Bankat në vend janë treguar më të prira për të lehtësuar kushtet e kreditimit për individët dhe më të kufizuara në lehtësimin e atyre për biznesin.
Në këtë kontrast të tremujorit të dytë të vitit, që reflekton vrojtimi i Bankës së Shqipërisë, duket se zëri i ekspertëve për të ardhmen është edhe më pesimist për biznesin. Ekspertët parashikojnë që edhe në tremujorin e tretë të vitit, kushtet e kreditimit për biznesin do të vazhdojnë të jenë më të shtrënguara, ndërsa për individët do të vazhdojnë të lehtësohen.
BIZNESI
Kushtet e bankave duket se nuk kanë qenë arsyeja e vetme e një kreditimi më të ulët për biznesin në tremujorin e dytë të këtij viti. “Shtrëngimi i standardeve u aplikua për të dyja kategoritë, ndërmarrjet e vogla e të mesme dhe ato të mëdha. Balanca neto e bankave që kanë raportuar për shtrëngim të standardeve për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme është -2.3 për qind, rreth 14.5 pikë përqindjeje më e ulët se tremujorin e kaluar. Për korporatat, balanca shënoi vlerën -7.9 për qind, rreth 7.9 pikë përqindjeje më e ulët se tremujorin e kaluar” thuhet në vrojtimin e BSH-së. Standardet e shtrënguara për kredinë ndaj biznesit nga ana e bankave përfshijnë rritjen e kërkesës për kolateral në raport me madhësinë e huas. Por duket se nuk kanë qenë kushtet e ofruara të vetmet që kanë sjellë një kreditim më të vogël për biznesin. Edhe ky i fundit ka shfaqur një kërkesë të moderuar për financim për përmes kredisë. Sipas Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e tretë të vitit pritet që të ketë sërish shtrëngim të kushteve të vendosura për kreditimin e biznesit. Përqindja neto e bankave që presin shtrëngim të standardeve të kredisë për bizneset ka shënuar vlera negative për herë të parë pas 4 tremujorësh.
INDIVIDËT
Individët duket se kanë qenë më të favorizuarit gjatë tremujorit të dytë të këtij viti sa u përket standardeve të vendosura për kredi nga ana e bankave. Këto standarde vijuan të lehtësohen dhe e njëjta prirje, sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, pritet që të vijojë edhe në tremujorin e tretë. Kushtet që duket se ndikuan drejtpërdrejt në këtë lehtësim vlerësohen të jenë konkurrenca në sistemin bankar, gjendja e likuiditetit dhe vendimet e Bankës së Shqipërisë. Ndërkaq, nga vrojtimi rezulton që kusht lehtësues për kreditimin e individëve kanë përbërë kryesisht ulja e komisioneve bankare. “Balanca përkatëse shënoi 20.7% nga 0.3% që ishte në tremujorin e mëparshëm. Ngushtimi i marzhit mesatar ndikoi në kahun lehtësues të standardeve të kredisë për individët. Raporti këst ndaj të ardhurave, marzhi për kreditë me rrezik dhe kërkesa për kolateral u përdorën për zbatimin e një politike shtrënguese të standardeve të kredisë për individët edhe pse në një shkallë ndjeshëm më të ulët krahasuar me tremujorin e mëparshëm”, vëren Banka e Shqipërisë.
Biznesi, i pasigurt për të bërë investime
Pasiguria që ka biznesi sot reflektohet edhe në mënyrën se si zgjedh të menaxhohet. Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë nxjerr në pah faktin që iniciativa për të zgjeruar aktivitetet apo për të bërë investime fikse nuk është në axhendën e shumicës së bizneseve. Pjesa më e madhe e atyre që shkojnë pranë bankave për të kërkuar një kredi e argumentojnë kërkesën me nevojën për kapital qarkullues, edhe pse në fakt kërkesa për kredi të kësaj natyre ka mbetur statike. “Në ndarjen sipas qëllimit të përdorimit, kërkesa për kredi me qëllim financimin e investimeve fikse vijon të vlerësohet në rënie për të katërtin tremujor radhazi. Balanca neto shënoi vlerën -15.5% në tremujorin e dytë të vitit 2011” thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë. Ndërkaq sipas të njëjtit vrojtim vlerësohet se kontributin negativ në kërkesën e ulët për kredi nga ana e biznesit e kanë dhënë pikërisht mungesa e investimeve. “Përdorimi i burimeve alternative të financimit dhe financimi i investimeve fikse janë dy faktorët që kanë kontribuar negativisht në kërkesën për kredi gjatë tremujorit të dytë të vitit 2011”, saktëson vrojtimi.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











