alibia në alibi, nga akuza në akuzë, po katandiset për fat të keq edhe rruga e integrimit në këtë 100 vjetor të pavarësisë. Statusi i kandidatit po e pëson njësoj si parlamenti i ri, si stadiumi i ri, si monumentet që bien pa u ngritur, fol e fol e shko përpara drejt fjalimit tjetër pa bërë asgjë as nga ato që thuhen, e as nga ato që duhen bërë jo e jo, derisa në vjeshtë aplikimi i Shqipërisë të përfundojë si konkursi qesharak për monumentin e Ismail Qemalit. Një vrimë në ujë dhe një faturë e rëndë që Saliu po e pret pa asnjë gajle, i verbuar siç është nga ankthi i mbajtjes me çdo kusht të një pushteti që nesër s’do t’i duhet as dreqit, kur të mbërrijë dita e pagesës së asaj fature marramendëse për Shqipërinë e zhytur në borxhe e të shterur në potencialet e veta ekonomike të zhvillimit të qëndrueshëm; Për Shqipërinë e mbetur tre herë rresht jashtë Europës si askush më parë, me kredibilitet zero në sytë e Familjes Europiane e me një të përpjetë të madhe paskëtaj përpara për ta bindur të hapë derën për ne atë familje çdo vit e më të lodhur nga projekti i saj i zgjerimit; Për Shqipërinë e ndarë me thikën e injorancës e të përçarjes politike nga ky sundimtar dritëshkurtër, të cilit shumëkush i njohu e kam frikë se do t’i njohë edhe kur të mos jetë më aty ku është kapur thonjsh, meritën e të qenit i zoti për të gënjyer, i aftë për të grabitur, i pamposhtur në ngulmimin për të vjedhur zgjedhjet, për të vrarë protestuesit nën dritaren e zyrës, për t’i ulur gjykatat në gjunjë para pushtetit të tij, për t’i zhgërryer të gjithë me baltën e gjuhës së vet e për t’i tërhequr njerëzit zvarrë në rrugën pa krye të një dasie që ngjan me një mallkim.
Sidoqoftë një gjë është e sigurt: Asgjë s’do jetë më njësoj në Shqipëri kur të largohet nga qendra e skenës së historisë së këtij vendi, ky personazh jashtëhistorik për Europën, për Ballkanin e për vetë Shqipërinë e vitit 2012. E në këto kushte e vetmja mënyrë për ta kremtuar ditën e pavarësisë, pa e ngrënë tërë turpin e këtij viti me bukën e dështimeve të shkaktuara për hir të pushtetit dëmsjellës e qesharak të këtij personazhi, është që ky njeri të mos jetë më kryeministër kur të gdhihet 28 nëntori e të këndohet himni kombëtar. Qoftë edhe vetëm kjo, nuk është një arsye e vogël për ta shkulur një orë e më parë që aty, duke bashkuar çdo forcë e çdo votë të mundshme, pa humbur kohë duke menduar se sa ia vlen apo nuk ia vlen bashkimi me këdoqoftë për të qeverisur vitin e ardhshëm. Me një reformë zgjedhore të minuar haptazi për të përsëritur avazin e vjetër e me një president të zgjedhur për të garantuar jo Shqipërinë po vetveten, ai na ka ftuar të zgjedhim: Ose ta largojmë përpara se sa Shqipëria të hyjë në zgjedhje, ose të presim se si do t’i vjedhë përsëri zgjedhjet e do ta bëjë shkrumb ëndrrën e Shqipërisë Europiane. Kush ka sy le të shikojë e kush ka veshë le të dëgjojë.











