Krajnçar: Në Shkodër u masakruam nga tifozët

Aug 12, 2011 | 11:58

Nuk kishte humbur prej tetë ndeshjesh në krye të Malit të Zi, ndaj edhe nuk e ka kapërdirë lehtë humbjen në Shkodër ndaj Shqipërisë Zlatko Krajnçar, edhe pse ishte një miqësore. “Kjo humbje nuk ndryshon optimizmin tim para kualifikimeve. Ne nuk duhet të frikësohemi për ndeshjen kundër Uellsit. Gjëja më e rëndësishme është se lojtarët janë në formë të mirë dhe në shtator do kemi në dispozicion edhe Vuçiniç, Pekoviç, Drinçiç, Jovanoviç dhe Damjanoviç”, ka pohuar trajneri kroat i malazezëve. Ndërkaq, ky i fundit ka hedhur akuza ndaj tifozëve kuqezinj, të cilët sipas tij bënë presion të tejskajshëm, aq sa lojtarët malazezë i kishin kërkuar teknikut që të zëvendësoheshin. “Dzudoviç më pat kërkuar në pushim të ndeshjes që të zëvendësohej. Ai më tha se nuk po duronte dot më thirrjet dhe presionet e tifozëve. Në pamje të parë të dukej sikur nuk kishte asgjë të jashtëzakonshme, por po ju them me siguri se nuk ishte qasja më e mirë që mund të bënte një publik në një ndeshje të tillë miqësoreje. Në fakt, e patë vetë që në fraksionin e dytë të lojës u hodhën edhe sende në fushë, pra kishte më shumë presion nga çfarë duhet të bëjë një tifozëri. Pavarësisht kësaj, skuadra u mundua të bëjë lojën e saj, edhe pse në 45 minutat e dyta duhet pranuar se ishim disi më të paorganizuar. Megjithatë, ndeshja në Shkodër ishte për mua një test për të parë gjendjen e lojtarëve dhe në përgjithësi mund të them se jam i kënaqur nga pjesa më e madhe e tyre”, ka thënë Krajnçar, në një intervistë për mediat malazeze.

© Panorama.al

Te lidhura