
TIRANE – Qeveria shqiptare po luhatet në majat e rrezikshme të borxhit publik, dhe shumë institucione kanë ngritur alarmin për kapërcimin e këtij pragu. Banka Botërore ka më shumë se një muaj, që po kontakton me drejtuesit e lartë të financave shqiptare, duke ofruar në tavolinë një kredi afatgjatë prej 200 milionë USD, e cila mund të përdoret edhe për të mbyllur vrimat e buxhetit. Debati dhe presionet mes palëve arritën majat kur, në një dalje publike, katër specialistë të Bankës treguan para gazetarëve situatën e keqe të financave të vendit dhe “detyrimin” për lidhjen e marrëveshjes për ndihmë buxhetore me Bankën. Saktësisht, shifrat e ekspertëve të Bankës tregonin arritjen e limitit të borxhit publik prej 60% të prodhimit, dhe argumentonin rrezikun që vjen nga kalimi i këtij pragu. I gjithë presioni, i bërë publik në mes të negociatave, vazhdoi në ditët në vijim me takime të shpeshta nga zyrat e Bodes tek ato të Kryeministrit. Sipas ekspertëve të Financave, Banka kërkon që qeveria të marrë kredinë e ofruar nga ajo, por duke ulur deficitin buxhetor dhe, si rrjedhojë, edhe borxhin publik në mënyrë të fortë gjatë viteve në vijim. E thënë më thjeshtë, Banka Botërore i thotë qeverisë që të ulë deficitin dhe borxhin, pra të mos marrë para hua nga tregjet e tjera, dhe këto para të ofrohen nga vetë banka. Qeveria ka planifikuar në shpenzimet e veta investime të rëndësishme. Shumica e këtyre investimeve do të bëhet me paratë që merren borxh. Qeveria ka planifikuar që deficiti buxhetor të jetë 3 për qind deri në vitin 2013 dhe më pas të ulet në 2.5 për qind. Banka Botërore kërkon që ky deficit të ulet më poshtë se 2.5% në këto vite dhe më pas të ulet në 2 për qind në vitin 2014. Për ta bërë më të thjeshtë, shuma e ofruar nga Banka Botërore është rreth 2 për qind e GDP, pra aq sa kërkohet të jetë deficiti i qeverisë. Por negociatat nuk ngecin te shuma që qeveria është e gatshme të marrë, por te shkurtimet e financimeve të tjera. Qeveria nuk pranon të ulë deficitin nën 3 për qind, pasi ka parashikuar që investimet do të jenë të pakën sa ky deficit. Nga ana tjetër, Banka duke parashikuar periudha të errëta rritjeje ekonomike në të gjithë rajonin, thekson se këto deficite do të përktheheshin në kosto shtesë për borxhin dhe buxhetin. Pra, debati është për modelin e zhvillimit, apo të stabilitetit. Të dyja palët, si qeveria dhe Banka Botërore kanë përfitimet e tyre. E para kërkon rritjen e borxhit, rritjen e investimeve me shpresën e rritjes së parave dhe, si rrjedhojë, krijimin e një imazhi dhe ekonomie më pozitive për këtë vit dhe sidomos për vitin 2013, i cili është vit zgjedhor. Banka kërkon të financojë një qeveri në “nevojë”, pra të bëjë punën për të cilën është krijuar. Interesat e dy palëve po përplasen këto ditë nga Ministria e Financave te Kryeministria, me shpresën e gjetjes së një zgjidhjeje. Ka vetëm një kusht të ri, i cili mund të favorizojë logjikën e Bankës Botërore. Qeverisë i duhet të sigurojë jo pak, por rreth 100 milionë euro financime për blerjen e energjisë. Dhe këto para duhen shumë shpejt. Sidoqoftë, koha do të tregojë kush ka pasur të drejtë, e sigurt është që të drejtë do ketë vetëm njëra nga palët.











